RTK – duhet të falimentojë!

Opinione

RTK – duhet të falimentojë!

Nga: Shefqet DIBRANI Më: 23 qershor 2021 Në ora: 10:38
Shefqet Dibrani

Radio Televizioni i Kosovës (RTK), duhet urgjentisht të falimentojë, dhe kjo duhet të ndodhë sipas praktikave të vendeve demokratike ose vendeve të rajonit, (me sa di një gjë e tillë ka ndodhur në Greqi), kur shteti e falimenton televizionin publik, për ta Ri-Startuar, vetëm pas 5 minutash, me një staf dhe koncept krejtësisht e thellësisht tjetër, në njërën anë dhe në anën tjetër për të mos krijuar vakum mediatik.

Të gjithë ata që janë të privuar nga mundësia për t’i shikuar edhe televizionet e tjera private që operojnë në Kosovë, por detyrimisht e përcjellin vetëm RTK 1, programin satelitor, përjetojnë terror ideologjik, jo profesional dhe agresiv. Në RTK, për çdo ditë shpalohet niveli më primitiv më jo profesional që mund ta ketë një medium i karakterit publik.

RTK, është shndërruar në propagandë armiqësore, të grupeve të caktuara të interesit të cilat bashkë me mediumet tjera private po kryqëzojnë intelektualët, avokatët dhe të gjithë ata që mund të kenë mendim ndryshe.

Një sinopsis – përmbledhje, të asaj çfarë nuk bënë dhe nuk shkon, do të përpiqem ta artikulojë edhe në këtë analizë, e cila ka për qëllim të ndikojë në përmirësimin e gjendjes së keqe, pasi RTK-ja është fytyra e Kosovës.

Faji niset nga kupola, ta zëmë vet drejtori gjeneral Ngadhënjim Kastrati, duket të jetë mashë e Kadi Veselit, përkatësisht pjellë e ideologjisë së tij, në të kundërtën ai nuk është dashur ta shes shpirtin tek individ për të cilin thuhet se është përgjegjës për gjendjen e tanishme por në asnjë mënyrë ata që u shkarkuan më 25 mars 2020, të cilët tashmë janë ushtrues në detyrë.

Drejtori i RTK-së duhet ta dinë se këto shantazhe nga Opozita dhe të gjitha mediumet, duke përfshirë edhe RTK-në, nuk do ta përballonte asnjë vend i zhvilluar në Evropën Perëndimore, e le më një Qeveri në Detyrë e cila mori një shtet pa financa dhe pa infrastrukturë që mund ta përballonte një situatë normale, pa le më në gjendje të rëndë edhe nga Pandemia e Virusit Korona. Prandaj në RTK nuk do të duhej të defilonin emisarët dhe mercenaret, të cilët sikur të ishin Kolonë e Pestë, po operojnë në Kosovë duke terrorizuar qytetarët. Ashtu siç po vepron  RTK-ja, duket sikur të jetë strukturë para-police e para-hetuesisë, pasi siç plasohen lajmet dhe shpesh si veprohet bie ndesh me kodin e mirësjelljes të një mediumi publik.

Po një “palaço e madhe”, e këtij televizioni a nuk u tregua edhe ish  Drejtori paraprak, Mentor Shala. Kujtoni deklaratën e tij kur populli i Kosovës votoi ndryshe nga ajo që priste ky drejtor. A u linçua edhe ky drejtor, sikurse nuk u linçua kurrë drejtori i T7, për akuzat e rënda kundër UÇK-së, por u gjeten për tu kryqëzuar nga RTK, avokati Tomë Gashi, kurse nga TV T7, Shkëlzen Gashi, dhe nga TV Klan Kosova, vet Milaim Zeka, i cili tash përpiqet të diskreditojë rivalin e tij në atë debat të mjerë televiziv. 

Jo pak, e jo rrallë, Lajmet në RTK japin indikacione të urrejtjes, duke nxitur e nxituar, sikur bëjnë thirrje për revolta deri në shkallë krimi. Në RTK, folësit – spikerët, duhet t’i nënshtrohen një verifikimi profesional, jo vetëm për shkak të zërit dhe mënyrës fshatareske të paraqitjes në RTK, por rreptësishtë duhet t’iu ndalohet zgërdhija, çaraveshja dhe lazdrimi në kohën sa japin lajmin. Madje të gjithë folësit, duhet t’i harmonizojnë lëvizjet e mimikës dhe reagimit në raport me lajmin, dhe nuk duhet të reagojnë me duar sikur të na ishin komentues sporti, ose komandant të ushtrisë apo lideruca nëpër fushata zgjedhore.

Gjuha shqipe, në RTK atakohet më shumë se kudo tjetër, jo vetëm nga udhëheqësit e folësit të cilët nuk e zotërojnë gjuhën shqipen, por Shqipja atakohet edhe në titujt e disa emisioneve pa pasur nevojë për tu lëshuar në detaje:  “n-RTK”, “n’Kuvend“, “n’Za“, “n’Trip”, ose “RTK-News”, “RTK-Live”, dhe sinonimet e shpeshta “n’Kosovë”,”n’katun”, “n’shpi”, etj. etj. e përbëjnë një kolazh negativ të cilin nuk do të duhej ta lejoj në asnjë mënyrë një medium publik, sepse është përgjegjësi e secilit për t’i ruajtur e kultivuar vlerat gjuhësore, por gjithsesi duhet ato që janë për t’i respektuar.

Si duket në RTK, emisionet e realizuara, prishen nga urdhrat politike ose thjesht për shkak të simpatisë dhe servilizmit si mani qytetare. Por në një emision, ta zëmë kushtuar një mësueseje e cila tërë jetën ia kishte kushtuar arsimit, me elemente të mjaftueshme për përkushtim, arritën të na sjellin fytyra të reja, qofshin fëmijë a familjar të mësueses, ose  fqinjë të saj. Pastaj përjetoheshin me shije kujtimet dhe evokimet e nxënësve të cilët i shihnim e i njihnim për të parën herë, bashkë me atë mësuesen e tyre e cila kishte pritur 40 vjet për t’iu realizuar ai emision. Por çka nuk shkonte dhe ishte madje irrituese, të shihnim figurat të konsumuara politike, të cilët sikur dëshmonin dështimin e mësueses e cila edhe ata i ka  “emancipuar?!”, duke dhënë nuanca kundërshtuese me vlerësimet që ia bënin mësueses nxënës tjerë, artistë dhe profesor universitar. Pra RTK-ja, me pak kujdes e maturi mund të realizoj emisione më të mirë, dhe shumë më profesionale.

Jo vetëm këto deformime, por duhet të rregullohet me ligj që RTK, të shndërrohet në një medium me kritere të larta profesionale, akademike dhe pedagogjike, me përgjegjësi  edhe më të larta se sa në shkolla e universiteti, më të larta se akademitë dhe institutet përkatëse. Nëse nuk arrihen të paktën duhet me u dukur përpjekjet profesionale.

RTK, duhet të shndërrohet në Institucion profesional e pedagogjik në shërbim të gjuhës kulturës dhe përparimit, e jo t’i prodhoj vet, dhe assesi të mos emitoj emisione e slogane që nuk përkojnë me normat gjuhësore dhe pikë!

Pa dyshim, ndër emisionet ma skandaloze që emitohet në RTK, (ndoshta për vet faktin se e përcjell më shumë), është emisioni “Debat”, ku shihet se Ridvan Berisha, ka shkallmuar tërësisht, ai i ka tejkaluar çdo vlerë profesionale dhe çdo etikë morale, që duhet ta posedojë një medium publik i pavarur, por varësia ose simpatia e Ridvanit shihet nga planeti, e urrejtja me përmasa patologjike që shprehet në RTK, veçmas në emisionin e tij, madje haptas dhe pa u skuqur fare. Edhe vet ai po sillet si polic, për t’i detyruar të gjithë të mendojnë si ai, po më shumë t’i përgjigjen kërkesave të tija, me ndërhyrje budallai.

Drejtuesit e RTK-së, nëse dëshirojnë për t’ia shpëtuar fytyrën Mediumit Publik, i cili shpenzon paranë e taksapaguesve të Kosovës, duhet urgjentisht jo vetëm Ridvan Berishën, ta  fusin në karantinë, por një varg redaktorësh, të cilët në vend se situatën me Pandeminë ta përcjellin me deklarata nga profesionistët nëpër rrethe, RTK edhe pandeminë e ka shfrytëzuar për t’i qitur në Televizor fytyrat e demoduara politike që janë kryetar komunash, e në anën tjetër nuk kanë prajtur akuzat e thirrjet për linçim e shkarkim të Ministrit në detyrë Vitia ose të ushtruesit të detyrës së Ministrit të brendshëm z. Sfeçla.

Shikuesit e RTK-së, kanë pasur fatin t’i përcjellin tri intervista që ka realizuar vet Ridvan Berisha, të cilat shpjegojnë tendencën dhe animin e hapur të RTK-së. Pas datës 25 mars 2020, në RTK janë emituar: 1. Intervistë me Isa Mustafën, (me sistemin Skype nga Prapashtica), por servilizmi i Ridvan Berishës, karshi Isa Mustafës, ishte i pafalshëm. 2. Intervista në studio me Kadri Veselin, e bëri Ridvanin, pulë  deri në shkallë përuljeje ndaj Kadri Veselit, nënshtrim klasik dhe pa kushte, larg secilës etikë profesionale, ndërsa 3. Intervista me Haki Abazin, e ka zbuloi karakterin dhe arrogancën e pashembullt, deri në nivel marrëzie. Pikërisht në këtë debat, Haki Abazi, e ka zhveshur karakterin e varur nga dogma titiste që ka Ramush Tahiri, ndërsa Adrian Kastratit, (për fat të keq kuadër universitar), shpalosi urrejtjen patologjike kundër një subjekti politik dhe kundër një individ. Në një çast, ajo arrogancë patologjike e z. Kastrati, e bëri për tu turpëruar edhe vet Ridvan Berishën. Për fat të keq, si askund tjetër, pas dy orë e gjysmë torturash, psikologjike e patologjike, Haki Abazi, u detyrua t’ia bëjë me dije drejtuesit se ai ka detyrime të tjera më të mençura  se sa të merrej me sjelljet çmendurake të dy “Skyp-istave”, të cilët edhe atë natë e turpëruan mediumin publik. Janë këto arsye pse e sugjeroj komisionin disiplinor në RTK, këto tre intervista për t’i shikuar para se të marrë, jo masa ndëshkuese, por para se ta qortojë Ridvanin për qëndrime aspak profesionale, i cili ndoshta mundet të jetë i pari në listë për keqpërdorimin e misionit që duhet ta ketë RTK. 

Pse jo, të flasim me emra konkret: Milazim Krasniqi, për fat të keq profesor universitar, pa dyshim bartë përgjegjësi për devijime zinxhirore në RTK, dhe për devijime të përgjithshme mediatike, personalitet i tij është konsumuar i tëri. Çuditërish, ka kohë nuk e takoj në RTK, prandaj nganjëherë kam mall për t’ia lexuar ndonjë poezi. Pikërisht vërejtja ime ka të bëjë me vlerën e individit, andaj RTK e ka për obligim disa intelektualëve  t’ua ruajë fytyrën, nëse dëshirojmë t’ua ruajmë ato vlera që nuk mund t’iu mohohen.

Një kopje e zbehtë e Milazim Krasniqit, padyshim është Rrahman Paçarizi, për fat të keq kudo dhe profesor universitar. Ai ftohet pa lidhje në RTK, qoftë edhe kur pjellin lopët para kohe nëpër ara. E kjo është e saktë, sepse ne e kemi parë dr. Rr. Paçarizin në debate politike, në analiza për zgjedhje, në vlerësime ndërkombëtare, në debate për gjuhën, por fatkeqësisht nuk e ka asimiluar të folmen nga zona e tij rurale. Edhe profesor Rr. Paçarizi, është një kuadër komplet i konsumuar, prandaj paraqitja e tij krijon neveri, prodhon të kundërtat e asaj që synohet, i cili, së bashku me Milazim Krasniqin, nuk është dashur të lejohen të vazhdojnë punën e profesorit universitar.

Edhe Ardian Kastrati, është një tjetër profesor universitar, jo vetëm i konsumuar si të parët, por duket të ketë probleme patologjike, dhe nëse këtë gjë RTK-ja nuk e paska vërejtur, e meriton falimentimin e përhershëm. Dua t’ia bëjë me dije këtij profesori fatkeq, se për fat të keq, ky nuk është si Milazim Krasniqi, për t’ia kujtuar edhe këtij, disa poezi e libra të realizuar me sukses.

Ardhja në emisione televizive nëpër debate, sidomos te Ridvan Berisha, i personave që kanë ndikuar negativisht në skemën publike e mediatike në Kosovë nuk është nder, veçmas RTK, s’ka nevojë të arnohet me: Ramush Tahiri, tërësisht i konsumuar, pastaj nuk duhet të defilojnë as Baton Haxhiu, Milaim Zeka, Berat Buzhalla, të cilët i kanë mediumet dhe emisionet e veta, edhe pse i ndeshim kudo nëpër debate mediatike,. Ky konstatim është tregues i mosnjohje elementare të kulturës mediatike dhe misionit që ka një Medium Publik, e jo të duket sikur paskan mision për të krijuar kos të përgjithshëm në vend.

Ridvan Berishën, nuk mund ta akuzojmë nëse përfaqësuesja e PSD, që ishte në emision, më (05.05.2020), nuk ndihej mirë kur e cilësonin zonjushë, se kaq ishte niveli i saj, por do të duhej të mësonte nga praktikat e qytetërimeve të mëdha. Në hapësirën gjermanofolëse, një gruaje e re por edhe një gjysheje, të cilave ne shqip i drejtohemi edhe “Hej ti”, në Gjermani, Zvicër dhe Austri, i drejtohen me Zonjushë, pavarësisht moshën që ka.

Nga kjo që po flas, nuk do të thotë se nuk ka pasur ndonjë pikë pozitive, dhe Ridvan Berisha nuk din. Jo e kundërta atë e ka vrarë mendjemadhësia. Për ilustrim pozitiv, e marrim paraqitjen  brilante të profesorit universitar, Bujar Dugolli, nga i cili nuk e pritja atë nivel akademik dhe qe besa edhe pedagogjik, neutral i saktë dhe tejet mbresëlënës. Prandaj, Rektorati dhe strukturat drejtuese universitare, e kanë të lehtë t’i dallojnë veprimet e shëmtuara të Ardian Kastrati, sjellja arrogante e tij dhe sojit si ai nëpër televizionet tjera, drejtpërdrejt reflekton edhe në nivelin edukativo arsimor, për të cilin universiteti është mjaftë i atakuar.

Nga pamja fizike, shihet se gati të gjithë moderatorët dhe folësit në RTK, vuajnë nga mbipesha fizike, dhe kjo është një pasqyrë shumë devijonte e konceptit mediatik në RTK. Ridvanit, ia kalon edhe Fatmiri i cili përveç mbipeshës, është katastrofë aksidentale në aspektin gjuhësor. Dua të them publikisht, se në aspektin gjuhësor, me ndonjë përjashtim, të gjithë përfaqësuesit e subjekteve politike, s’kanë lidhje me standardet elementare të gjuhës shqipe.

Humori, në RTK është nën çdo nivel, e për fat të keq, asnjë aktor i Kosovës nuk din të flas rrjedhshëm gjuhën shqipe, madje nuk dinë t’i shqiptojnë as fjalët si duhet. Ndërsa kudo në botë teatri dhe aktorët shkëlqejnë, janë ata që ia shtojnë vlerën gjuhës së një kombi.

Pas gjuhëtarëve, përkatësisht pas linguistëve, janë juristët, avokatët dhe prokuroret që duhet ta njohin dhe ta flasin mirë gjuhën, duhet t’i njohin mirë nocionet dhe sinonimet, dhe t’i shqiptojnë fjalët si duhet. Çfarë niveli të kësaj fushe na ka sjell RTK-ja në emisionet e veta?

Po ashtu RTK-ja, për çdo ditë abuzon me vlerat e shoqërisë, në planin politik, gjuhësor e artistik. Vetëm në RTK, ndodhë që për çdo javë të prezantohet “PLAGJIATURAT”, si prodhim i RTK-së?! E kjo bie në kundërshtim edhe me ligjet e kodin penal të Kosovës. D.m.th. RTK-ja, ashtu siç i ka pushtuar pronat e RTP-së, me këtë elan po ia vjedh emisionet RTP-së, veçmas kur sigla RTP mbulohet me atë të RTK-së. Mjafton të shikohen emisionet e hershme dhe të krahasohet si po shkelet e drejta e autorësisë në emisionin “ARKIVI”.

RTK-ja, me këto veprime – plagjiaturë, po shkatërron traditën dhe historinë e mediumit të parë publik siç ishte RTP, po shkatërron me vetëdije një histori të tërë të Kosovës!

Nuk do të dëshiroja që ky shkrim imi të merrej si adutë për Qeverinë në Detyrë dhe aq më pak nga Kryeministri në Detyrë, për ta falimentuar RTK-në?! Do të dëshiroja, menaxhmenti dhe bartësit e përgjegjësive vet të vetëdijesohen!

 Zvicër / St. Gallen, 06.05.2020
*Autori, është shkrimtar dhe ka të botuar 27 libra, nga fusha e kulturës dhe analizave politik

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat