Varret e papërgjegjësisë kolektive!

Opinione

Varret e papërgjegjësisë kolektive!

Nga: Alpin Ollogu Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 18:11
Alpin Ollogu

Në aksidentin tragjik të ndodhur në autostradën “Struma” të Republikës së Bullgarisë, humbën jetën 45 persona dhe 7 të tjerë u lënduan, shtetas të Maqedonise së Veriut, kryesisht shqiptarë. Sipas hetimeve të deritanishme, autobusi ka qenë i prodhuar para 15 -20 viteve, dhe i rinovuar së fundmi në Turqi, prandaj edhe nuk ka pasur sistem anti zjarr, nuk ka pasur ajrosje me hapje automatike të dritareve dhe dyerve në raste të urgjencave të zjarrit, madje nuk ka pasur mjaftushëm as çekiçë për thyerjen e xhamave. Ajo që shkaktoi edhe më shumë zhurmë, është se autobusi nuk ka pasur liçencë për qarkullim ndërkombëtar, ka bërë hyrje dhe dalje jashtë kufirit me qindra herë, pa një licencë të tillë qarkullimi. Të gjitha këto, pjesë e mozaikut të paligjshmërisë që përbën pjesa dërrmuese e transportit publik në vendin tonë.

Ky është kader i Zotit. Zoti ka mundësuar dhe na ka vënë në sprovë në raport me gjërat, ka krijuar mundësitë që gjërat mund të ndodhin me vullnetin e njeriut, qofshin të mira apo të këqija. Njeriu mund të shkelë apo të respektojë-zbatojë dispozita, ashtu si ligjet pozitive të një shteti, të cilat janë ngritur nga ligjvënësit e ndryshëm, e të cilët sigurisht kanë burime nga natyrshmëria e dallimit mes së mirës dhe së keqes, edhe nga dispozitat hyjnore, siç janë lufta ndaj rryshfetit, vjedhjes, grabitjes, vrasjes, bixhozit e të tjera me radhë. Kur njeriu vjedh, mashtron, ai shkakton dëm, atëherë ky është kader i Zotit, gjithçka është në dijen e Tij Absolute. Kur ndiqet, hetohet e dënohet penalisht i njejti, poashtu është kaderi i Zotit. Zoti ka mundësuar rrethanat që njeriu të zgjedhë mes së mirës dhe së keqes, e mes këtyre dy kaderëve ka vendosur një dallim qenësor, në kaderin e hajdutit dhe mashtruesit Zoti nuk e jep pëlqimin e tij, pavarësisht se është në dijen e Tij absolute, ndërsa në kaderin e ndjekjes dhe dënimit të hajdutit, Zoti jep pëlqimin e Tij. Ky është pak a shumë definicioni i kaderit i mësuar nga mësuesit e besimit Islam në vendin tonë, por edhe me pajtimin e mendimtarëvë të shumtë të fesë Islame, të cilin definicion e ilustrova me shembullin e hajdutit - mashtruesit.

Në rastin konkret të kësaj fatkeqësie të kobshme me humbje jetike, do të jetë kader të vihen para përgjegjësisë ligjore të gjithë ata që janë përgjegjës në një mënyrë apo tjetër të aksidentit me pasoja fatale, ose ata që janë bërë shkak që ky aksident ti ketë këto përmasa tragjike, qofshin përgjegjës nga shteti jonë, ashtu edhe nga Republika e Bullgarisë. Domosdo, para përgjegjësisë të vihet shteti Bullgar për atë që thonë ekspertizat e fundit, se bankinat e rrugës kanë qenë jashtë standarteve, ka pasur mungesë tabelash dhe shenja të dëmtuara rrugore.

Pasi ndodhi kjoj ngjarjej tragjike, u aktivizuan kontrolle rigoroze të mjeteve të transporitt publik në vendin tonë, dhe për një kohë të shkurtërm prej dy tre ditëve, qindra prej tyre u gjetën dhe u bllokuan nga qarkullimimi rrugor, sepse u gjetën me problem teknike, shumica prej tyre me probleme të sistemit të frenimit. Ky aksident, ashtu si ai i “Laskarcës”, nxjerr edhe njëherë në pah realitetin e hidhur, mënyrën se si funksionon sistemi, jo vetëm në transportin publik, por në shumë institucione të shtetit. Del në pah pjesa e kalbëzuar e sistemit. Ajo që i shton përmasat fatkeqësisë, është se për këtë kalbëzim, ka kontribut të jashtëzakonshëm edhe opozita, si ajo shqiptare ashtu dhe maqedonase, e djeshme dhe e sotshme. Ndoshta maqedonase më shumë, për arsye se çdoherë kanë kontrolluar pjesën më të madhe të sistemit. Prandaj vetëm opozita nuk mund të jetë zgjidhja, sado ta trumbetojnë këtë me propagandën politike, se nësë opozita do ti kishte zgjidhur punët e gabuara, nuk do te ishte ajo që është, nuk do të ishte e akuzuar, nuk do të kishte humbur pushtetin pikërisht nga papërgjegjshmëritë institucionale të faktuara me skandale të shumta.

Çfarë mbetet të bëhet, është një reflektim i përgjithshm nacional, shtetëror, një tronditje qeveritare e opozitare, sepse të gjithë ne mund të ishim në autobusin tragjik, në atë kaderin e papërgjegjësisë sonë kolektive. Po edhe nëse ne nuk u gjendëm në autobusin konkret të tragjedisë, aty ishin shtetasit tanë, vellezërit e motrat tona, bashkëkombasit e farefisi, aty ishin fqinjët tanë, jeta jonë e përditshme, ashtu si ishin fqinjët e mi të parë të familjes fisnike Jahiu, ishte Ergini vetëm 14 vjeç, Ramizi në të 20- tat, nëna e tyre zonja Amiet 45 vjeçe, pastaj zonja Semije 35 –vjeçe me katër fëmijët e saj Omerin 11 vjeç, Ajlën 14 vjeçe, Razijen 12 vjeçe dhe Belmën 7 vjeçare, fytyrat e të cilëve na dalin parasysh çdo ditë, saherë afrohemi shtëpisë, dyerve, ashensorit, zëri dhe fytyrat e tyre engjëllore tashmë të munguara. Kujtimet e tyre na ndjekin dhe trondisin për të kërkuar reflektim, për të rregulluar gjërat në këtë shtetin tonë me probleme të mëdha shtetërore.

Pushteti ekzekutiv le ti shtrengojë dhëmbët. Lufta ndaj se ligës nuk duhet të ketë kompromis, ndaj kujtdo qoftë, në të kundërtën e liga ka për të ardhur edhe në pragun e shtëpisë së gjithësecilit. Të luftojmë kaderin e paligjshmërisë dhe papërgjegjësisë, me kaderin e rregullit dhe ligjshmërisë. Na lypset reflektim i sinqertë, tronditës. Paraja, pushteti dhe lufta për pushtet nuk ka vlerë, kur bëhen llogaritë para varreve të papërgjegjësisë kolektive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat