Masakra e Tivarit

Opinione

Masakra e Tivarit

Nga: Xhelal Zejneli Më: 17 maj 2021 Në ora: 09:44
Xhelal Zejneli

Gjatë kolonizimit të Kosovës në vitet ’30 të shekullit XX, pushteti i Mbretërisë Jugosllave, tokat e shqiptarëve të zonës së Gjakovës dhe të Pejës i zaptonte dhe ua ndante kolonëve malazezë. Në vitin 1941 Fuqitë e Boshtit e pushtuan Jugosllavinë. Një numër i malazezëve u kthyen apo u larguan për në Mal të Zi. Një pjesë e tyre ishin strehuar edhe në Tivar. Lëvizja Nacionalçlirimtare e Kosovës, në fillim të janarit të vitit 1944, në Konferencën e Bujanit (31.12.1943 - 02.01.1944) mori vendim për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Komunistët jugosllavë këtë vendim nuk e njohën. Kah fundi i dhjetorit të vitit 1944 shpërtheu kryengritja e shqiptarëve në Kosovë kundër pushtetit të Jugosllavisë së re. Kryengritja udhëhiqej prej komiteteve nacionaliste dhe ballistëve që kishin ndikim të madh në popull.

* * *

Një prej aktorëve të kryengritejes shqiptare në Kosovë kundër pushtuesve serbë qe Shaban Polluzha (1871-1945). Ishte komandant i forcave popullore në Kosovë, mbrojës i vendosur i popullit shqiptar. Përkrahës i luftës së popullit shqiptar për çlirim dhe bashkim kombëtar. U angazhua për çlirimin e Kosovës nga gjermanët dhe ndihmoi në mobilizimin e të rinjve në rreshtat partizane. Në fillim të vitit 1943, si komandant batalioni i forcave nacionaliste, kryente veprime vetëmbrojtëse në pjesën perëndimore të Kosovës kundër forcave terroriste serbo-çetnike. Në vitet 1944-1945, në krye të forcave popullore u angazhua për zbatimin e Rezolutës së Konferencës së Bujanit dhe për shmangien e dhunës dhe të gjenocidit ndaj popullsisë civile shqiptare, të ndërmarrë nga forcat ushtarake serbe, malazeze dhe sllavo-maqedonase, me pretekstin e çarmatimit masiv dhe të luftës kundër bashkëpunëtorëve të fashizmit. Me krijimin e Brigadës VII kosovare, formacionet e komanduara nga Shaban Polluzha, që përbënin Brigadën e Drenicës u rreshtuan në këtë njësi dhe ai u caktua zëvendëskomandant. Në janar të vitit 1945 pranoi që brigada të nisej për në frontin e Sremit, në veri të Jugosllavisë. Me largimin nga Kosova të njësive të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë dhe të Brigadës VII filluan represaliet dhe masakrat. Për ta mbrojtur popullsinë civile, Shaban Polluzha me grupin e forcave që komandonte u drejtua për në Drenicë. Ndonëse Komanda e Përgjithshme Jugosllave më 8 shkurt të vitit 1945 vendosi në Kosovë pushtetin ushtarak, Shaban Polluzha organizoi dhe vazhdoi luftën vetëmbrojtëse. Pas luftimesh të përgjakshme, më 21 shkurt 1945 u vra nga forcat ushtarake serbo-malazeze.

* * *

Masakra e Tivarit ka ndodhur më 24-27 mars 1945 në Tivar (Mali i Zi). Në shënjestër kanë qenë rekrutët e kombësisë shqiptare nga Kosova. Vrasja është kryer me armë zjarri. Sipas vlerësimeve zyrtare jugosllave në masakrën e Tivarit u vranë 400 deri 450 vetë, ndërsa sipas vlerësimit të historianëve shqiptarë, bëhet fjalë për 2000 deri 4000 të vrarë. Ka të dhëna sipas të cilave numri i të vrarëve është mbi 4300. Vrasja është kryer me pushkatim masiv apo pogrom (sulm i organizuar ndaj popullsisë së paarmatosur). Krimi është kryer nga Armata Jugosllave, nga Brigada X malazeze, nga Divizioni i 46 serb dhe nga civilët serbë e malazezë në Tivar. Numri i saktë i kryerësve të krimit nuk dihet saktë, por duhet të kenë qenë me qindra.

* * *

Masakër e Tivarit është quajtur vrasja masive e një numri të madh të shqiptarëve të Kosovës në Tivar, e kryer nga njësitë e Brigadës X malazeze të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë (UNÇJ) në pranverë të viti 1945, në prag të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Viktima kanë qenë kryesisht shqiptarët e Kosovës të cilit i kishte rekrutuar UNÇJ-ja, për t’i shfrytëzuar në luftën kundër forcave gjermane dhe forcave të tjera të boshtit të cilat në atë kohë kanë qenë duke u tërhequr nga Ballkani.

Prej Prizreni, shqiptarët janë shoqëruar për në Tivar, në tre grupe të ndryshme. Pothuajse të gjithë pjesëtarët e grupit të dytë, të cilët nëpër Shqipëri kanë mbërritur në Tivar, janë vrarë prej rojeve malazezë.

* * *

Mobilizimi – Për të vendosur rend në Kosovë apo për ta mbajtur Kosovën nën pushtim, pushtetet serbo-malazeze ndërmorën masa të caktuara. Një prej tyre ishte edhe mobilizimi i shqiptarëve në Armatën Jugosllave. Në këtë mënyrë, të rinjtë e mobilizuar do të tërhiqeshin nga vatra e kryengritjes. Njëherazi, ata do të shfrytëzoheshin edhe në operacionet për çlirimin e Jugosllavisë. Në janar të vitit 1945, Komanda jugosllave lëshoi urdhër për mobilizimin e shqiptarëve të Kosovës, prej moshës 16 deri në 65 vjeç. Ka burime që thonë se duhej të mobilizoheshin njerëz të moshës 18 deri 45 vjeç. Mirëpo, partizanët shqiptarë dëshironin të luftojnë në kuadër të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë dhe jo të Jugosllavisë.

Për t’iu shmangur mobilizimit në ushtrinë jugosllave, në mars të vitit 1945, mijëra shqiptarë ishin strehuar nëpër male. Më 11 mars 1945, shpërthyen në Gjakovë demonstratat e grave kundër mobilizimeve të dhunshme të bijve, të vëllezërve dhe të burrave. Partizanët jugosllavë, në bashkëpunim me njësitë partizane shqiptare grumbulluan një numër të konsiderueshëm rekrutësh nga Mitrovica, Prizreni, Vuçitërni (Vushtria), Podujeva dhe Prishtina. Sipas disa burimeve, bëhet fjalë për rreth 5.400 vetë.

Shqiptarët, prej qendrave komunale u tubuan në Prizren, me qëllim që të nisen për në veri të Jugosllavisë për të marrë pjesë në luftimet përfundimtare. I çarmatosën duke u thënë se armët do t’u jepen në Kroaci dhe në Slloveni. Pas kësaj, shqiptarët e çarmatosur i morën rojtarët e armatosur serbë dhe malazezë, të cilët i ndanë në tre grupe apo në tre kolona të ndryshme. I urdhëruan që të marshojnë për në Tivar. Pushtetet jugosllave synonin t’i shfrytëzonin si plotësim të Armatës IV , e cila luftonte në Trieste.

Një numër i konsiderueshëm i të mobilizuarve kishin marrë pjesë në kryengritjen në Kosovë kundër pushtetit serbo-malazez. Disa prej tyre kishin përhapur fjalë se pasi të hipnin nëpër anije do t’i mbytnin në det.

* * *

Deri në Tivar, shqiptarët e Kosovës janë shoqëruar në këmbë, nëpër kurorat malore të Kosovës, të Shqipërisë veriore dhe të Malit të Zi, në vijën Prizren-Kukës-Shkodër-Tivar, ku duhet t’i priste anija për në Dalmaci, për t’i dërguar në front. Pas disa ditë ecjeje në këmbë, kolona e parë prej rreth 2500 apo 3700 vetëve, mbërrin në Tivar. Që aty, është dërguar në Istrie.

e dytë prej rreth 2472 apo 4700 vetëve ka marshuar nëpër rrugën Prizren-Zhur-Kukës-Pukë-Shkodër. Njësitë partizane nga Vranja dhe nga Piroti i kanë shoqëruar shqiptarët deri në Shkodër. Përkundër lodhjes së madhe dhe rraskapitjes nga rruga e gjatë, marshi është sforcuar gjithnjë e më tepër. Gjatë marshit regrutët i kanë keqtrajtuar, ndërsa të sëmurët i kanë lënë të vdesin. Sipas burimeve shqiptare, gjatë rrugës, shumë shqiptarë i kanë rrahur dhe i kanë vrarë. Ka pasur raste kur ndonjërin prej tyre e kanë rrahur apo edhe e kanë vrarë, vetëm se ka dashur apo ka tentuar të shuajë etjen.

Burimet malazeze thonë se për shkak të agjitacionit armiqësor, gjatë tërë rrugës kanë ndodhur “incidente të shumta”. Gjatë udhëtimit përtej Drinit, shqiptarët e mobilizuar kanë hedhur disa shoqërues në ujë. Sipas burimeve të njëjta, kjo qenkësh përsëritur edhe gjatë kalimit përtej Bunës, por krejt kjo paskësh kaluar pa pasoja të rënda. Në Shkodër, shqiptarët i janë dorëzuar Brigadës X malazeze, e cila ka pasur për detyrë t’i shoqërojë deri në Tivar. Gjatë këtij takimi, shqiptarët që kanë qenë me plisa të bardhë, malazeztë i kanë cilësuar si ballistë. Është formuar një kolonë prej 12 grupeve. Pranë kolonës, në një distancë të caktuar, janë caktuar luftëtarë të Brigadës X. Sipas dëshmive të caktuara, më 31 mars, në afërsi të Ulqinit të sëmurët dhe të plagosurit i kanë ndarë, me arsyetimin se i çojnë për mjekim në spitale në Mal të Zi. Pas kësaj, për fatin e tyre s’dihet asgjë.

* * *

Incidenti – Për të mbërritur në Tivar, shqiptarët e mobilizuar kanë ecur disa kilometra nëpër fushën e Tivarit. Kolona mbërrin në qytet më 1 prill 1945. Njerëzit kanë qenë tepër të lodhur dhe të rraskapitur. Sipas burimeve sllave, paskësh ndodhur një incident që paskësh qenë prelud i kasaphanës që ka pasuar. Sipas një versioni sllav, diku në fushë një i ri shqiptar e paskësh vrarë një ushtar malazez i cili nuk e paska lënë të pijë ujë e të shuajë etjen. Pas kësaj, të riun, bashkë me dy të tjerë i kanë masakruar. Sipas një versioni tjetër sllav, një prej shqiptarëve e paskësh rrëmbyer pushkën e shoqëruesit malazez dhe e paskësh vrarë. Pas kësaj, shqiptari qenkësh larguar dhe qenkësh përzier me të tjerët. Më vonë është vrarë një i ri shqiptar i cili paskësh tentuar t’ia marrë pistoletën një oficeri. Incidenti paska shkaktuar zemërimin e malazezëve dhe gatishmërinë e tyre për hakmarrje. Ata kanë zënë pozicione përgjatë rrugës nëpër të cilën ka ecur kolona si dhe përreth ndërtesës në Tivar, ku është dashur të vendoseshin të rinjtë shqiptarë.

* * *

Masakra – Shqiptarët e mobilizuar u mbyllën në një ndërtesë të madhe që quhej “Monopoli i duhanit” me një sipërfaqe prej rreth 300 m2 , me një oborr të rrethuar me mure të larta. Partizanët malazias kanë pasur ndaj të mobilizuarve shqiptarë qëndrim tejet armiqësor. Një prej oficerëve i paska pritur me fjalët: “Jua qafsha nënën, ju do të luftoni kundër partizanëve”. Atëherë patrulla paskësh veçuar 16 të dyshuar për vrasjen e shoqëruesit malazez dhe i ka marrë me vete. Sipas versionit malazez, masa ka filluar të protestojë, ndërsa dikush paska hedhur në drejtim të rojtarëve një bombë të kontrabanduar. Pas kësaj qenkësh dëgjuar thirrja: ”Rebelimi i shqiptarëve!” Rojet së pari paskan qitur në qiell, e kur turma është përfshirë nga paniku, kanë gjuajtur edhe mbi njerëz. Kur shqiptarët në kolonë i paskan dëgjuar krismat, paskan filluar të arratisen dhe të fshihen në pyje. Pas kësaj ka pasuar ndjekja e tyre dhe ekzekutimi i menjëhershëm.

“Në kodrën mu te hyrja e rrethit të Stacionit të duhanit ishte vendosur një mitraloz. Ai sakaq filloi të qëllojë drejt turmës së dendur, e cila në panik ka filluar të ikë kah sytë këmbët. Me të dëgjuar thirrjen “Rebelim”, është vënë në veprim çeta e Komandës vendore si dhe të gjithë qytetarët që kanë pasur armë. Shqiptarët e mobilizuar, kush si ka mundur, kanë filluar të largohen kah veriu, nëpër kodra. Një batalion i Brigadës X ka qenë në Tivarin e Vjetër. E njoftuar për rebelimin, batalioni ka dalë para masës, në rreshtin e pushkatimit. Kjo ishte një skenë e tmerrshme. Afro 400 vetë u vranë, ndërsa qindra të tjerë u plagosën”. (Boshko Gjuriçkoviq, komisar politik i Grupit operativ bregdetar).

* * *

Sipas versionit shqiptar, sapo janë sjellë regrutët në ndërtesën e Monopolit, malazeztë i kanë drejtuar mitralozat në drejtim të tyre dhe kanë hapur zjarr. rreth orës 14 janë sulmuar nga të katër anët me të gjitha llojet e armëve – me automatikë, me mitraloza, me bomba dore, me pistoleta etj. Njëherazi, është hapur zjarr edhe mbi të rinjtë shqiptarë që kanë ndodhur në oborrin e “Monopolit”. Një prej të mbijetuarve, Azem Hajdini, dëshmon se në ndërtesë ka pasur rreth 1000 vetë, brenda oborrit rreth 2200 deri në 2500 vetë, ndërsa disa të tjerë kanë qenë në rrugën para oborrit. Në hapësirën e oborrit është krijuar një lum gjaku, ndërsa ndërtesa është shkatërruar, me trupat e qindra të rinjve brenda saj. Sipas dëshmive të të mbijetuarve, masakra ka qenë e përgatitur. Paraprakisht kanë qenë të hapura edhe gropat.

malazez që e ka parë skenën e përgjakshme, dëshmon: “Kaloja urën, gjaku arrinte deri te leqet e këmbëve”.

Në atë kohë në Tivar ndodheshin Brigada X malazeze, rreth 100 luftëtarë të Komandës vendore, pjesë të Mbrojtjes popullore, një pjesë e odës së Brigadës së Bokelit dhe masa e madhe e të plagosurve të armatosur, e refugjatëve dhe e vendësve. Në masakrën e Tivarit kanë marrë pjesë edhe pjesë të Divizionit të 46 të partizanëve serbë, të përbërë prej qytetarëve të Vranjës dhe të Pirotit. Përpos partizanëve, ka pasur edhe vendës të cilët me të madhe kanë marrë pjesë në masakër. Në vrasje kanë marrë pjesë edhe kolonët serbë dhe malazezë të cilët, pas luftës së prillit 1941, qenkëshin larguar nga Kosova. Sipas disa burimeve, paskësh pasur vendës të cilët të rinjtë shqiptarë i paskëshin fshehur nëpër shtëpi apo në mullarë kashte. Trupat e shqiptarëve të vrarë janë hedhur nëpër gropa, në det, janë djegur apo janë varrosur në varre masive, pesë kilometra larg Tivarit të Vjetër. Shqiptarët e mbijetuar që kanë mundur t’i zënë, i paskan dërguar në front.

* * *

Numri i viktimave – Kurrë nuk është përcaktuar saktë sesa shqiptarë janë vrarë atë ditë. Numri i të vrarëve përcaktohet varësisht nga burimi i informatave. Sipas kronikëve zyrtarë të partizanëve, flitet për një numër prej 400 deri në 450 të vrarë, ndërsa sipas historianëve shqiptarë ka të vrarë 1500 deri 2000 vetë. Ka edhe vlerësime që thonë se në Tivar janë vrarë 4300 shqiptarë.

* * *

Një ditë pas masakrës është ndërruar dhe është degraduar i tërë shtabi komandues, me në krye Gasha Markoviqin, por askush nuk është dënuar. Madje komisari politik i Grupit operativ bregdetar, Boshko Gjuriçkoviqi, në njëfarë mënyre i ka arsyetuar njësitë e veta: “Ushtarët tanë kanë qenë të provokuar në mënyrën më mizore dhe më jonjerëzore, ndaj edhe është shkaktuar kjo tragjedi....”

disa burimeve jugosllave, kjo ngjarje e paskësh njollosur lëvizjen partizane si dhe Tivarin, për arsye se paskësh mbetur në kujtesë si ekzekutimi më i madh në ato hapësira. Në RSFJ kjo ka qenë temë e paprekshme për të cilën nuk është folur me dekada. Të dhënat serbo-malazeze për masakrën e Tivarit ose janë asgjësuar, ose janë shtrembëruar. Dokumentet eventuale me të dhëna objektive Beogradi i ruan si dokumente konfidenciale, si sekret shtetëror apo tepër rezervat.

* * *

- Masakra e Tivarit është një nga më të mëdhatë në fund të Luftës II Botërore. Viktimat ishin të moshave 18 deri në 45 vjeç. I mobilizuan në rajone të ndryshme të Kosovës dhe i nisën për në Tivar, me qëllim që t’i transportonin më pas me anije në territoret në veri të Jugosllavisë, nën pretekstin e ndjekjes së trupave gjermane. Qysh në janar 1945, me urdhër të Shtabit Suprem të UNÇ të Jugosllavisë, në drejtim të veriut të Jugosllavisë ishin dërguar Brigadat VI, VII dhe VIII kosovare dhe Brigada IV (VII) e shqiptarëve të mobilizuar në rajonet e Maqedonisë, me një efektiv prej 14.000 luftëtarësh. Më 20 mars 1945 Shtabi Suprem i UNÇJ urdhëroi Komandën Ushtarake dhe Shtabin Operativ të Kosovës për mobilizimin ushtarak të të rinjve nga ajo trevë, të cilët do të shërbenin për të plotësuar radhët e Armatës IV jugosllave. Të rinjtë e mobilizuar në Kosovë marshuan në drejtim të portit të Tivarit, në këmbë dhe të ndarë në kolona. Rruga që ata përshkuan filloi nga pikat e mobilizimit e deri në Prizren, që ishte dhe vendi i grumbullimit. Rruga vijoi në drejtim të Kukësit, Pukës, Shkodrës dhe Tivarit. Ata i ndanë në tri kolona me rreth 2500 vetë secila. Për shoqërimin e tyre u ngarkuan repartet e Divizionit të 46 serb. Më 24 mars 1945, nga Prizreni u nis kolona e parë me 2394 vetë, e cila arriti në Tivar në fund të muajit, ku iu dorëzuan reparteve të Divizionit IX jugosllav. Kolona e dytë me 2382 vetë u nis nga Prizreni më 26 mars dhe në Tivar iu dorëzua reparteve të Brigadës X malazeze. Më 27 mars u nis kolona e tretë me 2700 vetë dhe për shoqërimin e saj u ngarkuan reparte më të mëdha të Brigadës XXVII të Divizionit të 46 serb. Nga Kosova, për të plotësuar radhët e Armatës IV jugosllave vetëm gjatë muajit mars të vitit 1945 u dërguan 7476 luftëtarë. Të rinjtë shqiptarë duhej të përballonin vështirësitë e rrugës së gjatë e të mundimshme, mungesën e ushqimeve dhe të kushteve higjienike më themelore. Mbi të gjitha, provokimet e vazhdueshme të rojeve të armatosura serbe. Ata, duke u trajtuar si armiq potencialë, sepse kishin dalë nga radhët e të ashtuquajturve të dyshimtë, ishin të detyruar të marshonin në këmbë dhe në kolonë për katër, të çarmatosur dhe nën mbikëqyrjen e rreptë të patrullave ushtarake. Kushdo që dilte nga kolona për nevoja personale, ekzekutohej. Banorët e Kukësit, të Pukës dhe të Shkodrës u bënë dëshmitarë të trajtimit mizor të të rinjve shqiptarë nga rojet ushtarake serbe. Jehonë të hidhur bënë vrasjet e ushtarëve shqiptarë të kryera në urën e Bunës. Në situatë tejet të rëndë u ndodh kolona e të rinjve kosovarë me rreth 2300 vetë, që arriti në Tivar më 1 prill 1945. Në oborrin e ndërtesës së monopolit të duhanit të rinjtë shqiptarë u bënë pre e provokimeve të rojeve të armatosura serbe. Pas largimit të elementëve sllavë, kolona u gjend nën breshërinë e llojeve të ndryshme të armëve të reparteve jugosllave, që qëllonin nga të katër anët. trupat e pajetë të vrarëve dhe të të plagosurve u hodhën në karroca dhe u varrosën në gropa të përbashkëta. Për numrin e të rinjve shqiptarë të masakruar në Tivar më 1 prill 1945 janë dhënë shifra të ndryshme. Sipas autoriteteve jugosllave, numri i të vrarëve ka qenë 300 vetë, por studiues që janë marrë me këtë ngjarje thonë se bëhet fjalë për 1670 të rinj shqiptarë. Pavarësisht nga këto ngjarje, mobilizimi i të rinjve shqiptarë dhe largimi i tyre nga Kosova vazhdoi edhe më pas.

* * *

Varri masiv i viktimave të masakrës së Tivarit u zbulua pas më se gjysmë shekulli. E zbuloi më 17 shtator 1996 historiani Zekeria Cana (1934-2009).

Tragjedia e Tivarit zuri vend edhe në kulturën e popullarizuar. Në vitin 1996 regjisori Ekrem Kryeziu (1943-), në produksion të Radiotelevizioni të Shqipërisë xhiroi Tv-filmin “Viktimat e Tivarit” kushtuar masakrës.

* * *

Në prag të mbarimit të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe menjëherë pas përfundimit të sa, serbët, malazeztë dhe sllavo-maqedonasit kryen krime ndaj shqiptarëve. Për arsye të caktuara, përmasat e krimeve nuk janë studiuar sa duhet nga studiuesit shqiptarë.

- Në kohën e kryerjes së krimeve, shqiptarët nuk kishin kapacitet të mjaftueshëm për t’i hulumtuar ato;

- Kryerësit e krimeve ndaj shqiptarëve i kryenin krimet, pa lënë gjurmë;

- Gjatë regjimit komunist, arkivat e Beogradit ishin të paarritshme për studiuesit shqiptarë.

Krimet e asaj kohe ndaj shqiptarëve, janë mbartur si legjenda, brez pas brezit. Në kohën e regjimit komunist, për tragjedinë e Tivarit, s’ke mundur të flasësh publikisht dhe në nivel akademik. Si rrjedhojë, qytetaria shqiptare nuk ka qenë e njoftuar sa duhet. Me kalimin e moteve, tragjedia dita ditës është zbehur, për të mbetur si një legjendë, në kujtesën e njerëzve. Regjimi serbosllav nuk lejoi që masakra e Tivarit të shënohet në histori dhe të mësohet nga historia. Përkundër vështirësive me të cilat u ballafaquan, disa historianë dhe studiues shqiptarë, me kërkime të pareshtura arritën disi ta zbardhin këtë ferr.

fundi i vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945 krime ndaj shqiptarëve janë kryer edhe në qytet shqiptare në Maqedoni. Kryerës të krimeve kanë qenë komunistët dhe partizanët sllavo-maqedonas, të mbështetur nga Beogradi. Krimet janë kryer sidomos në Kërçovë, në Gostivar, në Tetovë, në Kumanovë dhe gjetkë. Shqiptarët janë cilësuar si ballistë, bashkëpunëtorë të italianëve apo të gjermanëve, si ushtarë apo si mbështetës të ballistit Xhemë Hasës (Simnicë, Gostivar, 1908 – 06.05.1945), si antijugosllavë, si nacionalistë që kanë vepruar për bashkim me Shqipërinë. Në atë kohë, shumë shqiptarë janë mbyllur në Monopolin e duhanit në Tetovë. Gjurmët e krimeve ndaj shqiptarëve në Maqedoni, kryerësit e krimeve i kanë asgjësuar. Ndonjë dokument eventual me përmbajtje për krimet e kryera është klasifikuar si konfidencial. Kur strukturat shtetërore kryejnë krime mbi një popull, rëndom nuk lënë dëshmi të shkruara. Që atëherë e këndej, nga boshti antishqiptar i krimit Shkup-Beograd-Titograd (Podgoricë), mbi shqiptarët në Maqedoni është kryer gjenocid.

* * *

Tragjedia e Tivarit paraqet gjenocid ndaj shqiptarëve. Për krimet e asaj kohe ndaj shqiptarëve hulumtimet nuk duhet të pushojnë. Për krimet e asaj kohe duhet të organizohen konferenca shkencore. Për ta njohur historinë, krimi serbo-malazez duhet të zërë vend në histori, në historinë e kombit shqiptar. Krimet kundër njerëzimit nuk vjetrohen kurrë. Midis kryerësit të krimit dhe viktimës nuk mund të ketë pajtim derisa aktori i tmerreve të mos e pranojë fajin dhe të mbajë përgjegjësi për mizoritë e kryera.

botën shqiptare tragjedia e Tivarit duhet të shënohet çdo vit. Çdo vit, 1 prilli duhet të shënohet si ditë e kujtimit të masakrës së Tivarit. Për viktimat e masakrës së Tivarit duhet të ngrihet një monument në Prizren apo gjetkë, në hapësirat shqiptare. Përvjetori i kasaphanës së Tivarit duhet të shënohet me ceremoni shtetërore. Për gjakderdhjen e kryer, Serbia dhe Mali i Zi duhet të paditen në gjykatën ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit.

* * *

tërë shekullit XX Serbia ka kryer masakra ndaj shqiptarëve. Sidomos në vitet 1998-1999. Masakra e Tivarit të kujton gjenocidin serb në Srebrenicë. Të pandëshkuar, serbët vazhdimisht i përsërisin krimet kundër njerëzimit. Srebrenica ndodhej në zonën e Bosnjës lindore të mbrojtur nga 300 trupa holandeze që vepronin në kuadër të OKB-s. Largimi i trupave holandeze nga kjo “zonë e mbrojtur”, ua çeli rrugën trupave serbe, për të hyrë në të. Në javën e parë të korrikut, përkatësisht më 11 korrik të vitit 1995 forcat serbe, të komanduara nga gjenerali serb Ratko Mlladiq (1943-) dhe të orkestruara nga kryetari i Republikës Serbe, Radovan Karaxhiq (1945-), morën kontrollin e kësaj “zone të mbrojtur” dhe masakruan rreth tetë mijë djem e burra myslimanë.

Gjenocidi në Srebrenicë është simbol i indiferencës dhe i qëndrimit injorues të vendeve të Perëndimit. Gjenocidi në Bosnjë ndodhi paralelisht me gjenocidin në Ruandë, ku u vranë rreth një milion njerëz, të cilin bashkësia ndërkombëtare po ashtu e injoroi. Srebrenica shkaktoi dilema morale serioze në botë. Pas këtij krimi, Administrata amerikane e përshpejtoi strategjinë përfundimtare e cila liderët e Ballkanit – Franjo Tugjmanin, Alija Izetbegoviqin dhe Sllobodan Millosheviqin i çoi në Dejton* (Dayton).

Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë me seli në Hagë, Bosnja dhe Hercegovina paraqiti padi kundër Serbisë për agresion dhe gjenocid. Për shkak të marrëveshjes midis kryeprokurores së OKB-së për krime lufte, juristes zvicerane Karla del Ponte (Carla del Ponte, 1947-) dhe Beogradit, dokumentet më të rëndësishme që kishin të bënin me rolin e Serbisë në gjakderdhjen e BH-së, nuk qenë në dispozicion të GJND-së. Për shkak “të mungesës së provave”, me aktgjykimin që nxori GjND-ja, Serbia amnistohej nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë për gjenocidin, por u konsiderua përgjegjëse se nuk e kishte parandaluar gjenocidin. vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me seli në Hagë, masakrën e Srebrenicës e cilësoi si akt gjenocidi. Të gjithë e dinë se involvimi i Serbisë në gjakderdhjen e BH-së ka qenë i padiskutueshëm. Ndërkohë, Parlamenti Evropian miratoi një Deklaratë sipas të cilës detyroheshin të gjitha vendet e Evropës që 11 korrikun ta shënojnë si Ditë kujtimi të krimeve në Srebrenicë.

: Marrëveshja e paqes e Dejtonit (Dayton Agreement) u arrit në bazën ushtarake të forcave ajrore Rajt-Paterson, në afërsi të Dejtonit, në shtetin amerikan Ohajo. Konferenca zgjati prej 1 deri më 21 nëntor 1995. Pjesëmarrës qenë kryetari i Kroacisë Franjo Tugjman (1922-1999), kryetari i BH-së Alija Izetbegoviq (1925-2003) dhe kryetari i Serbisë Sllobodan Millosheviq (1941-2006). Bisedimet i udhëhoqi sekretari amerikan i shtetit Uoren M. Kristofer (Warren Minor Christopher (1925-2011). Negocues ishte diplomati amerikan Riçard Holbruk (Richard Holbrooke, 1941-2010). I pranishëm qe edhe gjenerali amerikan Uesli Klark (Wesley Clark, 1944-). Zyrtarisht marrëveshja u nënshkrua në Paris më 14 dhjetor 1995. Përpos tre liderëve ballkanikë, të pranishëm ishin edhe presidenti i ShBA-së Bill Klinton (Bill Clinton, 1946-), presidenti i Francës Zhak Shirak (Jacques Chirac, 1932-2019), kancelari gjerman Helmut Kol (Helmut Hohl, 1930-2017), kryeministri britanik Xhon Mejxhër (John Major, 1943-), kryeministri spanjoll Felipe Gonzales (Felipe Gonzáles, 1942-) dhe kryeministri i Rusisë Viktor Çernomirdin (1938-2010). Sipas kësaj marrëveshjeje, BH-ja u bë shtet me dy entitete: Federata Myslimano-Kroate me 51 për qind të territorit dhe Republika Serbe me 49 për qind të territorit.

Xhelal Zejneli

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat