Jemi “Republikë banane”?

Opinione

Jemi “Republikë banane”?

Nga: Fadil Lepaja Më: 26 maj 2021 Në ora: 20:05
Fadil Lepaja

Nuk jemi! Edhe pse te ne mund të dalin edhe dëshmitarë se toka është e rrafshët, le të dali vetëm një dhe le të dëshmojë se në këto troje e dëgjoi kërkesën shqiptare për “republikë banane”! Edhe me pagesë, nuk gjen dëshmitarë të tillë. As në vitin 1968, as në demonstratat e vitit 1981, e as në vitet e nëntëdhjeta. Çfarë bananesh, veç republikë! “Kosova republikë”. “Republikë, kushtetutë, ja me hatër...”! Hiq bre, askund dhe askush nuk ka kërkuar republikë banane. Demokraci, po! Pavarësi , po! Republikë, po! Bananet nuk i ka përmendur askush, vëlla!

Nëse dikush e quan të tillë, ata/ato,ose nuk e kuptojnë termin, ose nuk e kuptojnë Kosovën. Serbia na quajti për herë të parë “Republikë banane” dhe u desh shpejt e shpejt të shfletojmë literaturë për të kuptuar se çfarë po na shanë, ajo. Në rregull, në rrjet ka edhe shkrime nga intelektual shqiptarë me dilemën e shprehur, nëse Shqipëria apo Kosova, janë republika banane. Nuk janë, o njeri! Janë veç republika, ndoshta shumë të lodhëta, që luhaten në mes demokracisë dhe autoritarizmit të liderëve të tyre, por republika janë. Republikës nuk i shikohen dhëmbët. Edhe bananet i kemi nga importi, se nuk rriten te ne. Nuk i bënë klima. Republikën, po, e bënë klima!

Pastaj, ishte rren. Nuk ishte kontejner me banane si raportuan disa media. Kokaina e sekuestruar në aksionin e fuqishëm, në Lipjan, supozohet të jetë vendosur në vendin më të sigurt në Kosovë, në “dhomën e dëshmive”. Bananet jo. Nuk kishte banane. Harrojeni të kaluarën kur dëshmitë dhe dëshmitarët ishin pika e dobët e policisë, prokurorisë dhe gjyqësisë kosovare. Tash është ndryshe, dhomë të dëshmive ka, por bananet edhe po të ishin pjesë e këtij rrëfimi, nuk do të arrinin atje, se i hanë rrugës. Nejse...

Ndoshta edhe nuk janë vendosur aty, as kokaina e as bananet, por këndej e tutje kjo nuk është çështje që i intereson publikut. Me këto te ne nuk merren qytetarët. Qytetarët u gëzuan kur e panë se ...”megjithatë” diçka po lëvizë. Vet aksioni, ngjante me një fushatë të fuqishme antikrim. Merrni me mend, gjithë ai njeri i përfshirë ë operacionin e fshehtë e çile guri gojën, nuk rrodhi asnjë fjalë. Po ta mbante fshehtësinë vetë krimi do e kuptonim, por edhe policisë nuk i rrodhi askund. Aferim. Prej Brazili deri në Lipjan, në fshehtësi të plotë, policia dhe prokurorët tonë e përcollën kontejnerin me banane, dhe kur arriti në Lipjan, bananet u bënë ... mish.

Njëherë u fol për mbi dy tonë kokainë të fshehura në një kontejner me banane , me vlerë mbi 6 bilion dollarë, por me gjasë u pa që është rrëfim i vështirë për të u besuar dhe u reduktuan shifrat. Në fund sasia prej 400 kg e fshehur në një kamion me mish, përfundoi, gjithnjë sipas raportimit të medieve, në qytezën e Kosovës qendrore. Edhe rrëfimi u bë diqysh më i kapshëm për publikun. Po e dini, pastaj si rrodhën gjërat...

Pra, s’ka banane, s’jemi republikë bananesh, veç Kosovë edhe Republikë. As shifrat me 6 miliardë, nuk kanë të bëjnë me ne. Nuk ka logjikë që krimi të qarkullojë më shumë para se shteti. Llogariteni vet, vetëm disa dhjetëra milion janë. Sido që të jetë, prokuroria dhe policia jonë, u zgjuan nga gjumi dhe ...! Dimri ka kaluar, dhe “vetingu” po vjen...edhe pranvera po vjen...!

Përndryshe, si po thotë “Wiki” (pedia), termi "republikë banane" u shpik në 1901 nga autori amerikan O. Henry në librin e tij "Lakra dhe Mbretër" për të përshkruar një vend në të cilin ekonomia, njerëzit dhe qeveria e saj po shfrytëzoheshin nga kompania shumëkombëshe. Kështu po thotë “Wiki” edhe pse asaj nuk i besohet, mësa ... politikës tonë. Sigurisht, ju po e kuptoni që, “Wiki” nuk e kishte fjalën për Kosovën, jo vetëm për shkak të bananeve, të cilat ne nuk i prodhojmë...

Në fakt te ne, bananet sillen të gjelbra dhe pastaj piqen nëpër furra speciale. Përpos që s’kemi banane, edhe shoqëria jonë është ndryshe, veç me dy shtresa: politikanët dhe të tjerët. E shoqëritë e “republikave banane”, si thotë “Wiki”, zakonisht janë shumë të shtresuara, të përbërë nga një klasë e vogël udhëheqëse biznesi, udhëheqësish politikë dhe ushtarakë dhe një klasë më e madhe e varfër punëtore,.., ku oligarkët kontrollojnë sektorët primar të ekonomisë së vendit, politikën, gjithçka.

Le krejt, ne nuk kemi banane, sikur në Amerikën latine, por kemi detin në Shqipëri, minierat, energjinë, rrugët dhe ...“miniera” të tjera. Kështu, dilema jonë, e shtruar qysh në titull e humbë kuptimin. A jemi “republikë bananesh”? Përfundimisht, mund të thuhet se nuk jemi!

Jo more, çfarë korporatash të huaja. Për shumicën e këtyre nuk kemi arsye të fajësojmë të huajt. Kemi korporatat tona private. Madje edhe ato publike trajtohen si private. Kush ka merita lufte apo vota, ka edhe korporatat publike.

Pastaj, korporatat shumëkombëshe, rrëzonin e ngrinin qeveri nëpër këto vende sipas interesave të vet, duke korruptuar kështu elitën e vendit. As kjo, nuk ka të bëjë me ne. Korporatat nuk përzihen. Emisarët special, po. Ata rrëzojnë e ngrenë koalicione por kjo s’ka të bëjë asgjë me ... bananet.

As me grusht shtete, nuk ka të bëjë. Atje, pra në “republika banane” kur gjërat nuk shkonin me para, atëherë edhe bëhej grusht shtet ku armata e merrte gjithçka në dorë. Ne as armatë tamam, nuk kemi. Grusht shtetet nuk i lejon KFOR-i.

As me luftëra civile, nuk ka të bëjë asgjë. Luftërat civile ishin mënyrat e ndërrimit të pushtetit, nëpër këto “republika banane” kur asgjë tjetër nuk bënte punë. Hiç ’97 –tën në Shqipëri, ndoshta edhe 2004 në Kosovë, te ne nuk kishte kurrë diçka që ngjanë me luftën civile. Nuk jemi, vëlla, “republikë banane”. Kot e diskutoni...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat