Fundi i “krahut të luftës”!

Opinione

Fundi i “krahut të luftës”!

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 4 dhjetor 2021 Në ora: 20:18
Hashim Thaçi, Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli; foto ilustrim nga "Bota sot"

Hashim Thaçi bashkë me Kadri Veselin në Hagë, Ramush Haradinaj në opozitë, Fatmir Limaj në shuarje, me pak fjalë të ashtuquajturit komandantë, nuk janë në pozitë udhëheqëse.14 shkurti i vitit që po lëmë pas, shënoi vendimin e shumicës: nuk i duam në pushtet ata që thirren në emër të luftës dhe na vjedhin. 

Sikur të dëgjonin ish diplomatin amerikan, James Rubin, do të ishin më me dinjitet sot. Rubin, ishte kthyer në vitin 2013 krenar që e ka ndihmuar Kosovën 14 vjet më parë.

Duke nuhatur se ish-komandantët e luftës nuk po punonin si duhet, bëri një deklaratë, deri në atë kohë të padëgjuar, duke shpresuar se duhet të vijë koha kur krahu i luftës do ta kuptojnë se është mirë të largohen nga pushteti derisa janë ende të popullarizuar dhe të mos presin derisa është shumë vonë. “Unë shpresoj që njerëzit të cilët kanë qenë aq të rëndësishëm për revolucionin tuaj, për lirinë tuaj e kanë mençurinë të largohen sa janë në majë të suksesit të tyre”, ka thënë ish-diplomati amerikan James Rubin.

Këtë deklaratë të z.Rubin nuk e morën parasysh ish-komandantët, të cilët me zullumin ndaj qytetarëve të vendit të tyre arritën që mbi 200.000 prej tyre t’i detyrojnë të largohen nga vendi i tyre. Për ironi, ata që dikur hoqën maskat para Serbisë, për ironi tani kanë vënë maskat para qytetarëve të Kosovës, duke mashtruar, gënjyer dhe zhvatur të gjithë pasurinë e vendit. Nuk ka mëkat më të madh se në emër të lirisë, të zhvatësh vendin tënd, ata qytetarë që kanë bërë rrugë të gjatë dhe shumë e mundimshme për të arritur deri te liria. Askush nuk do ta besonte se thirreshin në emër të UÇK-së, me të marrë pushtetin do të “pushtonin“ vendin e çliruar nga të vet ashtuquajturit ‘’çlirimtarë".

Duke u përballur çdo ditë me këtë realitet të hidhur, ku më e rëndë se vdekja është jeta, më bën të dyshoj se këta që sot thirren në emër të UÇK-së së lavdishme, kanë të bëjnë sapopak me idealet e saj. Këta që u thirrën në emër të luftës kanë sjellë varfëri, shkatërrim në ekonomi, shëndetësi, arsim dhe fusha të tjera. Ka ikur dhe vazhdon të ik edhe truri i shoqërisë. Ikën, por pasojat i lanë të mëdha, ndëshkimin nga populli e kanë marrë, do ta marrin edhe nga historia.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat