Ide e artë, novatore, unike - një liqen në Prishtinë

Opinione

Ide e artë, novatore, unike - një liqen në Prishtinë

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 25 tetor 2021 Në ora: 21:23
Përparim Rama

Së fundi, arkitekti i përbotshëm, Përparim Rama, shpërfaqi idenë e artë, novatore, unike, për një liqen në kryeqendrën e Kosovës. Ai përcaktoi edhe lokacionin, vendin dhe burimet ujore, që do ta furnizonin atë. Zhvendosja e stadiumit nuk përbën asnjë problem, vështirësi. Lokacioni për bërjen e stadiumit sportiv, është lehtësisht i realizueshëm, në periferi të qytetit. Beton e blloqe të bollshëm.

Një liqen në Mitrovicë, siç thotë kryetari i deritashëm, Agim Bahtiri, frekuentohet nga 20 mijë qytetarë në ditë. Atëherë, numri i vizitorëve në liqenin e Prishtinës do të ishte më masiv. Prishtina e ngulfatur, nga ndërtime të rrëmujshme, në mungesë të plotë të hapësirave gjelbëruese, është përvëluese përgjatë stinës me vapë. Një liqen brenda qytetit, do ta zbuste vapën e sikletshme.

Për reagimin profan, sikur do të bëhej nami, për të keq, me zhvendosjen e lokacionit të stadiumit futbollistik, na kujton urtësinë popullore: "Çka dinë dhija, çka është taxhija?!" Edhe mendimi se kjo mund të bëhet, jo tani, por në perspektivë, është simplist, dilitantesk dhe hiç i qëndrueshëm. Përkundrazi, edhe sikur të fillonte edhe një muaj më vonë, do të konsiderohej bjerrje e kohës.

Pa mëdyshje, kjo do të ishte një ide e artë, një veprim sa i mençur, aq edhe i nevojshëm, për një kryeqytet me rritje rapide, gjeometrike. Zërat provincialë, që rastësia u ka dhënë mundësinë të dëgjohen, e kanë të vështirë ta kuptojnë njeriun krijues, i pendës dhe i mendjes, siç është Përparim Rama. "Dardha pikë nën dardhë",- siç thotë populli. Në vitet `60-a, e kam njohur Ramush Ramën, gjyshin e Përparimit, atëbotë, kryetar komune në Podujevë. Ishe kryetar i vyeshëm, që bëri emër për të mirë. Ka një emërues të përbashkët: Kërkesa për ndryshim, pas Plenumit të Brioneve. Dhe, gjithnjë bëhej fjalë për progres e dinjitet.

Kam përcjellë vëmendshëm shpalosjen e programeve zhvillimore, të kandidatëve për kryetarë të komunave. Edhe opinioni i ka dëgjuar me shumë kënaqësi, por, edhe me skepticizëm logjik, duke i konsideruar disa makro-premtime "fontanë dëshirash", pra, pa mundësi të realizimit. Ndërkohë që, disa nga pretendentët për kryetar komune, në debatet e përsëritura, kanë qenë mbresëlënës, madje, edhe bindës.

Shumica e kandidatëve, për të parë komunash, kanë qenë modestë dhe kanë folur në shumës: "Ne kemi program gjithëpërfshirës; programi ynë është punuar nga grupe profesionale përkatëse" e tjera. Ka pasur pak kryetar pretendues dhe asambleistë në pritje, të cilët janë ankuar se u janë vjedhur programet, nga kolegët e tyre të partive tjera. Mendoj se kjo akuzë është tërësisht e pa vend, edhe sikur të jetë e vërtetë.

Përkundër, ata duhet të krenohen dhe t`i stimulojnë "plagjiatorët" e tyre, që në rastin konkret janë pozitivë, sepse duan ta prosperojnë, përparojnë e begatojnë komunën, me programe të mira, duke i shërbyer komunitetit, popullit me punë të mira. Kjo lloj plagjiature ndryshon tërësisht nga temat studimore, teorike, që dembelosin, parazitojnë njerëzit dhe përfitojnë e lavdërohen me djersën e tjetrit, pa prodhuar të mira materiale për të tjerët.

Por, kam dëgjuar edhe kandidat për kryetar komune, i cili, modestisht e botërisht, është deklaruar se "unë kam program të përkryer për arsimin, të bërë nga një specialist i arsimit", i cili nuk i përket subjektit të tij partiak. Dhe, kjo duhet konsideruar si vlerë e kandidatit, i cili është i përkushtuar të bëjë punë të mira. Sepse, një kryetar, qoftë ai edhe intelektual kalibri, nuk mund ta zotërojë të gjithë gamën e njohurive, që i nevojitën një komune, përgjat një apo më shumë mandatësh.

T`i kthehem sërishmi idesë ideale, të virgjër të kandidatit për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama: Stadiumi sportitv aktual të bëhet liqen i ardhshëm i Prishtinës. Gjërat e zakonshme, janë lehtësisht të zbulueshme. Por, një projekt, i ideuar nga arkitekti i përbotshëm, Përparim Rama, duhet të merret seriozisht, të diskutohet dhe të aprovohet për realizim, pavarësisht se kush do ta gëzojë postin e kryetarit të komunës të Prishtinës. Përcjellja e projektit, nga arkitekti Rama, veç sa do ta ndihmonte kryetarin Vitia, në realizimin e një vepre madhore, krye të rëndësishme dhe të nevojshme, përjetësisht, për brezat prishtinas dhe, pse jo, edhe të Kosovës tonë.

Bashkëpunimi dhe studimi i programeve zhvillimore, të kandidatëve për kryetarë, në nivel komunal, do ta ndihmonte kryetarin e zgjedhur, për ta begatuar programin personal dhe zgjerimin me projektet e kolegëve në garë. Kjo vlen edhe për kryetarët fitues në shkallë Republike. Një urtësi dibrane porositë: "Një mendje- asnjë mendje; dy mendje - gjysmë mendje; tri mendje - një mendje!"

Urojmë për mirëkuptim dhe pa hatërim!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat