A duhet të shuhet PDK?

Opinione

A duhet të shuhet PDK?

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 22 shtator 2021 Në ora: 09:39

Në statutin e saj çdo parti politike e ka të shkruar arsyen e themelimit, synimet e saja e të cilat pastaj prodhojnë formimin e një partie politike. Mirëpo kur ajo parti del krejtësisht nga statuti, qëllimi dhe synimet e saja, shtrohet pyetja pse duhet të ekzistojë ? Dikush edhe mund të thotë se janë reformat që duhet të ndiqen, s’ka pse shuhet dhe me të drejtë derisa ajo parti s’ka bërë krejt të kundërtën dhe dëmet e saja nuk mund të riparohen më.

Në këtë rast, s’ka arsye të ekzistojë një parti politike, për më tepër edhe të ndëshkohen krerët e saja për dëmet që kanë shkaktuar. Rast i tillë është me PDK. Partia Demokratike e Kosovës është një parti politike nga Kosova, e formuar pas mbarimit të luftës në vitin 1999 nga udhëheqës të UÇK-së, shumica e të cilëve deri asokohe ishin aktivistë dhe udhëheqës të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Në fillim partia kishte emrin Partia për Progres Demokratik e Kosovës, por më vonë e ndërroi emrin në Partia Demokratike e Kosovës. Ndonëse e quan veten demokratike, s’ka asgjë më demokratike.

Nëse kjo parti politike është formuar me aspiratat dhe idealët e luftës për liri, drejtësi, barazi, dinjitet, a ka prodhuar një gjë të tillë për 12 vjet në pushtet, përgjigja është jo. Këtë e themi me fakte, dëshmi më e mirë është gjendja në terren. Për 12 vjet të qëndrimit të PDK në pushtet, në Kosovë s’ka pasur as liri, as drejtësi, as barazi de as dinjitet. Për shkak të mungesë së tyre mbi 300 mijë qytetarë kanë lëshuar vendin, njësoj si të ishte luftë. Drejtësia ka kapitulluar, kjo edhe u ka lejuar krerëve të PDK të bëjnë çfarë u ka dashur mendja dhe zemra dhe mos të ndëshkohen kurrë. Janë bërë milionerë në emër të idealit të luftës, në emër të gjakut të dëshmorëve kanë ndërtuar vila, jetë luksi, me popullin që në varfëri ekstreme dhe mungesë dinjiteti është detyruar të lëshojë vetën.

Mbi 40 veteranë të luftës janë vetëvrarë nga mungesa e kushteve bazike për jetën. Shëndetësia është në kolaps total, me qytetarët që detyrohen të shkojnë edhe në Beograd për shërim, e kjo është gjë e turpshme. Arsimi po ashtu në gjendjen më të keqe të mundshme, analfabetizmi aktiv është shumë më i rrezikshëm se ai pasiv, duke u radhitur të fundit në botë për nga cilësia. Ekonomia në duart e ca oligarkëve të lidhur ose të qenët vetë njerëz të PDK.

Kjo parti politike në krye me njeriun e saj ka synuar edhe të copëtojë vendin, gjë që përcaktohet në Kushtetutë si tradhti kombëtare. Duke pasur të gjitha këto, duke degraduar vendin jo për disa vite por për shekuj, PDK s’ka asnjë arsye as morale dhe as kushtetuese të ekzistojë.

Në këtë kuptim, kjo parti politike, pavarësisht proklamimit të reformave, vështirë të ndodh një gjë të tillë kur kreu i saj i ri në fjalimin e ka sentencë kryesore “vazhdimin e trashëgimisë”, për të cilën e drejta për ekzistencë nuk ekziston. Në rastin më të mirë të mundshëm, edhe nëse reformohet, dëmet janë të mëdha, sa vështirë që të rikuperohen ndonjëherë. PDK në vend të shpresë solli dëshpërim, dhimbje, rrënim, të cilat e bëjnë të pakuptueshme ekzistencën e një partie të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat