Ballkani i hapur për grindje

Opinione

Ballkani i hapur për grindje

Prof. Dr. Mersel Bilalli Nga Prof. Dr. Mersel Bilalli Më 17 janar 2022 Në ora: 11:10
Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandar Vuçiq

Pa dilemë se “Ballkani i Hapur” hapi do plagë të thella në rajon, madje edhe mes dy pushteteve në Shqipëri e Kosovë. Sikur ndokush kishtë aq shumë nevojë për të ndërsyer zagarët mediatik për ta shqyer “tradhtarin” që i “shet kombin armikut historik”! Argumentet kundër në ambientin shqipëtar janë të llojeve të ndryshme, por sikur dominon ai i dhunës dhe i terrorit për dekada e vite të ushtruar në Kosovë. Por, gjithëherë ka nevojë për një qasje të re. Po të nisej bota normale gjithëherë me këte argument, atëherë asnjëherë në Evropë s’do kishte paqë. Në dy qind vitet e fundit, në luftërat mes shteteve evropiane, tani anëtare të UE-së, humbën jetën afro 130 milion njerëz dhe shumë vuajtje, shkatërime e dhunime. Vetëm në Luftën e Dytë Botërore gjetën vdekjen mbi 50 milion njerëz. 

Legjitime, madje edhe e pritshme është që nisma në fjalë të ketë edhe kundërshtime të caktuara, pasi deri dje këtu kishte zjarr, terror e masakra. Madje, vet nismat fillestare integruese evropiane hasnin në këso kundërshtimesh për shkak të armiqësive shekullore mes françezëve, gjermanëve, britanezëve etj. Por, figurat e mëdha, në rend të parë Zhan Mone dhe Robert Shuman, të përkrahur nga SHBA, vendosën që këtyre tragjedive t’u japin fund! Në Evropë tanimë për 77 vite s’ka më luftë, por bashkëpunim dhe zhvillim. Mos t’i kishim këto integrime, Zoti e di se edhe sa lufta dhe vuajtje do të kishin ndodhë gjer tani!

Të gjitha analizat serioze, tregojnë se po të mos filloj njëfar integrimi rajonal, veçanarisht në kushte të blokadës integruese në UE, rajoni jo vetëm që s’do qetësohet e zhvillohet, por më së paku që mund t’i ndodhë – ai të zbrazet. Këtu shqiptarët mbajnë rekordin. Mos harojmë se mu për shkak të mungesës së interesimit për zhvillim (gjë, e cila as që pritej nga garnitura të korruptuara), sot Shqipëria ka 800 mijë banorë më pak se 30 vjet më parë. Në Maqedoni, popullata rezidente (që efektivisht jeton në këtë shtet) është e përgjysmuar. Rregjistrimi politikë do të tregoj se sa shumë shtetas jemi, por ata sigurt se natyralizohen në vendet perëndimore ku efektivisht jetojnë, kurse popullata e këtuit rezidente çdo ditë e më shumë mbetet e pakësuar dhe e vjetërsuar.

Iniciativa për tregun e përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor ka nevojë për sqarime të hollsishme. Shumë e pritshme është se ka forca ugërzeza në rajon që në çdo kohë dëshirojnë konflikt dhe ato presin momentin e duhur. Por, njerëzit e përgjegjshëm s’duhet t’ua japin momentin këtyre forcave. S’ka ilaq më të mirë kundër tyre se sa bashkëpunimi dhe integrimi.

Tjerat janë vetëm mashtrime, keqpërdorime dhe manipulime, ku s’jepet asnjë rrugëdalje, pos komplikimeve që çojnë popullin në ferr.   

Një argument tjetër kundër, është konstatimi se Serbia ka fuqi më të madhe ekonomike dhe aftësi konkurrente, dhe se eksporti serb në Shqipëri është afro tri here më i lartë se e kundërta. Thënë shkoqur, ekonomia e Serbisë do ta përmbysë tregun shqiptar me produktet e saj ushqimore. Por, çdo ekonomist mesatar do t’ua thot se zgjidhja nuk është duke penalizuar eksportuesin serb, por duke stimuluar më shume prodhuesin shqiptar. Fatkeqësisht e kundërta na ndodhë prej vitesh. Zgjidhja do të ishte një politikë incentivuese e asaj që quhet “zëvendësimi i importeve”, kryesisht për produktet bujqësore dhe ushqimore për të cilat Shqipëria ka avantazh. Sa u përket produkteve industriale dhe teknologjike, nuk kemi pse të lodhemi sepse çdo prodhim që pretendojmë ta shesim në UE, plotëson kriteret konkurente gjermane apo italiane. Por, duhet theksuar se në çdo tregti të përbashkët ka subvencione nga fonde të përbashkëta.

Një çështje tjetër është klima investuese në çdo shtet. Këtu mund të pyesim çfarë e pengon Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut të jenë po aq pragmatike sa Serbia që po merr njëkohësisht investime të huaja nga SHBA-ja, nga UE-ja, nga Turqia, Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe? Në kohën kur teknologjia është lehtësisht e transferueshme, diferencën e konkurrencës e bëjnë kostot e punës, logjistika dhe transporti. Me logjikë të ftohtë ekonomike (ceteris paribus), supozojmë se Shqipëria dhe Serbia të kishin të njëjtën klimë biznesi (p.sh., taksa, siguria kontraktuale, gjykata efikase etj.), pse një kompani multinacionale si “Fiat” do të zgjidhte Kragujevcin në Serbi dhe jo Durrësin nëse makinat ishin të destinuara për tregun italian, ndërkohë që kostoja e fuqisë punëtore është më e lirë, kostoja e logjistikës dhe e transportit më e lirë në Shqipëri? Pse kompania italiane “Terna” e ndërtoi kabllon nënujor për eksportin e energjisë me Italinë në Mal të Zi dhe jo në Shqipëri, ku është edhe prodhimi më i madh i energjisë dhe kostoja e ndërtimit do të ishte më e lirë? Apo, pse investitori kanadez vendosi të ndërtonte “Port of Montenegro” kur në fillim interesi i tij ishte të ndërtonte një port jahtesh në Orikum?

Ndoshta mos është vonë të kuptojmë se patriotizmi i vërtet është zhvillimi ekonomik, kurse ai tjetri folklorik është vetëm një shfarosje për popullin. 

Disa mendojnë – integrime PO, por vetëm në UE, e jo nga ata rajonale! Por, dihet se vet UE-ja së pari u integrua mes vet armiqëve të deridjeshëm. Atëherë, përse EU neve të na priviligjoi më shumë se sa vetveten! Madje edhe për antarsim në UE kusht themelor janë marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore. Madje, edhe integrimi brenda-shqipar më së miri intensifikohet brenda makrotregut rajonal, përndryshe i njëjti do mbetet vetëm një poezi e lezetshme për veshin. A poezitë lehtë shndërrohen në elegji, e mandej në tragjedi. Kurti së pari lyp “Makro-Schengenin brenda shqipëtar”, pastaj ate rajonal, por Rama mendon se kjo gjë mund të bëhet pa dridhje vetëm brenda “Mini-Shengenit Ballkanik”. Por, edhe Kurti sikur indirekt pajtohet me njëfar tregu të përbashkët rajonal, por siç potencon “përmes modelit të EFTA-s dhe EEA-së (Zonës Ekonomike Evropiane)”. Pra, kemi qasjet të ndryshme që kanë të bëjnë vetëm me formatin e veprimit. Kryeministri i Shqipërisë si një promoter i krijimit të “Mini-Shengenit”, mendon se vazhda e Procesit të Berlinit ka hapë rrugët e mbyllura brendashqipëtare, për lëvizje të lirë të mallrave, kapitaleve, shërbimeve, por edhe më shumë se kaq, që deri dje ka qenë si diçka e pa imagjinueshme për shkak të rezistencës së Serbisë, dhe jo vetëm saj! Në kushte të integrimit rajonal askush më nuk mund t’u akuzojë se bëni “Shqipërinë e madhe”. Ish ministry shqipëtar Genc Pollo vëren se Tregu i Përbashkët Rajonal është një "fëmijë i Procesit të Berlinit" dhe i referohet "tregtisë, tregut të punës, kalimit të kufirit dhe çështje të tjera", dhe se "ka mbështetjen e Bashkimit Evropian".

Në fakt në rajon ekzistojnë dhjetëra iniciativa të ngjajshme siç janë për shembull - Zona Rajonale Ekonomike ( Regional Economic Area – REA); Këshilli Rajonal për Bashkëpunim (Regional Cooperation Council – RCC); CEFTA etj. Shumë veprime nga këto organizata koordinohen përmes Procesit të Berlinit ku përfshihen të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Serbia, BeH, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova). REA ka edhe dimensionin social dhe agjendën dixhitale që i jep kredi të shtuar kësaj organizate në krahasim me CEFTA -n, e cila është shprehimisht një marrëveshje tregtare.

Shqipëria dhe Kosova si shtete dhe si politika institucionale, duhet të koordinohen efektivisht drejt afrimit, integrimit rajonal dhe bashkëveprimit, pasi për një bashkim formal do të duhet të kalojë edhe shumë kohë, madje edhe pas marrëveshjes eventuale me Serbinë. Të përkujtojmë se për një bashkim edhe formal, për momentin pengesë është edhe vet Kushtetuta e Kosovës, e cila që në nenin 1. e ndalon një gjë të tillë.

Liderët shqiptarë duhet ta kenë parasysh se cila fuqi botërore për momentin ka interes rajonin ta integron, e që tani për tani nuk eksponohet gjer në shfryerjen e kundërshtimeve të brendshme emocionale e politike. Dihet se këte iniciativë të integrimit rajonal, pos Gjermanisë, fuqishëm po e përkrah edhe Banka Botërore, e pas saj dihet se kush qëndron. Eskobar, qartë e tha se duhet apeluar edhe në tre vendet tjera të Ballkanit perëndimor. Andaj disa doktora shkence që nuk hezitojnë kyeministrit shqiptar t’i ngjesin etiketa shumë të rënda, shpejtë do mbeten si peshku në të thatë. Ne kemi një situatë në Malin e Zi ku ka një polarizim i madh. Në Bosnjë dhe Hercegovinë për një kohë të gjatë marrëdhëniet midis dy njësive janë tejet të tendosura.

Plagët mes Serbisë dhe Kosovës vazhdojnë të gjakosin. A thua, se këto problemr më lehtë do zgjidhen si të acarur?! 

Por, edhe në aspekt të komunikacionit rajonal, pengesat dhe obstruimet ndaj Shqipërisë dhe Kosovës në kufijtë e Serbisë (por edhe BeH), sjellin dëme të shumfishta. A është më logjike që të vazhdohet me këso inatesh duke vrarë shanset ekonomike në vendet tona dhe duke shpërngulur rininë tonë vitale, apo do mendojmë me koka të kthjellëta përpara se sa miqtë tanë strategjikë të na thuajnë se për aq kohë vazhdojmë të mbetemi të paaftë për gjykim, dhe se për secilin hap kemi nevojë për tutorë e mentorë! Duke pas parasysh se tanimë edhe SHBA dolën në përkrahje të “tregut të përbashkët rajonal”, deklarata e ministres së jashtme të Kosovës - Gërvalla, i gjason një bajpasimi politik se Ballkani i Hapur "krijon idenë e përcjelljes së një mesazhi se ekziston një alternativë tjetër përveç rrugës së përbashkët të rajonit drejt BE-së, dhe se mesazhi është po aq i rrezikshëm sa edhe vonesat në integrimin evropian”.

Me ndërmjetësimin amerikan, tani më ekziston memorandumi, që ka të bëjë me trafikun hekurudhor dhe studimi i fizibilitetit për lidhjent hekurudhore Beograd-Prishtinë, duke përfunduar në portet e Detin Adriatik. Përgjithësisht, inkuadrimi kompatibil infrastruktural rajonal në rrjetin evropian TEN-T, do ta bëjë bregdetin shqiptar një epiqendër të disa korridoreve rajonale të Ballkanit Perëndimor. Kjo gjë, jo vetëm që akoma më shumë do t’i integrojë shqiptarët në rajon, por aq më tepër ata do t’i shndërrojë në faktorë kyq të Korridorit 8, 10 e 11, kurse përmes “Transferzales Jugore” dhe “Rrugës së Kombit” do t’i konektonte me shumë segmente të korridoreve tjera rajonale, me çka portet e Durrësit dhe Shëngjinit do të shndërroheshin në porte strategjike rajonale ku do të qarkullojnë miliarda dollarë. 

Ekspertët botërorë janë të mendimit se nisma për tregun rajonal, nuk ka asnjë ndikim negativ në procesin eurointegrues, madje është kompatibil më te, pasi bashkarisht shtetet përbushin kushtet e parapara për UE. Njëherit nuk humbet kohë, pasi për momentin UE ka problemet e saja dhe nuk i përkushtohet zgjërimit. Kurse ne në fakt ecim në drejtim të saj, që pas do vitesh kur të stabilizohet gjendja atje, ne në procedure të shpejtuar të antarsohemi (pasi në rajon bashkarisht kemi plotësuar shumë standarde). Mendim të ngjashëm ndan profesori Florian Bieber, anëtar i Grupit Këshillues të Politikave të Ballkanit në Evropë (Balkans in Europe Policy Advisory Group - BiEPAG), duke vënë në dukje se “Mini-Shengen është një nismë e mirë dhe është vështirë të shohësh diçka të keqe në të. Do të ketë kuptim vetëm nëse përfshin jo vetëm tre, por të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Veçanërisht e çuditshme që Kosova të mos jetë pjesë e nismës, pasi ajo është e rrethuar nga tre nënshkruesit” - thotë Bieber. Mbetja jashtë rajonit nënkupton izolim ekonomik, kurse Serbia akoma më shumë do të fuqizohej.

Konstatimet se bëhet fjalë për ndonjë Jugosllavi të re, sa janë komike për ata që kanë së paku dy gram dituri, aq edhe tragjike për nivelin e injorancës ndër ata që kanë diploma të bollshme. Për një gjë të tillë që në shkollën fillore mësohet se duhet një parlament i përbashkët, një qeveri, administrate, ushtri, polici… Kurse po me të njëjtit partner fqinjë pas një dekade sërisht do takohemi në UE, madje me ndëlidhje institucionale!

Fundja, duhet rreshtuar aty ku na udhëzojnë partnerët strategjik, pa të cilët nuk do ekzistonim as si komb e as si shtete sot. Shqipëria vetë nuk do të kishte mbijetuar si shtet i ri pas shpalljes së pavarësisë, nëse nuk do kishim, përveç të tjerash, aktin e marjes nën mbrojtje nga Presidenti i SHBA Woodrow Wilson dhe Austro-hungaria. Sikundër që Kosova nuk do të ishte sot, shteti i dytë shqiptar në Ballkan, pa ndërhyrjen ushtarake të NATO kundër ushtrisë së Millosheviçit që ndali genocidin dhe solli çlirimin. Serbia e di mire se është e rrethuar me anëtare të NATO-s dhe bënë ate që më së miri është për të në këso rrethanash. Andaj, koha është të mendojmë me tru e jo me zemër, aq më pak me patriotizëm folkloric! Shpesh jemi të detyruar të zgjedhim, jo atë që duam, por ate që duhet.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat