Krenar me gratë e Kosovës

Opinione

Krenar me gratë e Kosovës

Nga: Lirim Gashi Më: 14 janar 2022 Në ora: 13:18
Lirim Gashi

Teksa shikoja dhe shijoja një emision televiziv në të cilin Luljeta Aliu rrëfeu përvojën e saj të dhimbshme të divorcit dhe sfidat me të cilat u përball për disa vite me radhë, ndesha një element të madhështisë së vërtetë njerëzore që haset rrallë jo vetëm në Kosovë por edhe në Evropë.

Pse po e them këtë?

Sepse, duke jetuar për një kohë të gjatë jashtë vendit, m'u lejua të shikoja, ndjeja dhe analizoja në detaje qasjen e shumicës absolute të grave gjermane ndaj kësaj teme sfiduese dhe në 80% të rasteve hasa në një qasje nihiliste të shoqëruar me elemente tendencioze të natyrës jashtëzakonisht feministe.

Femrat gjermane duket se janë frymëzuar aq shumë nga shkolla, ose më saktë nga lëvizja ekstreme feministe "Alice Schwarzer", saqë humbën arsyen e shëndetshme dhe qëllimin e justifikuar të barazisë gjinore gjithëpërfshirëse përmes një demonizimi tepër të njëanshëm dhe gjithëpërfshirës të botës mashkullore.

Kjo është arsyeja që analistët e paanshëm shpesh e humbin jo vetëm mëshirën dhe simpatinë ndaj tyre por edhe solidaritetin. 

Nga ana tjetër, shpjegimi i Luljetës ishte sa i dhimbshëm aq edhe i natyrshëm, bindës, kuptimplotë dhe pa asnjë element urrejtjeje, hakmarrjeje dhe krenarie të rreme.

Përkundrazi, ishte një shpjegim aq i nevojshëm, i dobishëm, human, ndriçues, dashamirës dhe ​dinjitoz për shoqërinë, kohën dhe hapësirën në të cilën jetojmë, saqë mund të merret si një paradigmë e sjelljes njerëzore, dobiprurëse, dinjitoze dhe profesionale, i cili ofron zgjidhje optimale për këtë fenomen kaq kompleks.

Prandaj Luljeta mund të shihet si një model për një qasje shumë më adekuate, korrigjuese dhe profesionale ndaj elementëve të shumtë të pabarazisë gjinore sesa që e kemi në si shoqëri dhe institucionet tona shtetërore.

Sepse tek ne ndodhin shkelje të rënda gjatë zbatimit të drejtësisë në praktikë, që i godisin shumë gratë dhe fëmijët dhe i degradojnë institucionet përkatëse shtetërore.

Por kjo nuk është e gjitha.

Më pëlqeu shumë edhe niveli profesional i prezantueses së programit Antigona Kotorri, i cili ishte shumë më i lartë se niveli i zakonshëm kosovar, ballkanik dhe evropian, sepse përmbante edhe shumë elemente të dobishme shpjeguese.

Sepse nuk është e lehtë të mbash nivelin profesional kaq të lartë kur tema e bisedës është një problem kaq kompleks emocional, në një shoqëri kaq patriarkale, të dhunshme dhe provinciale të llojit "jashtëzakonisht mashkullor", që cenon dinjitetin e gruas aq keq sa nën kushte normale, duhet të prodhonte neveri kolektive.

Nëpërmjet këtij emisioni mësova diçka të re për femrat kosovare.

Diçka që më mbush me optimizëm, sepse atyre edhe pse u janë shkelur të drejtat elementare njerëzore me dekada dhe shekuj prapëseprapë po e arrijnë më shumë suksese se meshkujt në të të gjitha fushat profesionale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat