Tradhtia ka emër

Opinione

Tradhtia ka emër

Nga: Lirim Gashi  Më: 25 nëntor 2021 Në ora: 15:34
Lirim Gashi 

Kaluan 23 vite nga përfundimi i luftës dhe Kosova ende nuk e ka asnjë Përmendore të nënave të masakruara dhe dhunuara së bashku me engjëjt e tyre të vegjël, siç e kanë serbët në Kragujevc.

Ndërsa për nënat që vdiqën për se gjalli kur kasapët serbë ua masakruan fëmijët para syve, jo vetëm që nuk kujdeset shteti, por as familjet ku ishin të martuara.

Përkundrazi kunetërit mezi pritën t'i lënë më gishta në gojë sipas motos fëmijët ua masakroi Serbia, ndërsa ne po ua grabisim pronën dhe dinjitetin, sepse mumjeve nuk u duhet asgjë kur edhe ashtu janë të vdekura për së gjalli.

Rasti i Shyhrete Berishës është poshtërsi e mishëruar me edukatën dhe kulturën tonë të dhunshme, pandjeshme, pasinqertë, hipokrite, primitive dhe gllabëruese. 

Në anën tjetër shtrohet pyetja ; si nuk ua ndërtoi asnjë komandat milionerë sa ishte në pushtet së paku një përmendore të vetme nënave të dhunuara dhe masakruara para syve të fëmijëve dhe anasjelltas.

Apo nuk ka vend Prishtina për një Përmendore të tillë? 

Çuditërisht në oborrin e Universitetit ka vend për një monster Objekt fetar siç është Kisha klerofashiste e Millosheviqit. 

Në këtë vend ku aq shumë flitet për heroizmin dhe sakrificën e komandantëve milionerë dhe shumë pak për sakrificën e viktimave të vërteta, nuk mund të ketë paqe as me qiellin, ajrin, ujin dhe tokën, e lërë ma me atdhetarizmin, heroizmin, humanizmin, dinjitetin, karakterin, ndërgjegjen, moralin dhe nderin. 

Ose edhe më saktë në këtë vend ku vazhdimisht dëshmohet një pandjesi robotike nga meshkujt qyqarë që vetes i thonë heronjë, të gjithë njërzit e ndjeshëm dhe ndërgjegjshëm do ta pyesin vetveten deri në frymën e fundit të jetës së tyre : çka nëse Kosova nuk do të çlirohej me ndihmën e NATO-s?

Sa lavdi do t'i thurnin këta trima vetvetes dhe njëri tjetrit dhe sa lekë dhe prona shtesë do t'i vidhnin në emër të lavdisë? 

Kaq për heroizmin, karakterin, nderin, moralin, kulturen dhe edukatën e komandantëve milionerë. 

Kur i dëgjon komandantët milionerë duke treguar për heroizmin e tyre ta merr mendja se ata e çliruarn NATO-n nga Serbia dhe jo anasjelltas.

Në fakt rrallëherë ose gati kurrë nuk i dëgjon duke thënë ;  ishte katastrofa humanitare ajo që e detyroi NATO-n të intervenonte aq urgjentisht. 

Përkundrazi, gjithmonë i dëgjon duke thënë se ne e nisëm, NATO e bitisi.

Madje menjëherë pas luftes NATO-n e injoronin tërësisht, sepse thoshin ne e nisëm dhe e bitisem. 

Si nuk i dëgjova një herë të vetme duke folur për viktimat e vërteta të luftës me bindje e përkushtim por gjithmonë shkarazi dhe vetëm sa për sy e faqe.

Ndërsa faktet flasin me një gjuhë tjetër, shumë më të dhimbshme, trishtueshme, bindshme dhe sinqertë.

Ato thonë; nënat dhe fëmijët e pambrojtur ishin viktimat më të ndëshkuara të kasapëve gllabërues. 

Shtrohet pyetja:

Sa gra dhe fëmijë të pambrojtur që i mbijetuan luftës u bënë milionerë? 

Çdo njeri normal që e analizon realisht sasinë e lavdisë që komandantët milionerë ia thurin vetvetes dhe njëri tjetrit dhe që këtë sasi e krahason me sasinë e lekëve dhe pronave që i vodhën në periudhën e pasluftes, duhet medoemos ta pyes vetveten;

A luftuan këta njerëz për çlirimin e atdheut të tyre Kosovës, apo për çlirimin e Avganistanit.

Vetëm në familjen time janë nëntë fëmijë të masakruar prej gjithsej 22 viktimave të luftës.

Por edhe disa meshkuj të istikamave që i mbijetuan luftës.

Dhe gjithmonë kur flas me ta për luftën e ndjejnë një faj të papërshkrueshëm që nuk arritën t'i mbrojnë nga masakra këta engjëj të vegjël dhe nënat e tyre të mjera, sepse së bashku me komandantët e tyre ishin të spostuar nëpër male, thua se ujqërit ishin të rrezikuar nga kasapët gllabërues dhe jo njerëzit.

Sepse lekët per armatim u nevojiteshin komandantëve të komandantëve të tyre për të blerë armatim për luftë larg vijave të frontit. 

Shtrohet pyetja kush e pati më vështirë në këtë luftë?

Djemtë dhe vajzat e armatosura nëpër istikama, apo nënat dhe fëmijët e pambrojtur që vdiqën për së gjalli në paqe, pasi i mbijetuan luftës ? 

S'po flas fare për nënat e dhunuara dhe masakruara dhe engjëjt e tyre të vegjël, të cilëve nuk u dihen as varret.

Sepse kufomat e tyre kasapët nekrofil serbë i transportuan me kamionë të mishtoreve në Serbi dhe i hodhen si kafshët shtëpiake në gropa të hapura që në i quajmë varreza kolektive.

Dhe jo vetëm kaq por paraprakisht ua nxorën edhe organet të cilat i përdoren për transplantim dhe implantim në trupat e pacientëve serbë. 

Dhe siç dihet eshtrat e tyre atje kanë mbetur edhe sot e kësaj dite.

Sepse asnjërit prej komandantëve milionerë në pushtet nuk i ra ndërmend që bisedimet teknike t'i kushtëzojë së paku me kthimin e eshtrave të tyre.

Por çuditërisht shefit të tyre i ra ndërmend që bisedimet teknike t'i kthejë në negociata për ri-rregullimin territorial pas njohjes nga 100 e kusur shtete.

Eh, kjo sjellje dhe ky veprim jo vetëm që është nëna e mallkimit, rënkimit, pafytyrësisë dhe çmendurisë por edhe nëna e tradhtisë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat