Kush e do të vdekur Albin Kurtin?

Opinione

Kush e do të vdekur Albin Kurtin?

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 29 tetor 2021 Në ora: 08:31
Foto ilustrim - Albin Kurti

Masat e sigurisë u shtuan afër shtëpisë së kryeministrit Kurti, gjithashtu edhe masat e sigurisë për vetë kryeministrin ishin në nivelin më të lartë të mundshëm. Kjo u tha, për arsye të kërcënimit që ka marrë kryeministri Kurti.

Natyrisht informacionet janë të agjencive kredibile për këtë gjë, e të cilat nuk kanë dhënë alarm fals. Pavarësisht bindjeve politike, secilin qytetar të Kosovës duhet ta shqetësojë fakti se kryeministri i vendit të tij ndihet i kërcënuar, kjo nënkupton se grupet mafioze janë të fuqishme dhe kanë guxim për të kërcënuar kryeministrin e vendit.

Me pak fjalë, siguria e vendit lëkundet shumë kur ka raste të tilla të kërcënimeve. Ka shumë arsye nga më të ndryshme pse dikush kërcënohet, në rastin në fjalë arsyet kryesore mund të jenë: ndalja e zhvatjes së parasë publike nga oligarkët, ç’kapja e shtetit nga ata që e kanë përdorur për interesa të tyre, rivaliteti politikë etj.

Kryesisht, ndalja e zhvatjes së parasë publike është arsye shumë e fortë për kërcënimet që ka marrë kryeministri Kurti. Albin Kurti, si askush tjetër është i kërcënuar sepse i dha fund ç’kapjes së shtetit, ka zhbërë shumë borde të cilat kishin krijuar monopol duke zhvatur shtetin.

Afër 1 miliard euro ua ka hequr nga dora kryeministri Kurti mafies së lidhur me politikën, me partitë që ishin në pushtet. Ka qenë e ditur rreziku që paraqet Albini për mafien, të cilët s’po munden tani si dikur të jenë faktorë në tender, nuk është lehtë t’ia heqësh dikujt miliona eurot, natyrisht se edhe kërcënime ka. Por nuk përjashtohet, mund të jenë për shkak të rivalitetit politik, megjithëse nuk përjashtohet.

Mbi të gjitha nuk janë për tu neglizhuar apo shpërfillur kërcënimet ndaj Albinit, e të cilat nuk janë për t’u befasuar, marrë parasysh faktin se Albini është kërcënim serioz për zhvatësit e shtetit.

Si asnjë kryeministër tjetër që ka pasur Kosova, Albini ka qenë, është dhe do të jetë gjithnjë i rrezikuar nga mafia, të cilët janë mësuar të jenë mbretër të tenderëve, të jenë përcaktues të koalicioneve në mënyrë që të vazhdojnë mbretërinë e tyre pa u penguar nga askush.

Kudo në botë kërcënohen politikanët, kryeministrat, ministrat të cilët me veprime te tyre prekin interesat e grupeve të caktuara të para politikës.

Aq më tepër në Kosovë dhe në Ballkan, me mafia të gatshëm për të qenë në krye të kërcënimeve pa u frikësuar se mund të kapen. Ata kanë njerëz të tyre kudo, ose thënë më mirë kanë pasur, kur shohin se po u shembet nën këmbë mbretëria e krimit dhe zhvatjes, përdorin format e tyre të frikësimit, kërcënimit, pse jo edhe të vrasjes. Andaj, kryeministri Kurti duhet të jetë i kujdesshëm, mos të frikësohet, të vazhdojë punën e tij për ç’kapje të shtetit, në mënyrë që tashme dhe më tepër e ardhmja të jetë më e ndritur për ne.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat