Bëj si bëj unë!

Opinione

Bëj si bëj unë!

Nga: Fadil Lepaja Më: 15 janar 2022 Në ora: 16:40
Fadil Lepaja

Dikur thuhej ndryshe. Thuhej, “bëj si them unë”! Ata që kishin fuqi politike dhe represive e thoshin dhe e impononin këtë, ndërsa nga të padëgjueshmit kërkonin llogari. Në të njëjtën kohë, ata që nuk kishin fuqi politike, bënin demagogji. Thoshin, “Bëj si them unë dhe mos shih çfarë bëj unë”! Kështu ishte ndërtuar modeli.

Kështu kishte lindur ajo thënia e famshme, e cila u atribuohej klerikëve, të cilët shpeshherë në të njëjtin dollap mbanin librin e shenjët dhe librezën e partisë. Kishte edhe mjaft humor në thënien,” Bëj si them unë,  e mos shih se çfarë bëj unë”! E ftonin xhematin të sillej sipas rregullave të besimit, ndërsa vet silleshin ndryshe. Fjalët e veta nuk i respektonte as partia, por ndëshkimi i partisë dhe shtetit ishte i menjëhershëm. Me zotin mund të negociohej!

Përndryshe, të thuash, “bëj si them unë”, është formulë standarde e sistemeve autoritare. Partia, politika, shkolla, këtë e kishin si formulën e pagëzimit. Feja, te ne ku nuk kishte inkuizicion, fliste ndryshe, pra thoshte “Bëj si them unë, e mos shih çfarë bëjë unë”!

Ende nuk është e qartë se si po na thotë BE lidhur me referendumin. Do të thotë, “bëj si them unë?” Ndoshta do të thotë,”mos shih çfarë bëjë unë”? Apo do të na thotë “bëj si bëj unë”?

Edhe shqiptarët patën mbajtur një referendum, nën Serbi. Vitet e 90-ta u mund frika, u bë një referendum, për pavarësi të Kosovës, u aprovua një kushtetutë, u mbajtën edhe zgjedhje të lira nën okupim, edhe pse e gjithë kjo pastaj u quajt ilegale dhe përqeshej nga Serbia zyrtare, ndërkohë që për qytetarët përpos në raste kur i pyeste shteti serb, gjithçka ishte legjitime. Me shtetin bëhej politikë!

Tridhjetë vite pas kësaj, situata është rrotulluar. Serbët e Kosovës, janë ftuar nga shteti i Serbisë, të dalin në një referendum për ndryshimet kushtetuese në Serbi. Qeveria e Kosovës po refuzon të lejojë votimin nëpër objekte publike por ka deklaruar se nuk sheh ndonjë problem që votimi i qytetarëve me dyshtetësi të bëhet përmes postës apo përmes zyrës ndërlidhëse të Serbisë, në Kosovë, me çka krijoi tensione të mëdha, jo vetëm me Serbinë por edhe me BE.

Ndërhynë edhe ambasadorët e vendeve perëndimore me kërkesë që të lejohet votimi, por kjo nuk ndodhi. Kryeministri, Presidentja dhe Kryeparlamentari dolën me qëndrim unik, se duhen respektuar normat dhe praktikat ndërkombëtare lidhur me këtë çështje, pra të votohet në ambasadë/zyrë ndërlidhëse ose me postë.

Vitin e kaluar, me 25 prill 2021, ditën e diel, Kryeministri i Kosovës, votoi në zgjedhjet parlamentare në Tiranë! Nuk votoi me postë, as nuk votoi në ambasadën e Republikës së Shqipërisë, por shkoi me veturë zyrtare dhe votoi. Nuk u pengua as nga fakti se ishte kryeministër i një vendi sovran, të cilin Republika e Shqipërisë e kishte njohur! Ai shkoi atje për të kryer obligimin qytetar, ndaj vendit i cili ia kishte dhënë shtetësinë.

Pra, “Bëj, si bëra unë” i bie të jetë udhëzimi i kryeministrit të Kosovës, për qytetarët e komunitetit serb të Kosovës, të cilët kanë edhe shtetësi të Republikës së Serbisë. Natyrisht, nuk dihet, nëse qysh vitin e kaluar, ta ketë menduar këtë situatë nëpër të cilën po kalon sot shteti i Kosovës, apo thjeshtë bëhet fjalë për intuitë, apo respektim të parimit.

Mund të duket se nuk është e njëjta gjë. Kur ti sillesh sikur të tjerët, atëherë reciprociteti është zgjedhje e jote, por kur ti i obligon tjerët, të sillen sikur ti, kjo nuk ka të bëjë me vullnetin e tyre. I bie reciprocitet i imponuar, por nëse do që të ruhet kuptimi i reciprocitetit atëherë duhet të kesh argumente të forta ku e mbështetë veprimin tënd.

Pra, ku jemi? Ashiqare, kur kërkon që tjetri të sillet si thua ti, nuk do të thotë me automatizëm se ti ke të drejtë. Por, edhe vendet demokratike e kanë të vështirë të injorojnë normat dhe praktikat ndërkombëtare, sidomos ato të cilat e kanë njohur Kosovën. Edhe ato duhet të bëjnë zgjidhjen e tyre: të thonë bëj si bëj unë, apo bëj si them unë.

Pra, bëj si bëj unë, mund të thotë kryeministri dhe të ftojë vendet e BE dhe Serbinë të respektojë normat dhe praktikat ndërkombëtare. A do të insistojë bashkësia ndërkombëtare që Kosova, ky vend i njohur prej tyre, të lejojë diçka që ata nuk do ta lejonin? Përjashtimi në këtë rast nuk do të vërtetonte rregullin!

Padyshim, nëse BE do të binte në këtë grackën dinake të Serbisë, e cila kërkon që të tjerët të bëjnë atë që nuk do ta bënte vet, atëherë do të shkelte me të dyja këmbët principet bazë mbi të cilat është ndërtuar ajo vetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat