Hashim Thaçi, kryeqëndrestari i rezistencës së Kosovës për liri

Opinione

Hashim Thaçi, kryeqëndrestari i rezistencës së Kosovës për liri

Nga: Gëzim LOKA Më: 11 qershor 2021 Në ora: 12:22
Hashim Thaçi

Vala e furishme e luftës së popullit të Kosovës për liri dhe dinjitet shoqëror nxorri nga vorbullat e trazuara të një kohe të vështirë shumë intelektualë dhe figura me peshë, që u bënë zëdhënës dhe flamurtarë të popullit të tyre, si dje në luftë ashtu edhe në kushtet e paqes. Një ndër këta figura të ndritura, që nuk mund ta njollosë asnjë lloj gjykate e sajuar me ngut dhe për llogari të serbëve, është Hashim Thaçi, ish lider politik i UÇK-së, ish kryeministër, ish president i Kosovës, një nga lobuesit më të fortë të çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare.   

Zhvillimet politike në Kosovë, që nga lufta e UÇK-së kundër makinës genocidiale të Millosheviçit, bombardimi i Serbisë nga NATO-ja dhe formimi i shtetit më të ri të Evropës në Kosovë, nxjerrin gjithnjë e më në pah një ridimensionim të figurës së liderit të UÇK-së, ish presidentit dhe figurës më karizmatike të qëndresës së këtij populli martir kundër tiranisë dhe për ndërtimin e një shoqërie demokratike, Hashim Thaçit.  

Lojërat e “ekuilibrave gjeostrategjikë” të të mëdhenjve të kësaj bote, që e kanë çuar Thaçin në bankën e të akuzuarve për krime lufte, nuk e zbehin figurën e tij, përkundrazi e nxjerrin më në pah dhe tregojnë më së miri shenjat e veprës së tij në kohë për popullin e Kosovës dhe gjithë shqiptarinë. Tani që po afron 12 qershori, dita e përvjetorit të çlirimit të Kosovës, pas bombardimit të Serbisë nga NATO-ja, akt që i dha fund tiranisë së dhunës dhe gjenocdit serb ndaj Kosovës, figura e Thaçit vjen më afër ne shqiptarëve dhe bëhet më komunikuese në rrugëtimin e devizës së shqiptarëve të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë në trojet e tyre etnike, për një shtet dhe shoqëri demokratike në përputhje me standardet euratlantike, që e modeluan këtë shtet dhe këtë shoqëri, për të cilat Thaçi bëri aq shumë.  

Hashim Thaçi është ndër themeluesit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (viti 1992) dhe gjatë viteve të luftës ishte drejtues politik i kësaj ushtrie. 

Ishte kryesues i delegacionit të Kosovës në Rambuje, ku roli i tij në të gjitha proceset njohës dhe negpcuese ka qenë në shkallën më të lartë.  

Nga viti 1999 deri në vitin 2000 Thaçi ishte kryeministri i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës (Qeveria e Unitetit), ku në sajë të një veprimtarie të dendur dhe të frutshme politike kontribuoi në njohjen e shtetit të ri të Kosovës në kancedlaritë e Perëndimit dhe më gjërë. 

Në jetën politike në fillim angazhohet në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës në vitet 1989-1993 (LPK), si dhe ishte lider i Lëvizjes Studentore në vitet 1990-1993. 

Pas formimit të UÇK-së ku Thaçi pati një rol kryesor dhe aktiv në drejtimin dhe promovimin e luftës së Kosovës kundër makinës gjenocidiale të Beogradit, gjykatat militare të Serbisë e dënuan në mnugesë me shumë vite burg, ndërkohë që ai drejtonte shtabin politik të kësaj lufte të madhe.  

Në vitin 1996, shkon për të vijuar në mënyrë të thelluar studimet universitare në Universitetin e Ciryhut në Zvicër, më konkretisht studimet pasuniversitare në lëmin e Historisë së Evropës Juglindore dhe shkencave politike, deri në vitin 1998, ku gjatë kohës së qëndrimit të tij në Perëndim, shpesh herë kthehet ilegalisht në Kosovë, për të forcuar formacionet e UÇK-së në terren.  

Pas lufte, si kryeministër i Qeverisë së re të Kosovës, Thaçi udhëhoqi me vision dhe mendjekthjelltësi negociatat me faktorin ndërkombëtar dhe është nënshkruesi i Marrëveshjes për transformimin e UÇK-së në strukturën e Trupave Mbrojtjëse të Kosovës (TMK). Ishte anëtar I këshillit të UMNIK-ut deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, ku luajti një rol të rëndësishëm në lidhjet e Kosovës me OKB, si një garanci për ruajtjen e sovranitetit dhe propsritetin e popullit të Kosovës.  

Në tetor të vitit 1999 themeloi dhe drejtoi Partinë Demokratike të Kosovës, ndërsa në Kuvendin e parë zgjedhor, në vitin 2000,  zgjidhet kryetar I Partisë demokratike të Kosovës.  

Që nga 17 prilli i vitit 2016 deri sa dha dorëheqjen, më 5 nëntor 2020, për shkak të ngritjes së një akuze absurde kundër tij dhe liderëve të tjerë të UÇK-së, për krime lufte, nga Gjykata Speciale e Kosovës, Thaçi kreu me vision dhe përgjgjshmëri të lartë detyrën madhore të Presidentit të Kosovës.  

Presidenti Thaçi ka argmentuar dhe lobuar politikisht me vendosmëri dhe pa u lëkundur për asnjë cast për njohjen e Kosvës, për krijimin e një demokracie funksionale në këtë vend të trazuar për shkak të së kaluarës historike, duke bërë oferta shumë të sinqerta, legale dhe përparimtare, në favor të popullit dhe vendit të tij.  

Askush nuk mund ta njollos luftën e Kosovës, askush nuk mund të hedhë baltë mbi figura emblematike si Hashim Thaçi, që në kohë të vështira u bënë deviza dhe shpresa e lirisë së popullit të Kosovës. 

Populli i Kosovës sot ka shtetin e tij, lidershipin e vet politik, institucionet e veta demokratike, por kurrë nuk do të harrojë figurën e Hashim Thaçit, që edhe në kushtet e një izolimi të padrejtë dhe të qëllimshëm, për të diskretituar luftën e shenjtë të Kosovës, vazhdon të mbetet një model për dje, për sot dhe nesër.  

Faktori ndërkombëtar nuk duhet të lejojë që e vërteta e kësaj lufte të manipulohet e tjetërsohet dhe as që figurat më dinjitzoe të saj, në krye të së cilave qëndron me meritë Hashim Thaçi, të nëpërkëmben për llogari të armiqve historik të shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat