100 ditët e Albinit, sukses apo dështim?

Opinione

100 ditët e Albinit, sukses apo dështim?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 23 qershor 2021 Në ora: 08:28
Kryeministri i vendit, Albin Kurti

Tanimë po mbushën 100 ditët e para të qeverisjes Kurti, në të cilat mund të hedhim dritë për të kuptuar rrugën në të cilën është orientuar të marrë drejtim. Natyrisht, se për këto 100 ditë kanë ndodhur vendime të ndryshme, përkundër që pritjet kanë qenë të mëdha, megjithatë ka pasur gjëra pozitive, por edhe jo aq shumë të prekshme.

Realisht, për këto 100 ditë qeveria Kurti ka nisur të ndërmarrë disa nisma, e të cilat tek më vonë mund të japin frytet e tyre, siç është dokumenti për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, heqjen e homologimit, shkarkimin e AKP-së, nismën për shkarkimin e bordit në RTK-së, etj e të cilat kanë qenë elemente mjaft të forta në zinxhirin e kapjes së shtetit.

Përveç këtyre nismave që janë përshëndetur nga qytetarët, qeveria ka nisur edhe takimet në Bruksel, përmes të cilave ka treguar komplet qasje tjetër nga e kaluara sa i përket dialoguar me Serbinë, e të cilat po i sjellin kokëdhembje Vuçiqit.

Në anën tjetër qeveria, përveç këtyre sukseseve, ka dështuar që të arsyetojë mos nisjen e disa prej premtimeve, të cilat prekin direkt xhepin e qytetarit. Ndonëse, është e kuptueshme se për 100 ditë nuk mund të bëhen të gjitha, s'ka pasur asnjë shpjegim apo planifikim se kur do të nisin të implementohen disa nga ato premtime, siç është premtimi për ndihmë çifteve të reja, zgjatja e pushimit të lehonisë, dhënia e 100 euro për fëmijët deri 2 vjeç dhe nga 10 euro mbi 2 deri në 18 vjet etj.

Është dashur që të sqarohet, të jepen sqarime dhe më shumë informacione për qytetarët se çfarë po ndodh me këto premtime, jo të heshtet, kështu krijohet përshtypja sikur ato kanë qenë vetëm premtime boshe. Në këtë logjikë duhet theksuar se qeveria Kurti për këto 100 ditë ka arritur që të ndryshojë orientimin, të ndalë shpenzimet, të kujdeset më shumë për buxhetin e shtetit, e të gjitha këto janë në favor të një qeverisje me duar të pastra.

Opozita është krejtësisht e kuptueshme se e konsideron të dështuar qeverinë Kurti për këto 100 ditë, janë pikërisht po të njëjtit që buxhetin e shtetit e kanë gllabëruar për qejfe, për dreka e darka dhe jetë luksi. Edhe sikur kjo qeveri mos të jetë fare në të drejtën e Zotit, kjo opozitë përjashtuar kreun e LDK-së (që është i ri dhe nuk flitet për afera), të tjerët s'kanë të drejtë as të kritikojnë. Janë qytetarët kritikuesit, vlerësuesit më të drejtë dhe korrekt për qeverinë e re dhe natyrisht ata pak gazetarë të paanshëm që flasin të vërtetën pa anime.

Qeveria Kurti, në gjykimin tim për këto 100 ditët e para e kalon testin, duke krahasuar me ato që kanë qenë më parë, por akoma nuk është në atë nivelin më të lartë, mbase nga natyra jam tip që nuk kënaqem me pak. Gjithsesi, nuk mbaron mandati i Kurtit këtu, ka edhe shumë rrugë përpara, më të cilat ose mund të rritë cilësinë e qeverisjes ose të përhumb dhe atë që është bërë. Në këtë kuptim, varet shumë nga ajo çfarë pritet të ndodh, pa harruar premtimet që i ka dhënë e për të cilat duhet të sqarohet opinioni pse s'po realizohen, apo kur pritet që të realizohen. Albin Kurti e kalon provimin, por s'duhet të kënaqet, meqenëse pritjet janë shumë të mëdha në vazhdim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat