Raporti i Këshillit të Europës, kontradiktor

Opinione

Raporti i Këshillit të Europës, kontradiktor

Nga: Skender Musliu Më: 27 tetor 2021 Në ora: 19:45
Skender Musliu

Javën e kaluar në Prishtinë,  Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Europian Oliver Varhelyi, ia dorëzoi Raportin e Progresit  të Komisionit  Europian, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

Nuk duhej të analizohej shumë ky Raport, për t’i vërejtur mangësitë, qëndrimet kontradiktore të BE-së ndaj Kosovës, politikat e saja jokonzistente që bien ndesh edhe me fundamentet e vlerave të saja, njëanshmërinë ndaj proceseve duke krijuar konfuzion dhe mosbesueshmëri .

Pa dashur ta elaborojmë strukturën e organizimit dhe teknicitetin juridik të mekanizmave vendimmarrëse të BE-së, do të përmendi,  vetëm disa, anomali në konstatimet e këtij Raporti.

1. Në këtë Raport, sikurse edhe në ato paraprake, përveç tjerash, thuhet se Kosova nuk e lufton mjaftueshëm korrupsionin dhe krimin e organizuar, se drejtësia nuk është efikase, është e kapur dhe e ndikuar nga politika, që është shumë e saktë. Prandaj me propozimin e Ministrisë së Drejtësisë, Qeveria e Kosovës ka miratuar Koncept dokumentin për Vetingun, i cili pasi t’i kalojë procedurat e parapara, do të miratohet në Kuvend në formë të Ligjit. Me këtë Ligj, do të « skanohen «gjyqtarë, prokurorë, zyrtarë të lartë, politikan e tj. nga aspekti profesional, prejardhjes së  pasurisë, performancës, integritetit e tij, dhe të gjithë ata që nuk do të mund t’i justifikojnë këto norma, do të merren masa adekuate komform ligjit në fjalë, që do të thotw se Vettingu do të jetë mjeti kryesor për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.  

 Mirëpo, për çudi, në  Raportin e Progresit, Komisioni Europian  është shprehur i shqetësuar me Vetingun e propozuar nga Qeveria e Kosovës, dhe në vend që  ajo të insistojë për Vettingun duke e asistuar Kosovën, që ky proces të shkojë sa më mirë bazuar në praktikat pozitive të Europës, ajo shfaq rezerva !  Atëherë pse BE-ja nuk propozon alternativë për Vettingut ?  

Për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, Vettingu nuk ka alternativë dhe ky është i vetmi « mekanizëm » që mund t’i pastrojë institucionet shtetërore të të gjitha niveleve, duke përfshirë, gjykatës, prokurorë, zyrtarë të lartë, politikan, kompani publike e tj., duke ia hapur rrugën proceseve demokratike dhe zhvillimit ekonomik, rrjedhimisht pa Vettingun nuk  ka shtet të së drejtës e  as sundim të ligjit, për çka Qeveria Kurti është e përkushtuar maksimalisht.

2. Me 13 Tetor policia e Kosovës zbatoi një aksion që për qëllim kishte luftimin e kontrabandës  dhe krimit të organizuar në pesë qytete të Kosovës . Ky aksion shkoi mirë, përpos në pjesën Veriore të Mitrovicës ku serbet bllokuan rrugët, sulmuan policinë e Kosovës dhe gazetarët.  Fatkeqësisht,  Përfaqësuesi i  Lartë i BE-së Josep Borrell të nesërmen, aksionin në fjalë e kualifikoi si veprim  të njëanshëm drejtuar kundër serbeve duke kërkuar që për këto veprime duhet të bisedohet në Bruksel. Për ironi i njëjti  konstatim  përfshihet në Raportin e Progresit.

Është  skandaloze  të kritikohet Kosova për luftimin e kontrabandës dhe krimit të organizuar në territorin e saj, sepse  BE-ja nuk duhet të harroj se Republikën  e Kosovës e kanë njohur  23 nga 28 shtete të BE-së, me çka ato ia kanë njohur Kushtetutën, Rendin juridik, sovranitetin dhe integritetin territorial, dhe se Kosova ka obligim kushtetues  t’a shtrijë autoritetin e saj në tërë territorin e Kosovës, pa e pyetur Serbinë e as BE-në, mbi të gjitha kur bëhet fjalë për sundim të ligjit, që BE-ja në çdo Raport ia kërkon Kosovës.

Veprimet e Kosovës janë komform Vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që është Institucion i OKB-ës, e cila në vitin 2012 pavarësinë e Kosovës e shpalli në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

3. Derisa në Raport thuhet  se Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave, kurse nga ana tjetër ende nuk ka liberalizim, është  një konstatim kontrovers, joserioz dhe amatoresk. Është absurde që Kosova është i vetmi shtet në Kontinentin e Europës që aplikohen vizat.

4.Në këtë Raport po i kërkohet Kosovës që sa më shpejtë ta themelojë « Zajednicën », sepse për këtë qenka arritur Marrëveshje në vitin 2013 dhe 2015. Mirëpo pse nuk po i kërkohet Serbisë t’i zbatojë mbi 30 Marrëveshje të nënshkruara nga ajo ?!

5. Komisioni Europian edhe Serbisë ia ka dorëzuar Raportin e Progresit. Ajo çka e bënë këtë raport skandaloz dhe të rrezikshëm , është konstatimi i BE-së se Serbia vlerësohet pozitivisht për raportet e mira me fqinjët ?!

BE-ja po harron se Serbia është shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që destabilizon rajonin, dhe jo vetëm, ajo në vazhdimësi destabilizon Kosovën, madje duke  dërguar tanket, helikopterët dhe avionët luftarak në Kufi me Kosovën, përmes  Republikës serbe  vazhdimisht destabilizon Bosnjën e Hercegovinën, ka tentuar grusht shtet në Mal të zi dhe në Maqedoninë e Veriut. Serbia  vazhdon ta refuzojë Rendin Perëndimor duke lidhur aleanca me Rusinë dhe Kinën.

Është e pakuptueshme joserioziteti, papjekuria politike dhe jokonzistenca  e vlerësimeve për çështje kaq sensitive për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit, që ve në dyshim edhe kredibilitetin e institucioneve europiane.

Tani më një kohë të gjatë BE-ja ka probleme serioze në harmonizimin e qëndrimeve, mekanizmat vendimarrëse nuk janë funksionale, madje bllokuese, institucionet e saja janë burokratizuar duke ngadalësuar proceset, ka një administratë të madhe dhe të kushtueshme e tj., nuk është fjala për Kosovës por në përgjithësi.

Prandaj  BE-ja  duhet të përgatitet për reforma të thella dhe serioze duke u riorganizuar dhe funksionalizuar komform kërkesave të domosdoshme që ia imponon koha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat