Kur mësuesit gabojnë!

Opinione

Kur mësuesit gabojnë!

Nga: Sylejman Salihu Më: 26 shtator 2021 Në ora: 11:22
Sylejman Salihu

Rrjeti social FACEBOOK është shndërruar në një diarre, do të thoshte një njeri medial. Mbase edhe nuk është pa një bazë konstatimi i tij. Aty ka gjithçka, sepse aty të gjithë janë të barabartë dhe kjo është liria e vërtetë e shtypit online. Aty shkruajnë ata që dinë dhe ata që s' dinë, ata që kanë kulturë shkrimore dhe ata që s' kanë kurrfarë kulture shkrimore, ata që janë politikë dhe ata që janë apolitikë, sado vet njeriu është "kafshë politike" , thotë Aristoteli.

Aty shkruajnë njerëz hallexhinj dhe aty shkruajnë edhe njerëz sevdali, njerëz mendjemëdhenj dhe njerëz modestë, njerëz të sinqertë dhe njerëz hipokritë, njerëz besnikë dhe njerëz servilë, njerëz të arsimuar dhe njerëz të paarsimuar, njerëz që kanë kulturë gjuhësore dhe njerëz që nuk kanë kurrfarë kulture gjuhësore. Aty prezentojnë veten dhe shfaqin ide, parime, këshilla, kundërshtime, projekte, lajka, miklime, ledhatime njerëz të të gjitha fushave dhe të të gjitha shtresave sociale, politike, arsimore. Aty njëri i thotë tjetrit: ti shkruaj për mua , unë shkruaj për ty, unë të uroj ty dhe ti më uron mua, unë të lëvdoj ty dhe ti më lëvdon mua, ti më jep mirënjohje mua dhe unë të jap mirënjohje ty, unë të botoj ty dhe ti më boton mua dhe, dhe,dhe. Dhe të gjithë janë të lirë të bëjnë ashtu siç duan, por të gjithë duhet të kenë një lloj përgjegjësie për fjalën që thonë apo për fjalën që e shkruajnë, sepse fjala është publike. Ndonëse dikujt edhe "i lejohet" kushtimisht edhe të gabojë, por janë një kategori njerëzish , që nuk duhet të gabojnë, ose që duhet të gabojnë sa më pak që të jetë e mundur. Kush janë ata? Mësuesit dhe vetëm mësuesit.

Në faqet e FB ka shumë mësues, që shkruajnë dhe madje shkruajnë me një zell të madh, duke dashur të shprehin veten e tyre, mendimet e tyre, pikëpamjet e tyre, jetën e tyre. Por përderisa mësuesit janë njerëz që i mësojnë të tjerët, mjerisht dalin ata vet që nuk janë të mësuar sa duhet ose janë të pamësuar. Mjafton të lexosh statuset e tyre dhe menjëherë vjen te konstatimi i dhembshëm se ata nuk janë mësues të mirë, sepse një mësues duhet së pari të jetë vet i mësuar, që pastaj ta mësojë dikë tjetër. Sepse kur gabon mësuesi, atëherë do të gabojë edhe nxënësi dhe kolona e gjatë e ushtrisë së nxënësve dalin të pamësuar, të palexuar dhe për pasojë edhe të paarsimuar e të paedukuar. Njerëz jemi dhe nuk jemi askush të pagabuar, por të gabosh çdo herë dhe të mos kujdesesh asnjëherë që të mësosh ndonjëherë nga gabimet, kjo është e pafalshme.

Nuk dua të flas se çka shkruajnë ata, me çfarë përmbajtje i mbushin statuset e tyre, por vet drejtshkrimi i sakatosur i tyre, e tregon qartë se ç' mësues kemi pasur apo kemi nëpër shkollat tona. Mësuesit tanë gabojnë shumë, fatkeqësisht aq shumë ,sa nuk ka asnjë mundësi që t' i falësh. Shumë nga ata as nuk dinë kur përdoret shkronja ë, as kur përdoret shkronja q apo shkronja ç, as kur përdoret shkronja gj apo shkronja xh , as kur përdoret apostrofi dhe në cilat trajta të shkrutra përemrore, as si zgjedhohet drejt një folje, as si përdoret drejt paskajorja, as si përdoret drejt lidhorja, as si përdoret drejt kushtorja, as kur përdoren thonjëzat, as kur përdoret shkronja e madhe, as si shkruhen urimet, mallkimet, bekimet, as kur përdoret pika, pikëçuditja, apo pikëpyetja! Vërtet është shqetësuese, tepër shqetësuese dhe kjo tregon se çfarë mësues kemi pasur në shkollat tona dhe ne kemi pritur kuadro që kanë dalë nga duart e tyre. Mësuesi fillon ta ndërtojë njeriun e ardhshëm, nga i cili ky njeri fëmijë mëson dhe ai mëson nga mësuesi, sepse ai mendon dhe beson se mësuesi është vet i mësuar dhe i lexuar sa duhet.

Lexuesi në faqet e FB kur lexon disa mësues trishtohet nga të shkruarit e tyre dhe as nuk mërziten sepse mësuesit tanë në të shumtën e rasteve edhe dinë të "arsyetohen" se nuk kanë studiuar gjuhën shqipe,prandaj edhe nuk janë përgjegjës për gabimet!!!Mësuesi përderisa mban mësim në këtë gjuhë, ai duhet ta njohë mirë gjuhën dhe drejtshkrimin e saj, që nxënësi të dalë i mësuar drejt. Kultura e tyre gjuhësore është larg asaj të dëshiruarës, për të mos thënë është e mjerueshme. Ata duhet të jenë vet model, nga të cilët të tjerët duhet të mësojnë, por ja që mjerisht nuk është ashtu. Njeriu gëzohet dhe mahnitet nganjëherë kur lexon shkrime, ese, komente nga mjekë, inxhinierë, profesorë, se si dinë të shkruajnë aq bukur dhe aq drejt dhe se si dinë të respektojnë gjuhën e tyre, që është pasuria jonë e përbashkët e trashëguar.

Mësuesit që shkruajnë në FACEBOOK duhet të jenë shembull se si duhet të shkruhet gjuha shqipe. Ai nuk e ka luksin që të gabojë! Nëse mësuesi gjerman, anglez, suedez, italian, grek nuk gabon, përse u dashka të gabojë mësuesi shqiptar? Cila është liria e tij? Apo nëse gabon, duhet të mësohet që të mos gabojë, duhet të shkollohet, të rikualifikohet, që të jetë i denjë në vendin e punës dhe të mos mësojë fëmijë që më vonë nuk dinë ta shkruajnë as emrin e tyre. Mësuesi që e shkruan foljen jam në kohën e kryer "kam çenë", apo fjalën Gjermani e shkruan Xhermani, ai mësues duhet të pushojë së punuari si mësues.

Mësuesi që e shkruan fjalën "është"(ësht) pa ë në fund duhet të shkojë në shtëpi dhe t' ia lirojë dikujt tjetër vendin e punës. Mësuesi që në ndarje përshëndetet me mikun e tij me urimin "Kalo mirë!, duhet të shikojë menjëherë gramatikat e shkollës fillore dhe të mësojë drejt se si duhet të zgjedhohet folja në mënyrën dëshirore, sepse ti me atë rast i dëshiron atij diçka dhe nuk e urdhëron atë me patjetër. Në më paç mik, më uro, më dëshiro diçka, mos më urdhëro! Përse mësuesit tanë nuk e konsultojnë fjalorin?Nëse ata përtojnë ta shfletojnë në shtëpi se mund të tjetë " i rëndë", atë mund ta bëjnë online në celularët e tyre dhe kështu mund të shikojnë e rishikojnë sa herë të duan se si duhet të shruhet fjala? Mësuesi nuk duhet të jetë kurrë më i dobët në të shkruar apo më i keq se një deputet në Parlamentin e Kosovës apo në Parlamentin e Shqipërisë. Jo. Shkrimtarja dhe deputetja e Shqipërisë, Flutura Açka, në seancën e parë si deputete para ca ditësh alarmoi kur tha se si po masakrohet dhe asimilohet gjuha shqipe!!!

Ajo ngriti me duar lart një dokument ku vetëm në një paragraf prej dhjetë rrjeshtash, kishte konstatuar 25 gabime drejtshkrimore!!! Kjo tregon se çfarë njerëz po dalin nga shkollat tona si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Dhe kjo u faturohet mësuesve. Mësuesi duhet ta ruajë dhe ta kultivojë dinjitetin e tij profesional dhe moral. Ai është autoriteti i parë i një shoqërie, nga i cili dalin ndërtuesit e pastajmë të shtetit.

Ai duhet të jetë më lart se një deputet, sepse profesioni i një mësuesi është jetësor, kurse i një deputeti që ka hyrë aksidentalisht në parlament është i përkohshëm. Jo rastësisht Albert Kamy, kur mori vesh se iu nda çmimi i madh NOBEL për letërsi, të parit që iu drejtua me shkrim ishte mësuesi, sepse ai e kishte ngritur çunin e vogël në ecejaket e para të shkrimit. Prandaj kjo gjendje duhet të na bëjë që jo vetëm të mërzitemi e të shqetësohemi, por të trishtohemi dhe të thërrasim në ndihmë kompetentët institucionalë që të bëjnë sa më shpejt diçka që të shpëtohet gjuha shqipe nga rënia dhe degradimi fatal. Sa më shpejt, aq më mirë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat