Heshtja e gjallë

Opinione

Heshtja e gjallë

Nga: Biser Mehmeti Më: 13 maj 2021 Në ora: 20:36
Biser Mehmeti

Herë rrija ulur këmbëkryq, herë ngrihesha në këmbët që më dridheshin nga një trishtim i egër. Çdo herë e ndjeja veten më të lehtë, sikur pesha e trupit shkrihej ngadalë. “Edhe disa çaste e mund të fluturoj!” i thashë vetes me zë të lumtur e të ndrojtur që mezi e dëgjoja. “Do të fluturoj si një shpend derisa të arrij mbi etër! Atje është një hapësirë e paanë, ku njeriu mund lirisht të çlodhet nga krajatjet e jetës. Po, po! Atje mund të jetoj lirisht! Askush nuk do të më ndal të bëj çka të dua! Nuk do të mund të më ndal askush të klithi e të çirrem si bishë e egër!... Një ditë do të jem i lirë edhe të ulërij derisa të më kalbet gjuha, derisa goja të më mbushet me krimba, derisa vdekja ta hapë gojën e të më gëlltit!... Kur imazhi u këput vazhdova me intensitet të shpejtuar procesin që e kisha lënë në gjysmë e të cilin nuk më kujtohej para sa kohe e kisha filluar...

Ditëve të fundit kisha bindje të madhe sikur jeta ime kishte rrëshqitur nga binarët e kohës reale. Tash e shihja veten nëpër do binarë që më shpinin në një kohë të trilluar. Gjërat që më rrethonin kishin trajtë tjetër, të panjohur për mua. As vetë nuk isha në gjendje të thoshte si ndodhi që papritmas gjërat  rreth jetës dhe kohës sime u rrokullisën nëpër një shteg të rrëpirtë e pastaj u fundosën në një errësirë të frikshme. Më nuk shihja asgjë, sikur dikush të m’i kishte vërbuar të dy sytë. Nuk e dija as kur është ditë, as kur është natë. Ishte krijuar një përzierje e mistershme e gjërave. Orë e çast më ngjante sikur një diell i madh sa toka qëndronte mbi kokën time dhe gjithnjë më shkaktonte një zjarr të brendshëm. Një vetmi e qartur shtrihej në të gjitha anët. Dyshoja se në tërë botën mbizotëronte ajo vetmi e tërbuar. Ajo, si për inat, shpesh ma nxirrte gjuhën e krimbur e pastaj zgërdhihej me mua paturpësisht. Ngado që e hidhja vështrimin ndeshej në një heshtje të mbarsur, një heshtje që merrte  formën e vdekjes e pastaj më ndiqte si një hije e gjallë për të në gëlltitur. Prej lindjes jam orvatur të arratisem nga trajta e saj. Mirëpo, ngado që shkoja shtrihej pushteti i saj. Ishte  një heshtje e egër, me dhëmbë të krimbur. Shpesh, kur dhimbja arrinte kulmin, mbyllesha në vetminë e qartur dhe mallkoja çdo gjë: kohën së cilës i takoja gabimisht, jetën nga e cila nuk mund të arratisesha, hapësirën që ishte mbushur me helm, natyrën që i shëmbëllente një piktureje të vdekur...

Detin e mllefit e derdhja mbi nënën, e cila më kishte lindur gabimisht në një kohë të rebeluar. “Në jetë kam bërë shumë gabime fatale!” mundoja me vetveten, edhe pse e dija se vetvetja nuk mërzitej për asgjë. Dëshiroja ta ngushëlloja shpirtin që ishte gati të pëlciste nga mërzia, të cilën ma kishte sjell heshtja e trashur. Një ditë një njeri kishte zbritur nga mali, atje ku kishte bërë një jetë të shkëputur nga realiteti. Thuhej sa atje kishte shkuar për ta vrarë ujkun e pasi e kishte vrarë ishte kthyer në mënyrë triumfale.  Një ditë kishte hyrë në mes të turmës e pastaj kishte klithur me zë kërcënues: “Do t’ua djeg gjuhën dhe zemrën me zhig! S’dua të dëgjoj asnjë fjalë!” Deshën, s’deshën u pajtuam me vendimin e njeriut që kishte zbritur nga mali. I zgjatën duart dhe e përqafuam heshtjen e përjetshme. Njeriu që ishte shoqëruar tërë kohën me arinj e ujq, një ditë tjetër i ishte tekur e pastaj kishte klithur e ishte çjerrë me zë të lartë: “Unë duhet të flas e ju duhet të më dëgjoni!” Ata që e vështronin vengër i fyente pa mëshirë, ua shante nënën shtatë e më shumë herë, pastaj motrat ua shkërdhente, i quante “muta të kalbur” që i frikësohen ujkut... Ata që s’u pajtuan me të ishin mbyllur  në guacën e heshtjes së kobshme. Askush nuk dëshironte të mbeste pa gjuhë e ndoshta edhe pa zemër...

”Edhe sot jam thelluar në botën e heshtjes, të një heshtjeje të përjetshme, e cila më hanë për së gjalli si të ishte një krimb i varrit...” Me kalimin e kohës ndjeva se heshtja ngadalë po më mbyste, po më shndërronte në një qenie amorfe, në një qenie që ka gojë, po që ajo i shërben vetëm për të ngrënë!... Dhe një ditë apo një natë një mik imi nuk mundi ta përballonte pushtetin e egër të heshtjes. Ngadalë i këputi fijet e durimit të rrejshëm. Me duart e mërdhira e rrëmbeu një kazmë të vjetër e pastaj me të e theu heshtjen e stërtrashur. Me njëqind sakrifica i riktheu në jetë organet e ndryshkura të të folurit. Me një zë të thekshëm bërtiti: O njerëz të çmendur! Dilni nga vorbulla e heshtjes mortare, sepse edhe ashtu jeni të vdekur! Mos lejoni që heshtja t’ua kalb trupin... Të nesërmen  pa aguar mirë mëngjesi në fushën ku gjendeshin varrezat gdhiu një varr i ri. Prej asaj dite të kobshme edhe gurët zunë t’i nënshtrohen ligjit të pashkruar të heshtjes, madje edhe zogjtë nuk guxonin të cicëronin lirshëm...

Disa çaste kam qëndruar këmbëkryq, i ulur në një skaj të dhomës së errët, në atë dhomë ku heshtja të hante për së gjalli. Ëndërroja së shpejti të shkëputesha nga ajo heshtje e mallkuar, e cila ma kishte ngrënë një pjesë të madhe të zemrës. Shpesh ajo më dukej sikur ishte shndërruar në një guri të rëndomtë, i cili pastaj kishte pëlcitur. Nuk kishte mundur t’u duronte fyerjet, njollosjet, etiketime, shantazhet... Pendimi për çdo gjë zuri të më ngulfaste. Ai kishte marrë trajtën e një shpate të mprehtë e pastaj ma rjepte lëkurën e trupit të dërrmuar duke më hedhur ujë të ftohtë. Një ditë do të m’i prente edhe gjymtyrët kryesore të trupit. Shpirti im po pëlciste nga inati, nga mllefi dhe nga trishtimi. Çdo veprim ishte vetëm sfilitje e vetvetes, sepse heshtja m’i kishte paralizuar të gjitha organet e brendshme. Çdo gjë, madje edhe kohën e kishte mbërthyer pluhuri i ndryshkur i heshtjes. Nuk më kishte mbetur tjetër përveç që të vajtoja për fatkeqësinë e jetës, e cila m’i kishte vërbuar sytë e mendjes. Një zë i brendshëm më tha: do të qaj derisa të mbulohem nga lotët e mi!... Çdo gjë më dukej e tepërt. Edhe vetvetja më dukej e tepërt. Dëshiroja të arratisesha nga koha, nga jeta dhe nga çdo gjë tjetër. Mirëpo, të gjitha rrugët ishin të mbyllura me gurët e varreve. Heshtja e tërbuar m’i kishte zgurdulluar sytë e verbër. Ajo gjithnjë ishte zgërdhirë me jetën time. Zëri i saj sikur më thoshte: patjetër iu nënshtrove pushtetit tim! Ta shajta nënën, motrën, pastaj të njollosa sa deshta, ta nxiva fytyrën kudo që shkove!... Sot nuk ke fytyrë të dalësh jashtë katër mureve, sepse njerëzit të pështyjnë në fytyrë!... Ha-ha! …Tingujt e rrëmbyeshëm që dilnin nga imazhi ma shponin zemrën si të ishin gozhda të mëdha. Më kaploi frika se së shpejti do të vdisja e pasi  të varrosesha heshtja do të vinte dhe do të kënaqej duke u pëshurrë mbi varrin tim!... Ha-ha! As të vdekur nuk do të të lë të qetë! më thoshte ajo me zë të zgjatur. Dëshiroja të dilja nga lëkura, por ajo ishte bërë shumë e ngushtë. Brenda lëkurës ishte bërë e pamundur të jetohej. Aty bënte vapë e madhe, pastaj menjëherë bënte acar i madh. Trupi im herë ngrihej e herë shkrihej. Pas çdo procesi kisha tjetër formë, tjera dimensione. Jeta ime i nënshtrohej procesit të metamorfozës. Vetëm heshtja ishte e njëtrajtshme. Ajo shtrihej në të gjitha anët. “Çdo gjë në botë e ka fundin, i thosha vetvetes me zë të dëshpëruar, vetëm kjo heshtje e mallkuar nuk ka fund! Fundi i saj një Zot e di pse mungon...

Edhe disa çaste vazhdova të ulem këmbëkryq e të ngrihem në këmbë. Pas një kohe  të papërcaktuar një mjegull e zezë si futa m’i hapi qepallat e pastaj me dhunë më hyri brenda...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat