Barishtja e duhanit tymoset, nuk pihet

Opinione

Barishtja e duhanit tymoset, nuk pihet

Nga: Beqir Elshani Më: 22 gusht 2021 Në ora: 10:55
Foto ilustrim

Sipas fjalorit të gjuhës shqipe për njeriun që me gojë thith dhe nxjerr jashtë tymin e duhanit thuhet ”tymos duhan”, jo ”pi duhan”, meqë me fjalën ”pi” pihen lëngjet natyrale, siç janë: uji, qumështi, çaji, kafeja, pijet freskuese e alkoolike, shurupi etj. Jo vetëm lëngjet e pijeve, por edhe avulli i tyre është lëng natyral, kundrejt tymit të duhanit, i cili është në gjendje të gaztë. Në dallim me tymin e duhanit që ka erë të keqe kimike, birra ka shije të hidhur, megjithatë birra është pije freskuese me prejardhje bimore, që është përdorur qysh në Egjiptin e vjetër. Sipas ndërtimit fiziologjik, uji dhe lëngjet pihen me anën e gojës, shija e ushqimit shijohet me anën e gjuhës, era e bimëve dhe e lëndëve kimike nuhatet me anën e hundës, tymi dhe avulli thithet me anën e gojës, gjithashtu me hundë thithet rakia, kur dikush ka rrufën. Pikërisht fryti i mollës është materie organike, mirëpo po të digjet molla siç digjet duhani, atëherë tymi i mollës dhe i duhanit është materie e gaztë kimike. Gjithashtu buka dhe mishi i shkrumbuar është në materie të gaztë. Prandaj kur themi tym, që është pjesë e gaztë e të gjitha djegieve, dihet që në këtë fushë hyjnë të gjitha lëndët, siç janë: drutë, letrat, kandili, baruti, duhani, makinat me avull etj. që lëshojnë tym dhe hi. Gjithashtu edhe nikotina e snusit është lëndë kimike që duhanikët e mbajnë në gojë, lëngu i saj nuk pihet, por thithet sikur tymi i duhanit. Tekembramja, uji është lëng që buron prej tokës dhe pihet, ndërsa tymi është përbërje kimike që vjen me anën e ajrit. Derisa buka si ushqim hahet dhe uji si lëng pa ngjyrë pihet shkojnë drejt në stomak, ajri dhe tymi i duhanit (cigares) thithen me buzë ose me hundë dhe shkojnë drejt në mushkëri. Prandaj tymi i duhanit as nuk hahet si buka, as nuk pihet si uji. Tëmbëlorizi dhe tëmbël me oriz kanë dallim; i pari është ëmbëlsirë e zier me tambël e oriz, kurse të dytët janë artikuj ushqimorë – oriz dhe tëmbël.

Me anën e tymosjes së duhanit dëmtohet jo vetëm organizmi i tij, por edhe organizmi i të pranishmëve, që me të drejtë populli thotë se tymi të qorron. Nëse njeriu pi alkool, sado me pasoja shëndetësore e sociale të jetë, nuk e ndot mjedisin natyror. Amoniaku që del nga bashkimi i azotit me hidrogjenin ka erë të keqe, prandaj era e tij thithet dhe nuk pihet, që si rregull i nënshtrohet edhe tymi i duhanit. Kur ndonjë pjesë e pyllit digjet flakë, sidomos gjatë ditëve të verës, atëherë kafshët dhe njerëzit nuk e pinë tymin, por e thithin me hundë e me gojë dhe me lëkurë. Pastaj derisa lëngjet pihen dhe mbeten në organizmin e njeriut, thithja e tymit kalon nëpër mushkëri, dhe ashtu siç del dyoksidi i karbonit prej mushkërive, del edhe tymi i duhanit. Thithja e tymit të duhanit në dallim në thithjen e ajrit dhe pirjen e ujit, ndryshon, sepse tymi i duhanit nuk zë vend në lukth, por zë vend në mushkëri. Konkretisht, nëse lëngjet derdhen, lëngu tretet në tokë, mirëpo nëse cigarja e ndezur bie në tokë, tymi i saj nuk tretet, por shpërndahet në ajër. Prandaj uji i pijes, si element kryesor i jetës së njeriut, i kafshëve dhe i bimëve, nuk duhet të ngatërrohet me duhanin që tymos. Duhet pasur parasysh se në FGjSh për fjalën ”PIJETORE” tregon se është lokal ku pihen pijet alkoolike, kurse duhani s’përmendet fare, pasi që nuk ka të bëjë me pirjen, por me tymosjen.

Duhani është përbërje barishtore që digjet dhe tymoset dhe nuk pihet siç është uji, çaji dhe kafeja, prandaj duhet shkruar "Kam tymosur duhan për vite të tëra". Më mirë kumbon fjalia "Shprehia e tymosjes së duhanit mjekëve u shkakton kokëçarje", pasi që mjeku si kryefjalë me kallëzues mjekon. Po të shkruhet sipas shembullit suedisht e kroatisht “Ensamhet är ett större hot mot folkhälsan än rökning” dhe kroatisht “Samoća je veća prijetnja javnom zdravlju od pušenja“ shqip del “Vetmia është kërcënim më i madh për shëndetin publik sesa tymosja e duhanit”, jo “…pirja e duhanit”. Për habi, derisa fjala angleze “smoking” në google suedisht përkthehet “rökning”, frëngjisht “fumeur”, kroatisht “pušenje”, rusisht, “курение”, shqip përkthehet gabimisht me togfjalësh “pirje duhani” në vend të fjalës po ashtu të vetme e së natyrshme “tymosje”. Pastaj piktura e piktorit, Jean-Léon Gérôme: “An Arnaut Smoking” nuk quhet me katër fjalë “Shqiptari duke pirë duhan”, por me tri fjalë “Shqiptari duke tymosur”.

Ndalohet tymosja!

Nëse në dhomë ndizet stufa, dhe papritmas në oxhak kthen tymi, atëherë njerëzit largohen prej dhomës, sepse tymi si mjet kimik është i dëmshëm për organizmin e njeriut. Sipas shfletimit të fjalorëve në gjuhë të ndryshme: europiane duhani apo cigarja tymos; kurse në gjuhën shqipe vazhdojnë të shprehen me fjalën “pi duhan”. Suedezët nuk thonë “Pi cigare ose duhan”, por natyrshëm ”Tymos duhan ose cigare” (Röker tobak eller cigarrett), që vjen prej rrënjës së fjalës “rök” (tym). Pastaj shprehjet anglisht “Stop nikotin – No smoking” shqip përkthehen me masë “Ndal nikotinit – Jo tymosje”. Shpeshherë shtypi shkruan se “Shkaktar i kancerit është duhanpirja”, kurse duhet shkruar “Shkaktar i kancerit është tymduhani”. Pastaj në shembullin e fjalisë “Nënat që pinë duhan gjatë shtatzënisë rrezikojnë shëndetin e fëmijës” duhet të jetë “që tymosin duhan”. Edhe duhani puro si dhe nargilet me ujë të parfumuar nuk pihet, por tymoset. Ngjashëm është vepruar edhe në novelën “Kashtanka” të Çehovit rusisht shkruan “bыкурив сигару”, shqip është përkthyer “pinte cigare” në vend të fjalës së qëlluar sipas veprimit “tymoste cigare”. Me një faqe të shtypit në fillim të lajmit shkruan ”Fshati ku askush nuk (pi) duhan” pastaj “askush nuk tymos”, duhet shkruar vetëm tymos. Pastaj titulli i videos “Duhanpirja dhe zakonet e pirjes së kafesë” që me rotacion del “Kafepirja dhe zakonet e pirjes së duhanit” nuk është aspak etike, pasi që kafeja si lëng pihet, ndërsa duhani si materie burimore tymoset, prandaj duhet të jetë “Tymduhani dhe zakonet e pirjes së kafesë” ose “Kafepirja dhe zakonet e tymosjes së duhanit”. Gjithashtu në lajmin tjetër “Shkarkohen nga detyra dy akademikë për shkak se pinin duhan në zyrat e tyre gjatë punës” në vend të fjalës pinin duhet të shkruhet tymosnin. Në vazhdim shkruan se sipas ligjit japonez nuk lejohet pirja e duhanit në dhomat e universitetit, duhet të jetë “…nuk lejohet tymosja e duhanit”. Do të tronditej opinioni nëse akademikët shkarkohen për shkak se në zyrat e tyre pinin kafe. Si përforcim vlen të përmendet se njeriu nuk e pi nektarin e luleve dhe fshesa elektrike nuk e pi pluhurin, por e thithin, i pari nektarin e luleve, e dyta (fshesa elektrike) pluhurin e shtëpisë. Gjithashtu traktoristi gjatë punës nuk e pi pluhurin e fushës, por e thithë me anën e hundës dhe gojës. Sipas FGjSh e kundërta e fjalës “fryj”, është thithë, psh. balona fryhet me ajër, ndërsa fshesa thith pluhurin. Prandaj për shpjegimin e foljes jokalimtare puf” në vend të “Pi duhan duke e nxjerrë tymin shtëllunga-shtëllunga nga goja», duhet të jetë “Tymos duhan…”.  

Në vazhdim, dallimi në mes pirjes dhe thithjes është se uji që pihet është në gjendje të lëngtë, ndërsa tymi i cigares apo i oxhakut që thithet është në gjendje të gaztë. Përjashtim bën vetëm thithja e qumështit prej foshnjës, dhe të vegjlit e kafshëve që thithin gjirin. Edhe pse të vegjlit me buzë e thithin gjirin, megjithatë qumështi me anën e gojës kapërdihet. Derisa mbeturinat e lëngjeve në lokal shkaktojnë lagështi, mbeturinat e duhanit shkaktojnë pluhur. Prandaj në dallim me qumështin si lëng që mbetet në stomak, tymi i gaztë i duhanit mbetet në mushkëri. Edhe çamçakëzi që për shkaqe higjienike mbahet në gojë dhe përtypet, megjithatë bie në grupin e lëngjeve, sepse lëngu i tij shkon në stomak, jo në mushkëri të njeriut. Sa i përket marrjes së tabletave farmaceutike, disa thonë kam pirë disa kam ngrënë tabletat, megjithatë tabletat janë materie tretëse, që zakonisht pihen me ujë. Narkotikët që me hundë e thithin pluhurin e drogës, droga është tretësirë, ashtu siç janë tabletat mjekësore në trajtë të ngurtë. Konkretisht, me pyetjen e kamerierit se çka dëshirojnë të pinë myshterinjtë në kafene, përfshihen vetëm pijet freskuese e alkoolike, uji, kafeja dhe çaji, jo duhani, sepse ky i fundit është lëndë djegëse që tymos. Kohët e fundit në filma televiziv, kryesisht amerikanë, dallohet shqiptimi i drejtë i tymosjes së duhanit, mirëpo kjo vjen për shkak se në gjuhën angleze flitet për tymosjen e duhanit, jo për pirjen e duhanit. Prandaj nuk thuhet plaku pinte kafe dhe duhan, por plaku pinte kafe dhe tymoste duhan, sepse e para është lëng që tretet në organizmin e njeriut, ndërsa e dyta është materie kimike që me anën e ndezjes bën hi dhe tym. Psh. Anglisht thuhet “smoking tobacco” dhe “drinking water”, pastaj frëngjisht “tabac de fumée” dhe “eau potable”, gjermanisht “rauchtabak” dhe “trinkwasser”, serbisht “pushi duvan” dhe “pije vodu” etj. Siç shihet, askund nuk shkruhet me fjalën e dyfishtë “pi duhan dhe ujë”, por vetëm “tymos duhan” dhe “pi ujë”. Nëse e dashura të dashurit apo e kundërta i thotë “Më pi”, dihet që shprehja figurative ka të bëjë me dashurinë që pihet si uji i burimit, jo si tymi i duhanit, meqë kjo e fundi nuk pihet, sepse është në gjendje të gaztë. Sipas etikës biologjike fjala “pi” nuk duhet të ngatërrohet me thithjen e tymit e duhanit që nuk ka asgjë të përbashkët me lëngjet e ujshme. Gjithashtu nuk është aspak logjike të thuhet “pi qumësht dhe duhan”, kur dihet që qumështi është ushqim i domosdoshëm i njeriut, ndërsa duhani është karbondioksid i rrezikshëm për shëndetin e njeriut dhe mjedisin natyror. Prandaj ironia “Gjithë ditën pi ujë verë dhe duhan” dhe “Ne folëm dhe pimë cigaret bashkë” duhet të shkruhet me kulturë gjuhësore “Gjithë ditën pi ujë e verë dhe tymos duhan” si dhe “Ne folëm dhe tymosëm cigare bashkë”.  

Duket se përdorimi i fjalës “pi duhan” në vend të fjalës konkrete “tymos duhan” mund të jetë për shkak se “pi” shqiptohet me bashkëtingëllore zëshme, prandaj është përfshirë në zhargonin e thithjes së duhanit. Duhet pasur parasysh se fjala tradicionale e ujërave që pimë është tre miliardë vjet e vjetër, prandaj për gjëra të lëngëta nuk duhet të ngatërrohet me tymosjen e re të duhanit, duke thënë “pi” (…), pa të cilin bota bimore dhe shtazore nuk jeton. Pikërisht duhanikut i ndalohet hyrja në zdrukthëtari për shkak të rrezikut të ndezjes së lokalit, në të cilën edhe figuron shenja dhe vërejtja “NO SMOKING” (Jo tymosje), mirëpo alkoolistit nuk i ndalohet, sepse ai as nuk ndez, as nuk tymos, meqë alkooli është në gjendje të lëngët. Për habi, derisa analistët mjekësorë për kanabisin shkruajnë që merret me anën e tymosjes sikur duhani, për duhanin shkruajnë që pihet, kur dihet që duhani dhe kanabisi janë bimë të fisme, si për nga ana biologjike, ashtu edhe për nga përdorimi.  

Nuk duhet pyetur “Mund të pi duhan?”, por “Mund të tymos duhan?”, sepse sapo të ndizet cigarja, lëshon tym. Nëse në prani të njerëzve një qytetar tymos duhan, kurse një tjetër pi alkool, atëherë të pranishmit do të ankohen për duhanikun, sepse ky i fundit me tymin që e nxjerrë prej gojës, tymos apo helmon mjedisin, ndërkohë që alkoolisti asgjë të keqe nuk shkakton, pasi që nuk del jashtë organizmit të njeriut. Nëse polici qytetarin e këshillon: “Mos udhëto me shoferin që ka pirë…”, dihet që fjala është për alkoolin, pasi që duhani tymos. Në dramën “Nën dritat e skenës” të Ruzhdi Pulahas”, në të cilën shkruan: “Ishim ulur aty te shtylla e betonit e po pinim… (me pikat e heshtjes), prandaj parashtrohet pyetja se çka po pinin: ndonjë pije alkoolike, kafe apo ujë, meqë duhani nuk pihet. Mirëpo po të jetë fjala për duhanin, atëherë fjalia del: “Ishim ulur aty te shtylla e betonit e po tymosnim…”. Nëse thuhet fjalia e paplotë “Mos pi shumë!” dihet që fjala është për alkoolin si lëng, kurse po të thuhet “Mos tymos shumë!”, atëherë fjala është për duhanin si bimë barishtore. Prandaj është koha që “pirja” të hiqet prej zhargonit të duhanit, duke i ndarë veç e veç - pirje për lëngje dhe tymosje për duhan. Pastaj dallimi në mes fjalisë “Pasojat e pirjes (…)” dhe “Pasojat e tymosjes (…)” pa kundrinorin, është se në shembullin e parë flitet për alkoolin dhe lëngjet e gazuara, ndërkohë që në të dytën flitet për tymosjen e duhanit.  

Në anën tjetër, nuk është aspak parimore të thuhet e të shkruhet "pi duhan", meqë me fjalën "pi" thuhet për gjëra ushqimore që organizmin e mbajnë gjallë, ndërkohë që duhani bën të kundërtën, është gaz helmues dhe faktor shpenzues. Kur njeriu ushqehet me bukë, atëherë fiton kalori, me të cilin mund të veprojë, të ecë, të mendojë të bisedojë, të ketë vullnet; përkundrazi me thithjen e tymit të duhanit njeriu asnjë kalori nuk e fiton, pos që është me pasoja tragjike, në dëm të shëndetit. Psh. dy veta do të marrin udhë të gjatë, njëri prej tyre merr strajcën me bukë e djathë, tjetri vetëm një kuti duhan, natyrisht që njeriu me bukë udhëton shëndoshë e mirë, kurse i dyti me anën e tymosjes së duhanit do të lodhet, si nga udhëtimi, ashtu edhe nga uria, prandaj ky që barkun e ka me bukë, është në gjendje që duhanikun ta bartë mbi shpinë. 

Dallimi në mes pirjes së ujit dhe tymosjes së duhanit  

Shprehja anglisht “SMOKING KILL” “NO SMOKING” ose “STOP SMOKING” dhe “TOBACCO USE PROHIBITET” janë vërejtje, të cilat në gjuhën shqipe përkthehen: “Tymosja vret”, “Jo tymosje”, “Ndal tymosjen” dhe “Ndalohet përdorimi i duhanit”, meqë tymi i duhanit në mjedisin shoqëror është i dëmshëm për shëndetin e njeriut. Psh. fjalia anglisht “Men smoking tobac” shqip thuhet “Njeriu tymos duhan”, meqë tymi i duhanit thithet me gojë, ngjashëm siç thithet ajri me gojë dhe me hundë. Sipas FGjSh fjala "thith" përdoret në këto raste: thith cigaren, (fjala është për thithjen e tymit, meqë në cigare nuk ka lëngje), thith çibukun (llullën, nargjilen, burnotin), ajrin e pastër, thith tymin, thith avullin, thith drogën me hundë, foshnja thith, por edhe pi qumështin nga gjiri i nënës. Prandaj nuk thuhet “Burri (nuk) pi duhan”, por “Burri (nuk) tymos duhan”. Nuk është aspak logjike që konsumuesi i duhanit të quhet duhanpirës, meqë cigarja e ndezur lëshon tym. Njeriu mund të quhet kafepirës, pasi që kafenë e pi në gjendje të lëngtë, që përcillet në lukth, dhe si pjesë e proteinave shpërndahet në organizmin e njeriut. Në shembullin e fjalisë “Shefi joduhanpirësin e nderon me katër ditë pushim” duhet të shkruhet “joduhanikun”, meqë duhani nuk pihet, por tymoset. Në dallim me gjethet e duhanin, prej të cilit thithet tymi, prej gjetheve të çajit thithet lëngu. Mirëpo nëse gjethet e çajit digjen, atëherë tymi thithet, ashtu siç thithet tymi i duhanit. Ngjashëm ndodh edhe me sheqerin dhe kafenë: nëse treten në ujë, pihen, nëse digjen, atëherë tymi nuk pihet, por thithet. Derisa rakia është lëng që përfitohet me anën e zierjes në kazan, duhani është gjeth, tymi i së cilës përfitohet me anën e ndezjes. Pastaj kur njeriu, kafsha dhe bima pi ujë, është veprim biologjik që shuan etjen dhe mban organizmin, pa të cilin të gjitha gjallesat vdesin dhe ngordhin. Ndërsa kur tymos duhan, atëherë pengon frymëmarrjen, meqë gazrat në mushkëritë e tij zënë vendin e oksigjenit. Mirëpo nëse njeriu nuk tymos duhan, nuk vdes, por jeton. I vetmi mundim është se njeriu që fillon të tymos duhan, fiton varësinë dhe dëmton shëndetin. Ndryshe me oksigjenin dhe lëngjet që janë kalimtare në organizmin e njeriut, tymi i duhanit pengon frymëmarrjen. Prandaj frymëmarrjes së mjaftueshme me oksigjen i duhen mushkëritë e pastra të njeriut, përndryshe tymosja me duhan ngushton enët e gjakut. Kur një shtëpi apo një fshat digjet, banorët duhet shpëtuar jo vetëm nga zjarri, por edhe nga tymi i zi.

Në FGjSh shkruan se cigare është duhan i grirë dhe i mbështjellë si shkopth me letër të hollë për ta pirë, prandaj duhet shkruar “për të tymosur”; kurse për çibukun shkruan se është një llullë, zakonisht prej druri, me kokë e me bisht të gjatë për të pirë duhan, kurse duhet shkruar “për tymosje duhani“. Parashtrohet pyetja se kur të ndizet cigarja apo çibuku me duhan, çka ndodh, dihet - tymos, prandaj kërkohet që të shkruhet cigarja, çibuku llulla (të gjitha me përbëje duhani) tymos, pasi që duhani është bimë biologjike, që me anën ndezjes del zjarri dhe tymi.

Në vazhdim, nëse thuhet në mal apo pranë mullarit kam pirë (…), atëherë është fjala për lëngje natyrale, përndryshe ndezja e cigares pranë mullarit dhe gjërave tjera të thata nuk vjen në shprehje, sepse cigarja tymos me anën e ndezjes, prandaj, është i rrezikshëm për mjedisin dhe shëndetin. Në librin “Njeriu me të zeza”, të Patrik Keselit shkruan: “Fitonte më shumë, dhe ndonëse vazhdonte të pinte, kishte hequr dorë nga kostumi i këmbëzbathurit”, sipas origjinalit frëngjisht flitet për konjakun, jo për tymosjen e duhanit, sepse frëngjisht për pirjen e lëngjeve thuhet “boire”, ndërsa për tymosjen e duhanit thuhet “foumere”. Prandaj duhet shkruar qartë: pi konjak dhe tymos duhan, pasi që ky i fundit nuk pihet si konjak. Gjithashtu në tekstin e romanit “Zorba” të Niko Kazanzaqit: “Zorba pinte, kokën e mbante drejt…”, nuk dihet se çka pinte Zorba, alkool apo duhan, ndërsa më poshtë shihet se flitet për alkool. Përkundrazi ky roman i përkthyer në gjuhën angleze është i qartë, sepse në dallim me pijet alkoolike, për përdorimin e duhanit shkruan “smoking” (tymos). E njëjta shprehje përdoret edhe me fjalinë “Bridhte rrugëve tërë ditën, pa ngrënë e pa pirë. Vetëm pinte duhan dhe kohë pas kohe psherëtinte si buall i sëmurë”. (Niko Kazanzaqi: Ja vdekje, ja liri). Kur në popull thuhet: ”ka ngrënë, ka pirë dhe ka vrarë derisa është ngopur”, atëherë dihet që në këtë fjali flitet për bukën dhe alkoolin, jo për duhanin, meqë duhani tymos. Prandaj etika e gjuhës shqipe kërkon që fjalia në romanin “Zorba” të konkretizohet: “Bridhte rrugëve tërë ditën, pa ngrënë e pa pirë, në të cilën flitet për bukën dhe lëngjet; pastaj “Vetëm tymoste duhan dhe kohë pas kohe psherëtinte si buall i sëmurë”, me që flitet për tymosjen e duhanit. Përkthim i ngjashëm është bërë edhe në romanin “Fshatarët” të Balzakut: “Kur këtij ushtaraku i pihet duhan, shkon të pijë puron ose të thithë llullën e vet”, kurse sipas frëngjishtes "Quand ce soldat fume de la tabac, il se rend à la fumée ou se suce le tabac à pipe" duhet të jetë “Kur këtij ushtaraku i tymoset duhan, shkon të thithë puron ose llullën e vet”.

Në lajmin e shtypit: “Në rekordin e pirjes së duhanit në Havana të Kubës, pjesëmarrësit tentonit t’i pinë cigaret e gjata prej 19 centimetrave, duke mos ua rrëzuar hirin”. Në vend të fjalëve “e pirjes” dhe “t’i pinë” duhet shkruar “e tymosjes” dhe “t’i tymosnin, sepse duhani lëshon tym dhe hi. Shkurt, kur në lokal ka tym duhani nuk mund të quhet ndryshe pos lokal i tymosur me duhan.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat