Pas Rugovës, cili politikan është më i suksesshëm?

Opinione

Pas Rugovës, cili politikan është më i suksesshëm?

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 30 shtator 2021 Në ora: 17:42
Ibrahim Rugova

Sa më shumë kalon koha, kuptohet dhe vlerësohet më shumë vepra e njerëzve të mëdhenj, të cilët nuk janë në mesin tonë më fizikisht. Derisa fizikisht nuk janë, me veprat e tyre kanë mbetur të pavdekshëm. Njëri ndër ta, dhe për Kosovën më i rëndësishmi nga të gjitha, Presidenti Ibrahim Rugova i mungon shumë Kosovës.

Rugova, intelektual evropian, i qetë, i mençur, çelik në butësinë e tij, si askush tjetër udhëhoqi një komb të shtypur drejt ëndrrës për liri dhe pavarësi. Njësoj si Moisiu që u flijua për popullin e tij, ashtu edhe Rugova për pavarësinë e popullit të tij, me pa hallallin e madh që nuk e priti dot atë ditë. Në një kohë pa kohë, Rugova e ktheu atë në kohën e tij, duke fituar respektin e botës, e bëri Kosovën dhe problemin e saj të njohur, e të cilat rezultuan pastaj me pavarësinë e 17 shkurtit.

Tanimë kur Kosova po përballet me probleme të shumta, me Serbinë në njërën anë që synon dhe po bën të gjitha përpjekjet për ndarjen e saj, më situatën në Veri, klasa politike në Kosovë nuk është unike, mes lukunive të njërën dhe palës tjetër për poenë politikë, mungon zëri i arsyes, zëri i qetë por i mençur që skenën politike i ka munguar që nga 21 janari i 2006. Edhe ata që thirrën në emrin e tij, s’kanë asgjë të përbashkët me të, i duan emrin për të rritur veten. Rugovës duhet t’ia adhurosh veprën, të ndjekësh rrugën e tij, idealin e tij për një komb shqiptar të fortë e të bashkuar, që më shumë se kurrë sot kemi nevojë.

Njëri vëlla bën argatin e armikut të pjesës tjetër të kombit, me ëndrrën djallëzore për okupim dhe luftë. Derisa Rugova krijonte ekip të unitetit për çështje madhore, politika e sotme shfrytëzon edhe territorin për poena politik.

Të rikthehemi te ajo për të cilën të gjitha flasin për Rugovën, bëjnë nderime në rastin e ditëlindjes dhe vdekjes së tij, pro realisht cili nga politikanët e sotëm në politikën shqiptare si andej dhe këndej kufirit po e ndjek rrugën e Rugovës, ose thënë më mirë, cili nga ata është më afër vizionit të Rugovës. Do të thotë të jesh me vizionin e Rugovës të jesh njësoj si ai, në koncept po, e këtë duket se vështirë do ta gjeni tek një politikan. Dikush mund të thotë se Albini (edhe pse majtist), dikush Vjosa, e dikush Ramushi, Luli apo Rama etj, secili ka mendimin e tij.

Të ndjekësh modelin e Rugovës, konceptin e tij politik, do të thotë të jesh një me popullin, të jetësosh ëndrrat e tij për rikthim në gjenezë të saj në njërën anë dhe duke përqafuar vlerat amerikane në anën tjetër. Të çmosh etninë tënde të lashtë pa urrejtje, të duash tënden, të kultivosh të mirat që Zoti i ka falur kombit tonë, të dish të flasësh, fjala të ketë vlerë dhe vepra të ketë peshë, vlera të rralla që një politikan t’i ketë, të gjitha këto kanë një emër Ibrahim Rugova, mungesa e tij po vërehet çdo ditë e me shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat