Nuk e nguci Albinin në 100 ditët e para...

Opinione

Nuk e nguci Albinin në 100 ditët e para...

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 27 maj 2021 Në ora: 08:15
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Jo vetëm Albinit, por çdo kryeministri, qeverie i takojnë t’i ketë 100 ditët e tyre, “100 Ditët e mjaltit” pas të cilave fillon faza serioze e zbatimit të asaj që është premtuar. Natyrisht, se në 100 ditët e para kuptohet trendi, përkatësisht korsia ku është futur qeveria, a është në binarët në të cilat ka premtuar apo ka dalë fare nga ato.

Ka shumë njerëz, sidomos nga opozita që në ditët e para kanë filluar të kritikojnë qeverinë për gabimet që ata vet i kanë bërë. Me këto veprime para qytetarëve, opozita dhe një sërë analistësh kanë shfaqur mangësitë e tyre në të kuptuarit drejt dinamikes qeverisëse që zhvillohet, jo vetëm këto por kudo.

Qeverisë i duhen 100 ditët e para për të shfaqur orientimin e saj, për të treguar bazat e një qeverisje, e të cilat duhet të jenë të shëndosha. S’kemi pse të ngutemi për të kritikuar qeverinë qysh në ditët e para, do të ketë kohë të mjaftueshme për të gjitha. Për më tepër, ato parti që e kanë degraduar vendin për 20 vjet, edhe sikur qeveri aktuale të punojë keq, nuk e kanë të drejtën morale për të kritikuar, përderisa vet kanë shkatërruar si mos më keq këtë shoqëri dhe këtë popull.

Jam treguar i përmbajtur dhe vazhdoj të jem i tillë në 100 ditët e para të qeverisë, pas të cilave do të kemi kohë për të kritikuar aty ku ka nevojë, njësoj si për ta lavdëruar aty ku ka vepra dhe punë të mira. Në këtë kuptim, lukunia për vrer dhe helm mbi qeverinë nuk është tjetër vetëm se shkarkim nga inatet personale, jo logjikë e shëndoshë për kritika reale dhe të bazuara.

Natyrisht se qeveria ka mangësi, ka vend për kritika, por të cilat duhet pritur 100 ditët e saja, pastaj të flitet dhe të kritikohet me fakte dhe argument, jo siç po vepron opozita aktuale. Me disa akuza qesharake, opozita, përkatësisht PDK vetëm se po e zgjeron gamën e irritimit të qytetarëve ndaj atyre.

Të kritikosh qeverinë për mungesë të liberalizmit të vizave, për numër të vogël të rasteve me Covid, kur duhet të ishte e kundërta, për mos integrim të Veriut etj, vetëm sa e legjitimojnë irritimin dhe ndëshkimin e qytetarëve ndaj PDK-së, e cila tanimë është në opozitë konkretisht për këto gjëra që e akuzon qeverinë dhe për të cilat është vet fajtore.

Një tjetër akuzë që po i bëhet qeverisë është paralajmërimi nga Kurti për mundësinë e vendosjes së reciprocitetit me Serbinë, si reagim ndaj mos zbatimit të marrëveshjes me Kosovën nga ana e Serbisë. Kjo e fundit ka shumë marrëveshje që nuk i zbaton me Kosovën, për interesa të saja të ngushta. Është në të drejtën e Kosovës që të përdor fuqinë e saj sovrane për të mbrojtur interesat e saja. Kur kihet parasysh Serbia, e gjitha skena politike shqiptare në Kosovës duhet të jetë unike, tok. Kjo është një gjë sa kombëtare, aq edhe njerëzore. Në vend se të ndihmohet qeveria që përballë Serbisë të jetë sa më imponuese në të mirë të të gjithëve, disa akuzojnë atë, e pengojnë dhe më e keqja përhapin propagandë për gjoja “servilizëm të qeverisë”.

Me këto veprime të opozitës, nuk dëmtohet qeveria, në fakt e pësojnë qytetarët për mungesë uniteti. Qeveria Kurti ka kohë dhe pak për të mbushur 100 ditëshin e saj, të presim dhe pastaj të shohim çfarë është bërë e çfarë jo. Lukunia e opozitës dëshmon më së miri se ata nuk e kanë interes Kosovën por pozitat e tyre të humbura, pa të cilat s’po arrijnë të “jetojnë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat