Kujtesë “Për veten dhe të tjerë”

Opinione

Kujtesë “Për veten dhe të tjerë”

Nga: Merita Kuçi Më: 3 dhjetor 2021 Në ora: 09:36
Foto ilustrim, Durrësi pas tërmetit të 26 nëntorit 2019

Grindesh me veten kur kërkon të sjellësh në mëndje kronika të errëta, kur kërkon të zgjosh në dhomëzën e kujtesës dhimbje, trembje, kaos shpirtëror dhe shoqëror.

Duhet të jetë shumë e madhe, shumë e fortë ku foletë e dashurisë së zemrës për familjen, fëmijët, të afërmit, miqtë, gjithçka e mirë që të kërkon zemra në të qindtën e sekondat nuk ekzistojnë më dhe ti ose mbetesh vetëm ose gjendesh në kohë, hapësira, mjedise që nuk i kishe menduar kurrë. Ti buron së brendshmi aq forcë sa kurrë nuk e ke ditur se i bart. Ti derdh lot, vuan, ofshan aq shumë për humbjen e dikujt tjetër sa nuk e kupton se kaq shumë njeri ti je brenda vetes.

E ndërsa shkruaj, të tillë ndjesi më kthen pas në kohë 26 nëntorin 2019 diku rreth orës 04:00 toka e lashtë e qytetit tim, Durrësit lëkundi gjithçka… Bulëzojnë njerëz rrugëve. Ftohtësi. Tërmet!!!

Vërtetë, tërmet fizik dhe shpirtëror. U rrëzuan shtëpi, kalatë e fëmijëve u shembën. Burra, baballarë të trishtuar, nëna në lot por që veten duhej të mblidhnin shpejt.

Ndodhi e keqa, humbje jete, u trand zemra ndërsa mediat gumëzhinin për viktima. Shkoi në parajsë një piktore me engjëllin e saj dhe ti, pyet veten, - Pse? Ç’ishte kjo??, ku u gjend? Si u gjend?...

Grupet e emergjencave u bënë bashkë, njerëzit u bënë bashkë. Fusha e blertë e stadiumit që u përket zakonisht këmbëshpejtëve u kthye në hotel me qiell të hapur për qindra familje. Ashtu si qindra hotele qëi rezistuan lëkundjeve të forta, të tmerrshme, hapën dyert e mikpritën me dëshirë qindra qytetarë durrsakë, familjarë e fëmijë të cilët shumë shpejt filluan mësimet ne këto qendra për të harruar frikën dhe për t’iu kthyer normalitetit sadopak.

U zgjuan kontaktet me miqtë, të dashurit. Në këmbë Shqipëria, vëllazëria Kosovare e mëgjerë. Vendet e Evropës kthyen sytë nga ky vend i vogël që kërkon ende vëllazëri me familjen e madhe Evropiane.

Dhe kështu, pasojat e mëkëmbja u kthyen në raportim, përgjegjësi, ndjesi njerëzore.

…gjunjët e sime bije, Borës, ishin ende më plagë, ndërsa e tërhiqja zvarrë përgjumësh për nga oborri drejt rrugës kryesore, përplasja me biçikletën në sallon qe e pashmangshme… del në rrugë dhe aty e njëjta frikë, situatë dhimbjeje gjendët kudo përreth.

Kjo është natyra, toka e përbashkët dhe dashuria jeta në kuptimin mëmirëfilltë. Ti i barabartë mes të barabartëve.

Ndërgjegjja të çon drejt tëndit identitet.

Sigurohesh që të afërmit, miqtë, kolegët, shokët a i ke mirë apo jo?!

Ora shënon 11:30. Marr rrugën për nga shkolla.

Nga cepi i rrugës shoh se objekti kish mbetur qëndrestar. Shenjtit e duan shkollën, - thashë me vete.

Hyjbrenda, konstatoj dëmtime dhe raportoj. Minutat, orët, fjalët lartë e poshtë nuk japin siguri. Parashikime të zymta dëgjohen deri në braktisje totale të qytetit. Psikologjia e ikjes sa më larg Durrësit ishte refreni i ditës dhe vërtetë më të tremburit kishin kohë që ishin larguar.

Ora 15:30 mbase edhe 16:00. Marr një telefonatë dhe njoftohem se palestra e shkollës 14 Nëntori nga grupi i emergjencave ngritur pranë Bashkisë Durrës, duhej të kthehej në qendër pritje për rreth mbi 100 persona deri në momentin e sistemimit të tyre nëpër hotele.

Ora shënoi 18:30, isha vetëm. Personi që mu ndodh pranë nga Ministria e Transportit dhe siç mësova më vonë, Zëvendës Ministër i kësaj Ministrie Hantin Bonati, bëmë verifikimet e hapësirave, krijoi lidhjet dhe të dy filluam shtrimin e shtretërve në një hapësirë prej 300m2 në palestrën e shkollës, sistemuam njëri pas tjetrit 110 shtretër. Puna kërkonte njerëz, me shkoi mëndja tek Genta (Genta Daja është edukatore e grupit përgatitor në shkollën tonë me banesë pranë shkollës.) I telefonova, erdhi e u gjend e papërtuar. Përgatitëm shtretërit me çarçafë të pastër, jastëk e batanije të ngrohta. Kështu, të tre në një kohë rekord…

Filluan të parët grupe-grupe, zu në vend të pafjalë, me ndonjë çantë të vogël në duar, të heshtur, familjarë në grup, çifte të moshuar, njerëz të dhembshur e të vetmuar, fytyra të trishtuara. Me ato pak sende e veshje në trup tërhequr sekondën e fundit. Bisedat silleshin po aty dhe ndërsa mbrëmja zbriste gati pa një sy gjumë, mesnatës grupe nga Kosova, Peja e Prizreni shkarkonin ndihmat e para, rroba e veshmbathje, miell dhe ushqime bazë.

Mëngjesi i ri solli në oborr të shkollës edhe makinën ambulancë nga Suhareka, të rinj vullnetarë, personel mjekësor që kujdeseshin 24 orë për njerëzit e akomoduar, me ilaçe dhe aparate zemre e tensioni.

Mjekë, infermierë të rinj që nuk u ankuan kurrë por që dhuruan, më kujtohet si tani, vetëm buzëqeshje (faleminderit të dashur miq.)

Brenda shkollës, në dhomën e bibliotekës u vendos një staf mjekësor me mjekë specialistë dhe psikologë të fushës së traumës e të ankthit, gjendje të cilat kanë lënë gjurmë edhe sot tek të gjithë ato që fati i zgjoi atë mëngjes të 26 Nëntorit 2019.

Ditën e dytë, klasat e katit të parë të shkollës u kthyen në depo ushqimore dhe kuzhine. Grupe vullnetarësh nga Kryqi i Kuq e organizata humanitare sillnin edhe vakte ushqimesh, dreke të ngrohta. Në shtrimin e këtyre tryezave mëngjes e drekë u bashkëngjit në shërbim edhe nëndrejtoresha e shkollës Jorida Shala, edhe pse nënë e dy fëmijëve fare të vegjël djali 3 vjeç dhe vajza Noemi në klasë të parë. Kështu, turn pas turni drejtoresha në atë kohë e Zyrës Arsimore Vendore për Durrësinznj. Erjeta Alhysa ndërtoi një sistem zinxhir kombinimi turnesh, ndërsa aty mësova se të njëjtën situatë mikpritjeje përballonte edhe palestra e shkollës sportive “Benardina Qerarxhi” drejtuar në atë kohë nga Znj. Alma Oshafi e cila kujton… “Ato mbeten ditë të paharruara, tmerri. Shtëpia ime u dëmtua. Megjithëse e vendosur në Shën Vlash tek prindërit, di të them se vullnetarizmi i atyre ditëve qe i jashtëzakonshëm nga Kosova, nga Firma Pelikan në Portin e Durrësit.

Po kështu edhe palestra e shkollës “Marie Kaçulini” qe kthyer në qendër pritjeje për banorët e zonës së lagjes 5 e më tej. Drejtoresha e shkollës Etleva Çelmeta nuk harron të citoje se atë mëngjes ndërsa gdhinte 100 shtretër erdhën nga Maqedonia. Në këtë rrugëtim, pati të përfshirë edhe fëmijët e saj ushtarakë amerikanë, nuk më kujtohet emri, por që kishte përgatitur 400 paketa ushqime bazike, te rinj anonimë të cilët sillnin ushqime katering për banorët e strehuar, për të cilët kujton se kishte marrë falënderime për faktin se ky vullnetarizëm i ndihmoi të kalonin frikën.

Në fakt natyra ka kompensimet e veta në raport me frymorët që jetojnë në tokë. Nuk qenë vetëm njerëzit të shpërqendruar në këtë trembje ku natyra i vërviti. Përreth nesh janë edhe ato që falin dashuri pa kushte katër putroshët, të cilës me zot apo pa zot humbën qaforet e tyre. Trishtimi u lexohej në sy e në lëkurë. A mund të braktiseshin ato? Një mision të tillë mori vajza ime Bora, feneri i biçikletës të së cilës sikur xixëllonte në rrugët e braktisura ndërsa shpërndante ushqime të mbetura për kafshët e gjora…

26 Nëntor 2021 shënon vitin e dytë të një memorie të zymtë, të frikshme të fenomenit të tërmetit. Është memorie dhimbjeje për 51 viktimat, jetët e humbura ndërsa gdhimë në këtë mëngjes të sivjetshëm me erëra dhe shira.

Kujtoj këtu se po Nëntori është muaji “i bumit” të humbjeve të jetëve nga Pandemia Covid-19 në të gjithë botën, gjunjëzuar nga ky virus evident, i padukshëm por vrasës.

Kjo kujtesë bën bashkë me dhimbje edhe përpjekjen e çdo shqiptari të ndershëm, instancat shtetërore në menaxhimin e situatave të emergjencës, përpjekjet e përditshme të qeverisë shqiptare për sistemimin e garantimin e njerëzve me ndërtesa e shtëpi të reja, riparime, ndërtime e qendra banimi të reja me përmasa qytetare duke dëshmuar se kujdesi, bashkësia, kujtesa njerëzore, përgjegjësia sociale dhe humane bëjnë diferencë në kohë, bëjnë kohë të mëdha ku dëshira kthehet në nevojë, nevoja në emergjencë dhe emergjenca në akt zgjidhjeje.

Gjithçka në emër të jetës. Jeta ka lindur të jetojë.

Çdo kohe ka Nënë Terezat e saj. Vërtetë me gjeste të vogla por me dashuri.

Falënderime të përzemërta, të gjithë ju që ishit pjesëe këtij rrugëtimi e rrëfimit tim modest.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat