Zgjedhjet lokale në Kosovë dhe vendimi për të votuar

Opinione

Zgjedhjet lokale në Kosovë dhe vendimi për të votuar

Nga: Burim Breznica Më: 9 tetor 2021 Në ora: 09:30
Burim Breznica

Zgjedhjet lokale në një vend mbahen për të zgjedhur në mënyrë demokratike përfaqësuesit e popullit në nivel lokal. Duke zgjedhur përfaqësuesit e tyre, qytetarët ju japin mandatin atyre të zgjedhurve për të udhëhequr dhe për të vendosur në një komunë për mandatin vijues. Një rëndësi e veçantë e pushtetit lokal është sepse e vë theksin tek liria e një komune për të vendosur dhe vepruar vet për nivelin lokal sipas interesave të qytetarëve që dmth. mundëson decentralizim të pushtetit nga niveli qendror në zonë të caktuar lokale dhe në fusha specifike. 

Ndërsa  qytetarët presin nga përfaqësuesit e tyre që ata të punojnë në mënyrë të ndershme, që të vendosin për buxhetin dhe për menaxhimin e komunës në fusha të ndryshme (si psh. infrastrukturë lokale, arsim, ekonomi etj.), të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve, të ofrojnë shërbimet komunale. Pastaj të krijojnë qeverisje të përgjegjshme dhe transparente dhe e tëra kjo pasi përfaqësuesit e zgjedhur marrin mandatin nga qytetarët përmes votës së tyre për të punuar dhe për të ju shërbyer atyre. Në vazhdim do të përmend shkurtimisht disa nga kompetencat e Kuvendit Komunal dhe të Kryetarit dhe do të bëj një krahasim se si vendosin të votojnë votuesit në Perëndim e si ata në Kosovë. 

Kuvendi komunal është organi më i lartë në komunë. Ky organ përbëhet nga anëtarët e kuvendit të komunës, të cilët zgjedhen me votën e drejtpërdrejtë të qytetarëve, dhe udhëhiqet nga kryesuesi i cili zgjidhet me shumicën e votave të anëtarëve të Kuvendit të Komunës. Kuvendi i Komunës mund të miratojë akte brenda fushës së kompetencave të tij. Kuvendi mbikëqyr punën e ekzekutivit të komunës dhe për këtë i përgjigjet direkt qytetarëve. Disa nga përgjegjësitë e këshilltarëve komunal janë planifikimi dhe ndërtimi infrastrukturës lokale, zhvillimi lokal ekonomik, planifikimi urban dhe rural, nxjerrja e akteve komunale, pastaj mos të abuzojnë më pushtetin dhe qeverisjen lokale etj. Janë edhe kompetencat e deleguara nga niveli qendror në nivelin lokal si psh. shërbimet kadastrale, regjistrimi civil, regjistrimi i bizneseve etj.

Kryetari i komunës zgjidhet çdo katër vite dhe ka autorizime të dukshme. Ligji për Vetëqeverisje Lokale thekson që Kryetari i komunës është përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të vendimeve dhe akteve të miratuara nga kuvendi i komunës dhe për të përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e komunës në mënyrë të duhur. Ai përfaqëson komunën dhe vepron në emër të saj, nxjerr vendime etj. Kryetari mund të emëroj dhe shkarkoj drejtorët e drejtorive, te cilët janë përgjegjës për menaxhimin dhe drejtimin e drejtorive të tyre në përputhje me udhëzimet strategjike dhe politike të kryetarit. Është me rëndësi të nënvizohet se Ligji për Vetëqeverisje Lokale e bën një dallim të qartë mes rolit të Kuvendit të Komunës (si pushteti legjislativ) dhe atij të Kryetarit të Komunës (si pushteti ekzekutiv).

Përgjegjshmëria dhe transparenca në qeverisje janë me rëndësi për tu siguruar në mënyrë që kryetari dhe kuvendi të menaxhojnë sipas ligjit dhe në mënyrë efikase me resurset e shtetit në nivel lokal. 

Si vendosin qytetarët të votojnë në Perëndim e si ata në Kosovë?

Në librin e tyre “Zgjedhjet dhe votimi” (Elections and Voting, 1998), Dr. Martin Harrop dhe profesori William Miller shkruajnë se janë tre faktorë që shpjegojnë sjelljen elektorale dhe ata janë identifikimi me partitë, zgjedhjet sociologjike dhe ato racionale. Ata që identifikojnë veten me partitë psh. thonë se ne jemi liberalë apo të tjerët konservativë ose të gjelbërt etj. Faktorët sociologjikë kanë të bëjnë me atë që njerëzit e identifikojnë veten me një grup votuesish apo interesash. Psh. partia Labour në Angli ose partia Socialdemokrate në Suedi votohen më shumë nga klasa punëtore, nga sindikatat, disa nga shtresa e mesme si rregull etj, kurse partia Konservative - Tories në Angli dhe Moderatët psh. në Suedi votohen si rregull më shumë nga klasa e mesme dhe të pasurit, pastaj ata që janë më konservativë etj. Faktorët e zgjedhjes racionale kanë të bëjnë me atë se cili kandidat/e apo parti i plotëson më së miri interesat e tyre personale. Të tjerë votues mendojnë se cila parti siguron mirëqenie për vendin, siguri më të madhe apo më shumë drejtësi. Votues të tjerë mendojnë se si ka punuar qeveria qendrore dhe ajo lokale, sa kanë mbajtur premtimet, sa ka përparuar shteti me këtë qeverisje etj. dhe e krahasojnë me një qeveri të ardhshme që ata mendojnë se do të punonte më mire, do të sillte ndryshime pozitive për komunën ose jo, në cilat fusha dhe sektore etj.

Në SHBA, disa hulumtues definojnë identifikimin partiak si “formë të një identiteti social” siç mund të identifikohen disa persona me etnitetin ose fenë. Një identifikim i tillë ndodh herët në jetë dhe zakonisht përmes ndikimeve familjare dhe sociale. Nje kategori tjetër e votuesve janë militantët partiak që janë të tillë zakonisht për shkak të faktorëve ideologjikë ose bindjeve të tyre të thella partiake. Ata zakonisht kanë tendenca të forta që të votojnë kandidatët e një partie në shumicën e zgjedhjeve, qoftë ato lokale apo qendrore. Hulumtues të tjerë shohin identifikimin partiak si më fleksibil dhe më shumë si zgjedhje të ndërgjegjshme. Ata e shohin atë si pozicion dhe zgjidhje të bazuar në vlerësimin e situatës aktuale politike, sociale dhe ekonomike.

Në SHBA e Perëndim por edhe në vende të tjera, një tjetër grup i votuesve janë ata që votojnë për programin ose për çështje të caktuara politike. Një pjesë e votuesve votojnë edhe për çështje konkrete si psh. kur një parti premton rritje pagash, pensionesh, bursash apo shtesave për fëmijë atëherë ajo parti votohet për ato politika konkrete apo premtime, në të kundërtën në zgjedhjet tjera parti të tilla dënohen nga votuesit për mos mbajtje të premtimeve. Në nivelin lokal dihet që qytetarëve iu interesojnë më shumë çështjet praktike si psh. kandidatët që i njohin, infrastruktura lokale, arsimi lokal, ekonomia dhe bizneset lokale etj. Procesi derisa një votues perëndimor të vendos mund të përfshij tre faktorë. Së pari, qytetarët kërkojnë një parti që ka pikëpamje politike të ngjashme me votuesit psh. lidhur me prioritetet, interesat dhe vizionet për të ardhmen (identifikimi me partinë në bazë). Së dyti, mund të ndikoj se sa është kompetente dhe e besueshme ajo parti që të promovoj interesat e individit dhe vendit (faktori i zgjedhjes racionale). Së treti është zgjedhje strategjike, a ka gjasë të fitoj apo të ndikoj një parti që të mos humb vota individuale e votuesve. Një pjesë e votuesve mendojnë se vota e tyre nuk ka rëndësi dhe thonë nuk do votojmë për arsye se nuk vendos një votë. Por ai është kalkulim i gabuar sepse praktika perëndimore njeh raste kur zgjedhjet janë vendosur për një votë ose numër margjinal votash. 

Në Kosovë, votuesit përcaktohen të votojnë për partitë, për liderë partiakë, për arsye se identifikohen me grupe interesash apo në disa raste edhe identifikim me lokalitete e kandidatë të caktuar e ndoshta më pak për programet politike, me ndonjë përjashtim. Nëse shikohet psh. se si bëjnë fushatë partitë politike në Kosovë, ka ngjashmëri por edhe dallime, me fushatat në Perëndim. Edhe partitë politike në Kosovë promovojnë kandidatët, programet politike dhe idetë e tyre që një pjesë e qytetarëve bazohet në to, pastaj organizimi i takimeve dhe vizitat në lokalitete të ndryshme, takimet me grupet profesionale dhe ato të interesit, debatet në televizione nacionale dhe lokale etj. 

Një kandidat për kryetar komune i një partie politike në Kosovë deklaronte para disa ditësh që “do të ndërtonte një teleferik në lagjen e Arbërisë”. Një tjetër kandidat thoshte se “se ne do të mund të ndërtonim një liqen artificial në Prishtinë, në vend të stadiumit të futbollit”. Kurse të tjerë flisnin psh. “për ndryshimet që do të bënin në qeverisje dhe për zhvillimin lokal ekonomik”. Pa paragjykuar asnjë kandidat, çështja me rëndësi është se si dhe a do të mund të realizoheshin ato premtime në praktikë? Për realizimin e ideve të tilla duhet pasur dije, kapacitete teknologjike, një plan kohor dhe burime financimi. Kjo iu mbetet qytetarëve të Kosovës për të vlerësuar dhe gjykuar.  

Ajo që i dallon votuesit në Kosovë por edhe në Shqipëri nga ata në perëndim janë, përveç tjerash, mënyra dhe transparenca e qeverisjes së vendit, pastaj mundësitë dhe resurset e ndryshme ekonomike dhe natyra e sfidave dhe problemeve me të cilat ballafaqohen. Një tjetër dallim i dukshëm është që në shumë vende perëndimore, partitë e gjelbërta janë bukur të fuqishme (edhe në nivel lokal) dhe kanë ndikim politik kurse në Kosovë dhe psh. në Shqipëri kanë ndikim shumë të vogël. Premtimet që bëhen gjatë fushatave në vendet perëndimore qoftë në nivel qendror apo lokal kanë një plan realizimi dhe financimi dhe në shumicën absolute të rasteve nuk janë premtime boshe.

Në Kosovë, me gjasë  shumë veta do të vendosin të votojnë për atë parti që ata mendojnë se do të vazhdoj punën e nisur. Pastaj për atë parti që angazhohet për reciprocitet/barazi në përfaqësim dhe ushtrim të sovranitetit të vendit (për dallim nga miratimi i asociacionit të komunave serbe dhe hyrjes në pazare të dëmshme për territor, si kishin bërë disa parti të tjera më parë), dhe në këtë pikë niveli qendror ndikon në atë lokal. Votues të tjerë duket se do të vazhdojnë të votojnë për parti që ata identifikohen me to, me programin e tyre edhe në nivelin lokal kurse votues të tjerë duket që do të votojnë për parti që thirren në vlera të luftës dhe kandidatët e tyre lokal. Votues të tjerë do të votojnë për ndryshime në disa komuna ku ata janë të pakënaqur. Një pjesë e mirë e votuesve do të vendosin të votojnë për atë parti dhe ata kandidatë që janë të shkolluar e më përvoja profesionale, që janë të pakorruptuar dhe që premtojnë zhvillim real ekonomik. Një pjesë tjetër e votuesve do të përkrahin ato parti dhe ata kandidatë që kanë qenë parimor, konstruktiv, që kanë mbajtur fjalën dhe premtimet e tyre në raport me qytetarët. Përfundimisht, më 17 tetor 2021, populli si sovran do ta vendos dhe vulos fituesin e zgjedhjeve dhe pushtetin e ardhshëm lokal në nivel vendi.

Autori ka specializuar në Administratë Publike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, në Universitetin e Stokholmit. Pikëpamjet janë personale dhe nuk përfaqësojnë institucionin suedez ku ai është i angazhuar (Departamenti për Marrëdhënie me Jashtë, Administrata Tatimore e Suedisë). 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat