PDK, e keqja më e madhe për Kosovën!

Opinione

PDK, e keqja më e madhe për Kosovën!

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 13 tetor 2021 Në ora: 09:17
Foto ilustrim

Tani u bënë 22 vjet që nga themelimi i PDK-së, Partia Demokratike e Kosovës. Fillimisht ishte emërtuar si PPDK, por më vonë u hoq akronomi i një shkronje. Që nga themelimi e deri në vitin 2016, pra për 17 vjet kryetar i saj ishte Hashim Thaçi, pastaj këtë post e mori Kadri Veseli, deri në nëntor të vitit 2020, dhe që pak muaj e mban Memli Krasniqi.

Kështu mund të përshkruhet 22 vjetori i PDK-së, kështu në një lajm të shkurtër në media, e të cilat fokusohen pse lindi kjo parti, cili ishte roli i saj, arritjet dhe dështimet e saj dhe ku është sot PDK.

E thirrur në emër të vlerave të luftës dhe si pasardhëse e saj, PDK me veprimet e saja nuk ka përligjur as për së afërmi atë për të cilën është krijuar, e që ka të bëjë me respektimin e luftës, shërbimin ndaj qytetarëve për një jetë më të mirë. Ishte kjo parti në pushtet për 12 vjet, vitet në të cilat vendi ynë pësoi dështime fondamentale, në themelet e saja.

Njerëzit e PDK-së ishin personat kryesorë të kapjes së shtetit, kapje dhe akoma vazhdon ta mbajë vendin të mbërthyer, ndonëse jo si më parë. Meqenëse kanë qëndruar kaq gjatë në pushtet, edhe kapja e shtetit ka depërtuar në të gjitha segmentet e shoqërisë. Segmentet, shtyllat kryesore të shtetit PDK i ka shkatërruar: shëndetësi, drejtësi, arsim dhe ekonomi, të gjitha janë si mos më keq.

Gjatë qeverisjes së PDK-së nga vendi ynë janë larguar mbi 200 mijë qytetarë, varfëria është shtuar, arsimi ka kapitulluar, drejtësia është vënë nën pranga të klanit “Pronto” dhe e fundit dhe më tragjikja: përpjekjet e njerëzve kryesorë të PDK-së, konkretisht të Hashim Thaçit për ndarje të Kosovës.

Pas gjithë këtyre veprimeve, PDK ndodhet me shumë të drejtë në opozitë, aty ku duhet shumë kohë të qëndrojë për të larë mëkatet e së shkuarës. Tanimë PDK ka një kryetar të ri nga mosha por jo nga mentaliteti, produkt i klanit “Pronto”, atyre njerëzve që e përdorin për qëllime të tyre. Kryetari aktual i PDK-së ka qenë edhe ministër jo i suksesshëm, si një prelud për dështimet e pritshme.

Akoma brenda PDK-së vendosin komandantët, njerëz të forcës, muskujt, jo mendjet e shëndosha, jo njerëz të pakorruptuar, e të cilët bëjnë që reformimi të jetë shumë i thellë. PDK, edhe sikur të reformohet, dëmet që i ka bërë vendit janë pothuajse të parikuperueshme, ato kanë dëmtuar jetën e qytetarëve, shpresën e vrarë të tyre e që ka ndikuar që të ikin jashtë, më nuk kthehen dot.

Pastaj, mos të flasim për arsim, shëndetësi, ku njerëzit edhe kanë pësuar me jetë. Ky 22 vjetor e gjen PDK në opozitë, por shumë larg te qenët një parti që mund të shihet si alternativë e sigurt për të tashmen dhe të ardhmen e saj.

Fatkeqësisht, PDK ende s’ka kërkuar falje për gabimet e saja, ajo mëton se ka qenë e suksesshme, gjë që e bën akoma më të thellë problemin. Mungesa e reflektimit përjashton të gjitha mundësitë e ndryshimeve të pritshme, të domosdoshme të PDK-së, e cila ka shumë nevojë për reflektim, ndryshim.

22 vjet të PDK-së për Kosovën kanë qenë fatkeqësi, me dëmet dhe pasojat edhe për shumë vite të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat