Kush i vrau Bekim Kastratin dhe Besim Dajakun?

Opinione

Kush i vrau Bekim Kastratin dhe Besim Dajakun?

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 20 tetor 2021 Në ora: 21:46
Gazetarët e vrarë të "Bota sot" Besim Dajaku, Bekim Kastrati

Janë bërë 20 vjet që nga atentati i organizuar ku mbetën të vrarë Bekim Kastrati, gazetar i gazetës “Bota sot” dhe Besim Dajaku, pjesëtar i Sigurisë së Presidentit Rugova, si dhe u plagos Gani Geci, ish deputet i LDK-së.

Tani që kur kanë kaluar 20 vite, vrasja e Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut mbetet e pa zbuluar ende.

Kjo vrasje, dhe shumë të tjera janë plagë të hapura për Kosovën, e cila 20 vjet pas nuk ka arritur të zbulojë vrasjet e pasluftës, përfshirë këtu edhe të Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut.

E vetmja shpresë mbetet gjykata speciale, e cila që nga nëntori i vitit të kaluar ka filluar të arrestojë ish krerët e lartë të UCK. Pa dashur të paragjykojmë se kush qëndron pas kësaj vrasje, apo thënë më mirë urdhërdhënës, familjet e tyre por edhe i tërë populli në përgjithësi është që e vërteta të del në pah, vrasësit dhe urdhërdhënësit të dalin para drejtësisë.

Dëshmitari i mbetur gjallë nga ky atentat, ku vet mbeti i plagosur, Gani Geci, në një shkrim që ka pasur në fb kohë më parë, ka shprehur bindjen e tij duke thënë “Shpresoj se Gjykata Speciale si instanca e fundit gjyqësore e Republikës së Kosovës do ta zbardhë se kush e ka shkruar atë komunikatën e ndyrë me nr .59 dhe njëherit do të zbardhet edhe kush dha urdhër dhe kush i pagojë atentatorët ta kryenin atentatin kundër nesh, sepse hartuesit dhe shkruesit e komunikatës janë edhe urdhërdhënësit e këtij atentati”, shkroi ish deputeti Geci.

Lidhur me këtë rast është marr në pyetje nga Gjykata Speciale vet Gani Geci, duke dhënë shpresë se pas 20 vitesh, mund të kemi arrestimin e autorëve të këtij atentati.

E vetmja shpresë mbetet Gjykata Speciale, e cila mund të këtë njohuri, pasi personat që e kanë kryer këtë atentat, sigurisht janë pjesëmarrës edhe në të tilla të ndodhur pas luftës ndaj zyrtarëve të LDK, dhe në përgjithësi ndaj atyre që mbështesnin vijën e Dr. Rugovës.

Kështu, që urdhëruesit sigurisht janë të njëjtë me vrasjet tjera të pasluftës, me Gjykatën Speciale si shpresën e vetme dhe të fundit për të zbardhur këtë krim, që u mori jetën dy djemve të rinj të Kosovë.

Arsyet e këtyre vrasjeve, por edhe në përgjithësi të pasluftës kanë të bëjnë me mbështetjen që i kanë dhënë dr. Rugovës. Eliminonin ata që më shkrime mbronin të vërtetën, si dhe eliminonin njerëzit që mbronin Rugovën me synimin që të ngjallnin frikë dhe panik tek ata që merrnin me sigurinë e Dr. Rugovës, me shpresën se do e braktisin.

Pra, këto vrasje ishin në vazhdën e spastrimit të rrugës për të eliminuar edhe Dr. Rugovën, por për të arrit tek ai, duhet eliminohen pengesat.

Për vrasjet në fjalë, të Bekim dhe Besimit, Gani Geci ka fajësuar direkt Thaçin se ka dhënë urdhër për vrasjen e tyre, “Unë po i kërkoj Thaçit, sepse fal Zotit s’jam vrarë, e dy shokët e mi janë vrarë. Hashim Thaçi po din si e ka shpall Haki Imerin, le t’i shpall Besim Dajakun e Bekim Kastratin, që i ka vrarë me urdhër të tij, sepse parat i ka dhënë Gani Thaçi, vëllai i tij, e i kanë ndarë paratë me disa kriminelë”, ka thënë Geci.

Tanimë dëshmitari është gjallë, i mbetet Gjykatës Speciale të zbardh rastin në fjalë, që më në fund familjarët e tyre të ndjejnë sado pak qetësi shpirtërore kur do të shohin autorët e vrasjeve prapa grilave për këto vrasje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat