Akt përjashtimi, fitore e Sali Berishës

Opinione

Akt përjashtimi, fitore e Sali Berishës

Alpin Ollogu Nga Alpin Ollogu Më 11 shtator 2021 Në ora: 11:48
Sali Berisha

Sali Berisha për vite me radhë ishte i humbur në papërgjegjshmërinë morale e institucionale për trazirat e 97-tës, protestën e përgjakshme të 21 –Janarit, shpërthimin vrasës në Gërdec, amnestimin e heshtur të Ilir Metës dhe oligarkëve korruptivë në oborrin e qeverive të tij. Papërgjegjshmëri edhe për vazhdën e nxitjeve të protestave të dhunshme me retorikë opozitariste boshe, duke penguar qëllimshëm qeveritë Rama në rrugën integruese të vendit. Mbetet peng i këtyre ngjarjeve dhe fakteve që buçojnë vazhdimisht, pavarësisht rolit pozitiv e protagonist në rrëzimin e diktaturës, themelimit të Partisë Demokratike, frymëzimit për një Shqipëri të lirë euro-atlantike, e veçanërisht sfidimi i suksesshëm politik kundër Fatos Nanos, ish kryetarit të partisë Socialiste të Shqipërisë.

Më humbës se Berisha ishin bashkëpunëtorët e afërt, servilët që kurrë nuk u vendosën para drejtësisë, ata që përmbushnin interesat personale karrieriste nëpërmjet duarve të liderit historik, të cilët nuk patën guximin dhe ndershmërinë ta kritikojnë dhe kundërshtojnë as për gabimet më të vogla, e që tani me përjashtimin e liderit, me aktin individual dhe heshtjen grupore brenda partisë, shumë prej tyre mendojnë se kanë bërë ‘atvrasje’, e që në fakt kanë bërë të kundërtën, kanë shpëtuar atin nga humbja. Atvrasja duhet të këtë një procedurë ligjore e morale, në të kundërt shndërrohet në “boomerang”.

Sali Berisha ishte i humbur sepse katapultoi në krye të Partisë Demokratike një klloun politik, e bëri atë edhe ministër e kryetar bashkie me një votë të kontestuar diferencë. E mbështeti Bashën me përjashtimet ose ishtë vetë ai që largoi në një formë apo tjetër figurat historike të Partisë Demokratike për ti zëvendësuar me njerës pa identitet, servilë klasikë, që sigurisht ta kishte më të lehtë ti dirigjonte dhe nënshtronte. Por duke harruar se po u shoqërove dhe po bashkëpunove me servilin, pakurrizorin partiak e njerëzor, ai një ditë mund të të hajë edhe kokën tënde në momentin tënd me të dobët, për shpresën e një interesi të tij më të majmë.

Me aktin individual të kryetarit të partisë Lulzim Basha, “kamikazit” të administratës amerikane (sipas tij për të shpëtuar përgjegjësinë e një akti grupor) dhe me heshtjen e një pjese të demokratëve rreth tij, përjashtimi nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, disi e shpëton Sali Berishën, i jep shansin e fitores. I jep të drejtë morale, nxit respektin edhe të shumë prej atyre, të cilëve, me vite e kishte humbur, sepse këtu vihet në kandarin e gjykimit pabesia njerëzore për karrierë, dhe sinqeriteti i gënjeshtërt patriotik për atdheun e Lulzim Bashës. Të kishte Basha një patriotizëm të vërtetë, ose nuk do të ishte bërë kukulla berishiane, ose do ta luftonte berishizmin ligjërisht brenda partisë. Akti i përjashtimit e rikthen Berishën nga humbja letargjike, fuqishëm në figurën e tij protagoniste, i jep një shans për tu ringjallur në protestën e tij për dinjitet.

Fundja ai dhe familja e tij janë akoma të pafajshëm e për akuzat e korrupsionit nuk ka as edhe një hetim apo akuzë zyrtare. Nësë aktet e administratës amerikane janë mbi ligjet dhe të drejtat e liritë universale të njeriut, aq më tepër kur dihet se amerikanët nuk janë engjej, atëherë protesta e për dinjitet është më e arsyeshme. Ne e dijmë që amerikanët lejojnë gjenocidin në Palestinë me arsyetime boshe dhe hipokrite. Ata shkaktuan qindra mijëra vrasje në Irak e gjetiu në lindjen e mesme, paavarësisht se asnjëherë nuk i dhanë prova Kombeve të Bashkuara për armët bërthamore të Sadam Huseinit. Paramendoni se çfarë mund të bëjnë më njerës periferik në botë, si puna e Berishës. Ndoshta kanë dëgjuar një zë korrupsioni, por nuk e dinë ku janë këmbanat e provave, dhe ky zë u mjafton për të ngritur pretendimet e tyre në qellimet e vendosura, qëllime që edhe mund të jenë të drejta, por me metoda të gabuara veprimi.

Berisha tani kërkon rikthimin e sovranitetit partiak nga shantazhimi i jashtëm, kërkon respektimin e statutit të partisë, që të jetë partia dhe organi kompetent me tagër përjashtimi, dhe jo akti i një njeriu të vetëm qoftë edhe lideri. Për ironi, pëson atë që ju ka bërë tjerëve, përjashtimi dhe gjykimi subjektiv, por asnjëherë përjashtim me akte individuale. Pëson edhe nga vetë administrata amerikane, sipas tij, shtetin e lirive të mëdha, që verbërisht Saliu e mbështeste në okupimin sistematik të Palestinës nga izraelitët.

Pavarësisht gabimeve, krahasimisht roli i Berishës nuk është si i asnjë tjetri nga të përjashtuarit e mëparshëm ne Partinë Demokratike, andaj pesha e këtij vendimi arbitrar, në kundërshtim me statutin e partisë, servilosja për pushtet nga Lulzim Bashës me shokë, (për pushtetin që sikur duket sdo ta marrë kurrë), administratës amerikane, i jep Berishës fitoren e munguar morale, e shpëton atë, pavarësisht a do jetë apo jo më në grupin parlamentar, pavarësisht a do tja kthejë sovranitetin e pretenduar partisë dekomratike.

Edi Rama e vrau atin e tij politik Fatos Nanon, por e vrau fillimisht me argumentet e kundërshtimit politik e pastaj në kongreset e partisë dhe jo arbitrarisht si mundohet Lulzim Basha. Basha nuk e vrau atin politik, nuk ështe original, ështe kopje liderësh, nuk ka aftësi për ta vrarë babain politik. Ta vrasësh atin është ta kundërshtosh atë për politikat e dëmshme, t’ja drejtosh gishtin e gabimit, ta mundësh konform statutit të partisë. Ky përjashtimi i këtillë, i jodinjitoz, i kontribuesit me të madh të Partisë Demokratike, nga vetë krijesa e tij politike impotente, e humb partinë, e shndërron në një leckë që gjithkush i fuqishëm mund ta shantazhojë me shpresen dhe premtimin për të ardhur në pushtet lideri i pamjaftueshëm, humbesi serik i zgjedhjeve. Haruar se në pushtet të sjell vota e sovranit dhe jo karrigia e ambasadorëve, ashtu siç e solli Albin Kurtin vota e popullit, edhe pse karriget e ambasadave të fuqishme ishin kundër tij.

Në Maqedoninë e Veriut, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare vërtetë shkarkoi Ziadin Selën nga partia pasi ky i fundit filloi te vrase atin, por u dëshmua shkarkim i padenjë, sepse Ziadini filloi dhe e vrau atin politik me fakte dhe të drejtë morale, se u detyrua te themelojë parti të re, por kryesisht e fillimisht me mbeshtetësit e partisë së vjetër.

Ёshtë shumë e padenjë që figurat historike të trajtohen në mënyrën që po trajtohet aktualisht Berisha, është si të gjykosh dikë me burg apo dënim kapial, pa mbajtur gjykim, pa akuzë, pa mbrotje dhe pa gjyqtarë dhe të tjerët të duartrokasin vendimin. Edhe më e padenjë kur ky gjykim vjen nga servilët e deridjeshëm, nga bashkëpunëtorët më të afërt, ata që kurrë sta kanë thënë një fjalë të keqe, ata që tinëzisht kanë pritur momentin e litarit për fyti, për të hequr të parët karrigen. Nga hiri i gjithë këtij amoraliteti politik dhe natyre të mbrapshtë njerëzore, del fitorja dhe bëhet shpëtimi i Sali Berishës, minimalisht ajo morale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat