Bashkimi Evropian, kundër sovranitetit të Kosovës

Opinione

Bashkimi Evropian, kundër sovranitetit të Kosovës

Nga: Skender Musliu Më: 14 janar 2022 Në ora: 14:52
Autori

Nuk është hera e parë, por në vazhdimësi Bashkimi Evropian, Kosovës i kërkon të zbatojë vendime që janë në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe Kushtetutën e Kosovë, duke i ngelë besnike politikave të saja ndëshkuese ndaj Kosovës.

Këtë e vërteton edhe veprimi i fundit i BE-së lidhur me referendumin e Serbisë të datës 16 janar 2022, që konsiston në ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë në sferën e drejtësisë. Serbia, siç është mësuar gjer më tani, ka kërkuar që ky referendum të mbahet edhe në Republikën e Kosovës, mirëpo kryeministri Kurti, në mënyrë kategorike e ka kundërshtar një propozim të tillë, duke e bërë të qartë vendimin e Qeverisë së Kosovës, se ky referendum nuk do të mbahet në Kosovës.

Aleksandwr Vuçiqi është ankuar dhe ka kërkuar nga BE-ja të ndërhyjë te autoritetet e Kosovës që të mundësojë mbajtjen e këtij referendumi.

Në këtë kontekst diplomatik, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borell gjatë një bisede telefonike me kryeministrin Kurti, i ka kërkuar atij që t’iu mundësohet serbëve të Kosovës votimi, ashtu siç ata kanë votuar edhe më parë. Në këtë linjë ishte edhe zëdhënësi i BE-së Petar Stano.

Fatkeqësisht, edhe shtetet e QUINT-it, të cilat ndër të parët e kanë njohur pavarsinë e Kosovës, i kërkojnë institucioneve të Kosovës që t’iu mundësohet serbëve të Kosovës referendumi.

Kryeministri Kurti, në formë të prerë e ka bërë publike qëndrimin e Qeverisë së Kosovës, se referendumi i Serbisë nuk mund të mbahet në territorin e Republikës së Kosovës, sepse është në kundërshtim me Kushtetutën e saj, në të kundërtën Kosova në mënyrë indirekte do të pranonte se ajo është pjesë e Serbisë. Kryeministri i Kosovës ka qenë shumë i qartë dhe i drejtë duke deklaruar se serbet e Kosovës me shtetësi të dyfishtë, mund të votojnë vetëm përmes postës dhe në Zyrën Ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë.

BE-ja dhe Vuçiqi ishin mësuar me Qeveritë e kaluara të Kosovës, që ishin të kapur dhe të shantazhuar me dosje nga Serbia, që i shërbyen si vasal besnik, të nënshtruar dhe të poshtëruar, kurse para popullit të turpëruar dhe të tradhtuar.

Vuçiqi në një konferencë për shtyp deklaroi se moslejimi i mbajtjes së referendumit, do të ketë pasoja shumë të rënda për Kosovës, për çka nuk janë të vetëdijshëm politikanët e Kosovës. Këto kërcënime të Vuçiqit, janë jashtë realitetit aktual, sepse nëse dikush do të ketë pësoja, ai është Vuçiqi, mbase çdo ditë e më tepër ai do ta humb ndikimin e tij në Kosovë, e sidomos pas Dekretit të presidentit të SHBA-ve dhe Departamentit Amerikan të Thasarit, që i shpalli persona non grata vëllezërit Veselinoviq dhe Radojçiqin, që shquhen si njerëzit më të afërt të Vuçiqit që realizojnë politikat e tij destabilizuese në Kosovë.

Ka ikur koha e servilizmit ndaj Serbisë, koha kur politikanët e papërgjegjshëm, pranonin çdo kërkesë të Serbisë, tani me Qeverinë Kurti dhe institucionet e reja, ka filluar një periudhë e re e politik-bërjes dhe Kosova nuk do të sillet më si Krahinë e Serbisë, por si një shtet sovran dhe i pavarur.

Organizimi i referendumit të Serbisë në Kosovë, është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që cenon Rendin Kushtetues, sovranitetin, integritetin territorial, dobëson subjektivitetin ndërkombëtar dhe defunksionalizon institucionet shtetërore të Kosovës, prandaj refuzimi është mençuri dhe guxim politik.

Nuk është kjo hera e parë që Borell, jo vetëm që ia mbanë anën Serbisë, por në mënyrë flagrante ai tejkalon dhe keqpërdorë kompetencat e tij, duke harruar se nuk mund të ushtrojë rolin e palës duke imponuar zgjidhje, por ai është vetëm një ndërmjetësues dhe lehtësues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Sjellje të papërgjegjshme ndaj Kosovës ka pasur edhe paraardhësja e tij, Frederica Mogherini si dhe Miroslav Lajçak, duke pranuar ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e Kushtetutë së Kosovës. Këto veprime politike arrogante të BE-së kundër interesave të Kosovës duhet marrë fund.

Këto veprime diskriminuese të BE-së, edhe një herë e më tepër, tregojnë disfunksionimin e institucioneve dhe strukturave politike vendimmarrëse të BE-së, të cilat nuk kanë koordinim mes veti, rrjedhimisht mossuksesi i dialogut është rezultat i politikave të gabuara kronike të BE-së, ku viktimë gjithnjë është Kosova.

Me këtë rast, është me rëndësi të madhe që opozita, shoqëria civile dhe çdo organizëm tjetër, ta mbështesin pa rezerva Qeverinë e Kosovës, sepse vetëm duke qenë unik, Kosova do t’i rezistojë presioneve joparimore të faktorët ndërkombëtar.

Personalisht e përgëzoj kryeministrin e Kosovës për këtë refuzim parimor dhe e inkurajoj që deri në fund t’i rezistojë dhe ngeli besnik këtij vendimi, duke mos i lëshuar pe Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat