Donikë, ja disa këshilla që babi s’mund të t’i japë

Opinione

Donikë, ja disa këshilla që babi s’mund të t’i japë

Isa Zymberi Nga Isa Zymberi Më 9 maj 2021 Në ora: 10:07
Donika Gërvalla

Me pozitën që ke sot, Babi do të ishte krenar. Pasi që ai nuk është në jetë, ti vetë duhet të jesh krenare edhe për të. Për pozitën tënde janë krenarë, në radhë të parë, nëna Suzana, fëmijët, vëllezërit Premtoni e Ergoni, bashkëshorti Stefani, i gjithë farefisi, miqtë e shumtë të Jusufit, por edhe pjesa dërmuese e shqiptarëve në të gjitha anët e kufijve. Meritat nuk i ke vetëm në vijën familjare, nga babë e babgjysh si dhe farefisi, por edhe nga vetë kontributi personal për Kosovën për gati tri dekada.

Edhe Babi do ta kishte ditur se këtë pozitë e ke marrë që në fund të dalësh më e kënaqur e jo më e pasur, të dalësh me ndjenjën se ke bërë çdo përpjekje me të gjitha aftësitë që ke për të mirën e Kosovës në këtë periudhë të stuhishme.

Mos lejo të të bëjë përshtypje dhe të të pëngojë në punën tënde katrahura e krijuar ditëve të fundit rreth disa qëndrimeve tuajat para pesë-gjashtë vitesh. Puna jote është shumë herë më me rëndësi sesa kritikat pa asnjë bazë deri në fyerje personale. Për çështjet që ke folur atëherë tash ka një gjykatë që është themeluar me vetë bekimin e disa prejt të akuzuarve, dhe të shumë prej këtyre që tash po çojnë pluhur. Kjo gjykatë nuk është si gjykatat tona vendore ku ligjet dredhen e përdredhen në të mirën e të fortëve dhe ku e pësojnë vetëm njerëzit e rëndomtë, ata që nuk kanë shpinë të fortë e pozicione politike.

Parimi themelor i kësaj gjykate është barazia e armëve për akuzuesin dhe të akuzuarin. Natyrisht, është obligim ligjor që, ata që kanë njohuri për çfarëdo krimi, ta paraqesin atë pranë gjykatës, ashtu siç është edhe obligim madje dhe moral që të gjithë ata që kanë të dhëna për të kundërtën, t’i paraqesin këto në favor të mbrojtjes.

Për këtë çështje mos u lodh t’i përgjigjesh askujt, sidomos jo atyre që jargaven në parlament, që humbin kontrollin e të shprehurit normal dhe nuk ngurrojnë të dalin madje dhe racistë. (Në vende me demokraci të mirëfilltë, për një fjalë me konotacion racizmi, mund të dënohesh me dy vite burg.)

Mos lejo të të bëjnë përshtypje as thirrjet jashtë parlamentit, Janë njësoj të parëndësishme.

Ata që të shtrojnë pyetje, falenderoji për pyetjet dhe jepju përgjigjet që ke. Sillu njësoj edhe me ata që të kritikojnë, sepse kritika të jep mundësi të sqarohesh dhe të mos lësh dyshime.

Kritikat kurrë nuk mund të jenë më të forta vetëm pse shoqërohen me fyerje e me sjellje të pahijshme.

As eskalimi i situatës brenda parlamentit deri në përplasje fizike, mos të të bëjë përshtypje. Këto janë bërë të rëndomta në të gjitha shtetet e rajonit dhe në ato që mund të quhen shtete batakçi (rogue states). Në Kosovë, si shtet i ri, në ndërtim e sipër, mbase kjo edhe është e arsyeshme, megjithëse e papranueshme.

Në çdo rrethanë, evitoje ngarkimin emocional, jep përgjigje racionale me qetësi pa u udhëhequr nga instinkti. Përpiqu të mos japësh shenja zemërimi kur përgjigjesh dhe mos kthe dorë, pra, mos kundërsulmo me mjetet e kritikuesit. Dëshmo se je ndryshe nga ai/ajo apo ata që sillen keq.

Kritika e pabazë shfaq mangësitë e kritikuesit, jo tuat.

Bëje dallimin midis kritikës konstruktive dhe negative. E para të ndihmon, ka qëllime pozitive, kurse e dyta përpiqet të te lëndojë. Janë ata, që lëshojnë vërejtje përvëluese dhe përpiqen të te lëndojnë, të cilët kanë nevojë për ndihmë, e kurrsesi jo ti.

Bëj përpjekje t’i trajtosh me respekt madje edhe ata që t’i drejtojnë kritikat më të rënda dhe më qëllimkëqija.

Çfarëdo qëndrimi që merr, do të ketë edhe kritika. Kritika nuk mund t’i mohohet askujt dhe ajo nuk duhet të merret personalisht, mirëpo sado e rëndë të jetë ajo, mos lejo kurrë të të dërmojë, por as mos hiq dorë nga misioni yt.

Secilit problem qasju me ndershmëri dhe vërtetësi dhe përpiqu ta trajtosh me elegancë.

Përpiqu t’u biesh në fije arsyeve të kritikave negative.

Shfaq modesti për punën që bën dhe trego se je e hapur për kontributin e të tjerëve. Edhe kur nuk ke arsye, bëje zemrën gurë dhe falënderoji kritikuesit.

Ndonjëherë, heshtja është përgjigja më e mirë, sidomos kur kritika bie në nivele të papranueshme.

Edhe pse politika për nga natyra është konfrontuese, ku edhe emocionet e zemërimi kanë ndonjëherë funksion të caktuar, çdo parlamentar duhet ta dijë se deri ku mund të shkohet në këtë drejtim. Përçartja në parlament, e ulë dhe zhvlerëson në mënyrë drastike rolin e tij në një shoqëri që synon të jetë demokratike. Këshillat e mësipërme vinë si nga urtësia shqiptare, ashtu dhe nga të tjerë që merren me këto probleme profesionalisht.

Për ata që nuk e dinë, bashkëshorti yt, S. Schwarz, si kur ka qenë anëtar i Parlamentit Gjerman, ashtu dhe jashtë tij, ka kontribuar në shumë çështje për Kosovën, duke përfshirë edhe pavarësinë e saj, madje më tepër se shumë prej anëtarëve të parlamentit tonë të sotëm. Këtu nuk po i përfshij ata që kanë qenë në moshë të re në kohën e përplasjeve të mëdha të Kosovës.

Donikë, e di se në disa pikëpamje, Babi, në moshën kur është vrarë, do të kishte pasur qëndrime më të rrepta, sepse kujtoj se e kam njohur fort mirë, por jam i sigurt se mosha do t’ia kishte zbutur zemrën edhe atij.

I bëra këto këshilla publikisht, shumë prej tyre mbase dhe të panevojshme sepse jam i sigurt se i di, por me shpresë që të mund t’u hyjnë në punë edhe të tjerëve.

Fatkeqësisht, jo të gjithë janë në gjendje dhe as që përpiqen t’i kuptojnë ata që, nga një dorë e fshehtë, u është vrarë babai, vëllai, motra apo ndonjë i afërm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat