Kosovë e dashur, kush ia dha votën opozitës ta nguli në shpinë tehun e thikës

Opinione

Kosovë e dashur, kush ia dha votën opozitës ta nguli në shpinë tehun e thikës

Nga: Rexhep TORTE Më: 18 tetor 2021 Në ora: 21:14
Autori

Votuesit në Kosovë shëmbëllyen në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021 me fitoren plebishitare të Vetëvendosjes së Albin Kurtit, ndërsa tradhtuan dhe u turpëruan në zgjedhjet lokale të 17 tetorit 2021, në të cilat Vetëvendosje në raundin e parë nuk arriti të fitojë në asnjë komunë.

Koha do ta dëshmojë më së miri këtë qëndrim tradhtie e të turpshëm të votuesve në Kosovë, por ajo që mund të thuhet tani është se votuesit në Kosovë duke votuar për opozitën u treguan tejet naivë, të papërgjegjshëm, të mashtruar, të manipuluar, të kërcënuar dhe të shitur te opozita.

Vota e dhënë opozitës në këto zgjedhje lokale është thikë në shpinë të Kosovës, për çka votuesit në Kosovë të cilët ia dhënë votën opozitës shpejt do të pendohen, por thënia popullore filozofike thotë se, “Kur të vijnë mendtë,të kanë ikur dhentë”.

Ta tradhtosh Vetëvendosjen dhe Qeverinë e Albin Kurtit, në Kohën kur është duke i bërë hapat e duhur për reformat në drejtësi, për luftimin e korrupsionit, pasurimit të jashtëligjshëm dhe kur është duke i demaskuar hajnat rezilë e katil të Kosovës.

Në kohën kur Qeveria e Albin Kurtit solli ndryshim rrënjësor duke i dhënë fund mënyrës së dialogut poshtërues Kosovë-Serbi, ku Kosova ishte palë e nënçmuar nga Serbia dhe BE-ja.

Në kohën kur Qeveria e Albin Kurtit është në përgatitje e sipër të padisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, kundër Serbisë kriminale për gjenocidin dhe krimet e kryera në Kosovë, që nuk e bëri asnjëra nga qeveritë e derisotme në 21 vitet e kaluara.

Në kohën kur Qeveria e Albin Kurtit duke e vendosur reciprocitetin e targave të automjeteve me Serbinë, i bëri hapat e parë që nuk guxoi të bëjë asnjë qeveri e derisotme.

Në kohën kur Qeveria e Albin Kurtit kreu edhe aksionin serioz të Policisë dhe Doganës kundër grupeve kriminale, krimit të organizuar dhe kontrabandës edhe në Veri të Kosovës.

Në kohën kur Qeveria e Albin Kurtit ndodhet para sfidave të mëdha në dialogun Kosovë-Serbi, për shkak të marrëveshjeve të papërgjegjshme dhe të dëmshme për Kosovën që i nënshkruan Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Edita Tahiri, Avdullah Hoti dhe Skender Hyseni.

Në kohën kur Qeveria e Albin Kurtit, bëri angazhimin konkret për restaurimin e Kompleksit Memorial të Kullave të Familjes së Jasharajve në Prekaz.

T’ia japësh votën opozitës, është njëlloj sikur t’ia ngulësh Kosovës në shpinë tehun e thikës.

Kjo u dëshmua edhe me humbjen e Bekim Jasharit në Komunën e Skenderajt, ku me manipulime, kërcënime dhe blerje votash fitoi PDK-ja aq e përfolur për tradhti, edhe ndaj Heroit legjendar Adem Jashari dhe tërë Familjes së Jasharëve, e cila e rrethuar nga forcat ushtarake e policore të Serbisë, nuk e pati ndihmën e askujt, gjersa u flijuan për lirinë e Kosovës dhjetëra gra, pleq e fëmijë më në krye trimin legjendar Adem Jasharin.

Të rikujtojmë se as PDK-ja, as Hashim Thaçi dhe as Kadri Veseli nuk ishin të mirëseardhur në konaqet e Kullave të Jasharaëve.

O votues të mashtruar në Kosovë, a keni mend në kokë dhe a keni moral dhe ndershmëri kombëtare e atdhetare shqiptare, të mendoni drejt e shqip, se me votën që ia dhatë opozitës në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve lokale, jeni vënë në mbrojtje dhe e keni ringjallur tradhtinë, vëllavrasjen, korrupsionin dhe pasurimin e paligjshëm.

O votues të mashtruar në Kosovë, a keni mend në kokë dhe a keni moral e ndershmëri kombëtare e atdhetare shqiptare të mendoni se, me votën që ia dhatë opozitës në Kosovë, e keni gëzuar e kënaqur tej-mase Serbisë agresore gjenocidale e kriminale.

Rezultati i zgjedhjeve lokale që u mbajtën në Kosovë më 17 tetor 2021, për fat të keq, dëshmoi thënien popullore filozofike, “Çka ia bën njeriu vetes nuk arrin t’ia bëjë as armiku më i madh”.

Kjo ndodh kur njeriu, si në rastin konkret të zgjedhjeve lokale në Kosovë, e humb vetveten, e humb toruan.

Kjo ndodh kur njeriu edhe pse i ka sytë në ballë, nuk sheh, edhe pse i ka veshët në kokë nuk dëgjon, edhe pse i ka trutë në kokë, nuk mendon, sikur t’ia ketë ngrënë macja trurin.

Kjo ndodh kur njeriu, ngjashëm si i dehuri i shkon pas keqbërësit të dëshmuar, vëllavrasësit, hajdutit, rezilit, katilit dhe harbutit, i shkon pas të korruptuarit, i shkon pas tradhtarit, anti kombëtarit dhe anti atdhetarit, dhe më në fund kur do t’i bien leshi në vesh, siç thotë populli, kur do të bindet se sa ka gabuar, atëherë do të jetë tepër vonë, sepse për këto raste të gabimeve të rënda e tragjike, populli e ka lënë brez pas brezi thënien popullore filozofike, “Kur të vijnë mendtë, të kanë ikur dhentë”.

Kësaj që ndodhi në raundin e parë në zgjedhjet lokale në Kosovë, kur votuesit ia dhënë votën opozitës tradhtare, i thonë mashtrim i kobshëm që djalli ia bën njeriut pa din e pa iman, njeriut me moral e karakter të dobët, njeriut që e shet veten për një euro, a për një dollar, njeriut që mashtrohet për një post mjeran apo për pak gjë, njeriut që siç thotë thënia popullore filozofike, “”Për një plesht e djeg jorganin”.

Fitorja e opozitës në disa komuna në raundin e parë në këto zgjedhje lokale dhe shkuarja në balotazh në disa komuna tjera, dëshmon për një lajthitje të madhe të votuesve në Kosovë, sepse votuesit në Kosovë e tradhtuan Vetëvendosjen dhe ndershmërinë, e tradhtuan përkushtimin dhe pastërtinë e saj, për ta nxjerrë Kosovën nga humnera drejt prosperitetit dhe forcimit të shtetit, për ta shpëtuar Kosovën nga vëllavrasja, hajdutëria, korrupsioni dhe pashpresa, drejt një të ardhme të lumtur.

Të gjithë jemi dëshmitarë, me argumente e shembuj konkretë se tërë qeveritë e derisotme të Kosovës me keqqeverisjen e tyre në 21 vitet e kaluara në liri e pavarësi, e tradhtuan rëndë Kosovën.

Të gjithë udhëheqësit qeveritarë e shtetërorë të derisotëm në Kosovë, duke u bërë milionerë të pasluftës, shkelën mbi amanetin dhe besabesën e ushtarëve trima të UÇK-së që e dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Të gjithë udhëheqësit qeveritarë e shtetërorë të derisotëm në Kosovë, shkelën mbi dinjitetin njerëzor të më shumë se 13 mijë viktimave të pafajshëm shqiptare në Kosovë, në mesin e tyre dhe të fëmijëve duke pi qumësht në gjoksin e nënës, që u vranë dhe u masakruan mizorisht nga ushtarët, paramilitarët dhe policët e Serbisë agresore gjenocidale e kriminale.

Të gjithë udhëheqësit qeveritarë e shtetërorë të derisotëm në Kosovë, shkelën mbi nderin e 20 mijë motrave tona shqiptare të dhunuara shtazërisht nga Serbia agresore gjenocidale e kriminale.

Të gjithë udhëheqësit qeveritarë e shtetërorë të derisotëm në Kosovë, shkelën mbi fatin e 1643 shqiptarëve të të gjitha moshave e gjinive që Serbia kriminale i rrëmbeu nga shtëpitë shqiptare në Kosovë, fati i të cilëve ende nuk është zbardhur.

Të gjithë jemi dëshmitarë se qeveritë e derisotme në Kosovë në 21 vitet e kaluara nuk bënë asgjë që kriminelët e Serbisë kriminale të dalin para drejtësisë dhe ta marrin dënimin e merituar.

Të gjithë jemi dëshmitarë se qeveritë e derisotme në Kosovë në dialogun Kosovë-Serbi në dhjetë vitet e kaluara për interesa të tyre personale, i bënë favore Serbisë kriminale, duke shprehur gatishmëri ta bëjnë edhe copëtimin e Kosovës për interesa të Serbisë kriminale.

Tradhti shkuar tradhtie është, t’i japësh votën PDK-së së Hashim Thaçit, i cili asnjëherë nuk u denjua t’i demantojë akuzat ndaj tij për vëllavrasje politike, akuzat për pasurim të jashtëligjshëm dhe për pazaret e tij me Aleksandër Vuçiqin dhe Edi Ramën për copëtimin e Kosovës në favor të Serbisë kriminale.

Naim Miftari, ish eprori i lartë i UÇK-së dhe ish agjent i SHIK-ut me argumente e fakte ka informuar për veprimet tradhtare të Hashim Thaçi dhe Kadri Veselit.

Memli Krasniqi, kryetari aktual i PDK-së, nuk u distancua derisot nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli për tradhtitë dhe dëmet që ia shkaktuan Kosovës, por vazhdoi me avazin e tyre.

Tradhti shkuar tradhtie është, t’i japësh votën LDK-së së Isa Mustafës, që Kosovës ia la kopilin te dera me nënshkrimin e marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe, apo t’i japësh votën LDK-së së Edita Tahirit, Avdullah Hotit dhe Skender Hysenit, që u treguan negociues skandalozë në dialogun Kosovë-Serbi, apo t’i japësh votën LDK-së së Lumir Abdixhikut, kryetarit aktual të LDK-së, i cili deri sot nuk pati guximin të distancohet publikisht nga ish udhëheqësit e LDK-së, dhe nga ish udhëheqësit qeveritarë nga radhët e LDK-së, të cilët e dëmtuan aqë shumë Kosovën.

Tradhti shkuar tradhtie është, t’i japësh votën AAK-së së Ramush Haradinajt, i cili gjithashtu është akuzuar me fakte nga Naim Miftari, ish eprori i lartë i UÇK-së dhe ish agjent i SHIK-ut, për vëllavrasje dhe për bashkëpunim me kapo-bandon mafioze serbe në Veri të Kosovës.

Hekuran Murati , ministër i Financave dhe Transferove në Qeverinë e Albin Kurtit, e akuzoi publikisht Ramush Haradinjan se tokën e privatizuar për 6 euro arin, kishte marrë vendim që të njëjtën tokë ta shpronësojë me vlerë 1200 herë më të lartë, që përbën skandal të madh dhe të dënueshëm financiar.

Ramush Haradinaj, përveç që u bë milioner i pasluftës, po në cilësinë e ish kryeministrit ia fali Mali të Zi 8 mije e 200 hektarë të bjeshkëve të Kosovës.

Tradhti shkuar tradhtie është, t’i Japësh votën kësaj opozite në Kosovë, karshi Vetëvendosjes të pastër, dinjitoze, të pakorruptuar dhe të përkushtuar për një të ardhme të lumtur të Kosovës.

O votues të mashtruar në Kosovë, vëjani gishtin kokës, kthjellohuni dhe korrigjohuni të paktën në balotazhin e këtyre zgjedhjeve, sepse ndryshe do të jetë vonë për çdo gjë, dhe do të vjen në shprehje thënia popullore filozofike ,”Për kokën që gabon, nevojitet brisku që e meriton”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat