Kush trumbeton për një Luftë të tretë ballkanike

Opinione

Kush trumbeton për një Luftë të tretë ballkanike

Nga: Merxhan Jakupi Më: 18 janar 2022 Në ora: 16:03
Merxhan Jakupi

Në mediet perëndimore, kohëve të fundit, gjithnjë më shumë po vihet në spikamë Ballkani Perëndimor, me theks të veçantë Bosnja-Hercegovina dhe Kosova. Ato trumbetojnë me të madhe se Bosnja-Hercegovina është para shpërthimit dhe shpërbërjes si shtet. Disa supozojnë dhe parashikojnë, madje, fillimin e një Lufte të tretë ballkanike. Kjo do t'i implikonte edhe disa shtete të tjera në Ballkan dhe përreth Ballkanit, duke hapur një "front jugor", ku do të përfshiheshin Sanxhaku, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Me këtë do të hapej "kutia e Pandorës" dhe imponimi i ndryshimit të kufijve dhe formimi i shteteve të pastra etnike.

Sipas ekspertit për çështje politike në Ballkan, Tim Juden, Serbia do ta kishte marrë veriun e Kosovës, ndërsa për këtë do të lejonte bashkëngjitjen me Kosovën të Luginës së Preshevës dhe të disa territoreve të pabanuara, siç i quajnë "Tokë gurësh..." (Zemlja kamenja...). Bashkësia ndërkombëtare, më në fund, kishte parë se luftërat e përgjakshme të viteve të '90-ta, nuk solli paqen mes popujve të Ballkanit. Ende nuk është zgjidhur ngërçi mes këtyre popujve të hasmuar. Si skenar do të ishte Plani B nga konferenca e Lisbonës të Lord Karingtonit, i cili parashikonte si alternativë edhe ndryshimin e kufijve. Bosnja ishte paraparë të ndahej në tre etnitete. Serbët do t'i bashkëngjiteshin shtetit amë, Serbisë, kroatët Kroacisë, ndërsa boshnjakët do të kishin një mini-shtet. Ka politikanë që janë indiferentë ndaj projeksioneve për ndryshimin e kufijve. Disa duan që ndarjen e Bosnjës ta bëjnë në bazë të strukturës demografike. Sipas regjistrimit të fundit në Bosnjë-Hercegovinë, mbi 50 për qind janë boshnjakë myslimanë, 30 për qind janë serbë dhe 12 për qind kroatë e minoritete të tjera.

Publicisti dhe diplomati boshnjak, Zllatko Dizdareviq, ka konfirmuar se lufta në vitet e '90-ta kishte qenë për territore. Po të fillojë një luftë e re, përsëri do të jetë për territore, ndërsa boshnjakët janë të vetmit që angazhohen për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të këtij shteti. Po qe se boshnjakët do të siguronin 50 për qind të territorit, aq sa janë me popullatë, që përfshin një sipërfaqe prej 25 mijë kilometrash katrorë, dhe po qe se kjo do të bëhej në mënyrë "paqësore", siç thotë Millorad Dodik, atëherë kjo ndarje pa luftë do të ishte diçka utopike, njëjtë sikur ditën e hënë ta bënin të martë.

A DO TË NDODHË SHPËRBËRJA E BOSNJËS

Eksperti amerikan, një ndër njohësit brilant të Ballkanit Perëndimor, Janus Bugajski, në një intervistë ka pohuar se ekzistojnë tre skenarë për krizën në Ballkanin Perëndimor. Sipas të parit, do të ushtrohen sanksione ndaj liderit të Republikës Serbe, Millorad Dodik, si dhe do t'u bëhet revizion drafteve dhe neneve të Projektit të Dejtonit për koekzistencën e Republikës së Bosnjë-Hercegovinës. Skenari i dytë, do të ishte shpërbërja e BH në tri etnitete, ku do të kishte një luftë të kontrolluar, me intensitet të ulët, ndërsa në të do të involvoheshin Serbia dhe Kroacia, që, pastaj, do të intervenonte SHBA dhe NATO. I treti, parasheh përfshirjen e Rusisë në luftë, ndërsa Perëndimi do të frikohej që të intervenojë. Ky skenar do të ishte tragjik për Ballkanin Perëndimor. Ballkani do të ishte një "lojë shahu" ndërmjet Rusisë dhe Turqisë, ndërsa epilogu do të ishte ndarja e Ballkanit Perëndimor në dy pole: sllavo-ortodokse dhe myslimane. Bugajski ka thënë se lideri ultranacionalist dhe populist, Millorad Dodik, është shndërruar në hero, ndonëse ka shkelur "vijën e kuqe". Dodik duke parë inferioritetin e pasivitetin e BE-së, ai po teston SHBA-në dhe BE-në. Dodik është një marionetë apo një kukull e Putinit. Është për t'u habitur se si ky lider është duke i injoruar e tallur me zyrtarët e kancelarive në Bruksel. Bie fjala, Dodik ka fyer presidentin amerikan, Xho Bajden, duke e quajtur djalin e tij "një kriminel dhe narkoman". Për Eskobarin ka thënë se është një sahanlëpirës dhe vasal i presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. Po ashtu, nuk ka kursyer diplomatët anglezë e gjermanë, të dërguarin e posaçëm në Sarajevë, Kristian Shid, duke e akuzuar si neonacist. Me sharjet dhe gjuhën e urrejtjes i takon racës më primitive, ndërsa për politikanët dhe kancelarët perëndimorë, ai është vetëm një fëmijë bastard.

FATI I MJERË I NACIONALISTËVE

Analisti i moderuar serb dhe koordinator i Forumit për marrëdhëniet etnike, Dushan Janjiq, ka quajtur Millorad Dodikun një populist dogmatik, ultranacionalist dhe fashisoid, duke shprehur një epitet, me një sintagmë të turqizuar, "marifetllëqet e Dodikut", sepse para miletit tregohet se është një hero dhe patriot. Ky kapadai, nëpër kafenetë e Banja-Llukës tregohet si luan, ndërsa në takime me diplomatë dhe liderë të huaj, shndërrohet në një lepur. Atë e konsiderojnë si një diletant të llastuar dhe "dorë e djathtë" e kriminelëve të luftës, të cilët janë kthyer nga Haga. Ai dhe njerëzit rreth tij mendojnë se një luftë e re do të jetë ngjashëm si në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë, ku gjithë arsenali ushtarak i saj ishte në duart e nacional-komunistëve serbë, që ishte një fuqi e konsiderueshme ushtarake në suaza të Evropës. Ishte një ushtri e sofistikuar që shfrytëzohej gjoja për mbrojtjen e Jugosllavisë.

Po qe se Dodik vazhdon me idetë e tij për secesionizëm dhe shpërbërje të shtetit, për shkëputjen e Republikës Serbe, do të jetë ajo një luftë tragjike, e cila do ta fshijë atë dhe republikën e tij nga faqja e dheut. Federata e BH-së ka ushtrinë e vet të fortë, me shumë armatim dhe numër të madh forcash që mund të mobilizohen. Në rast lufte, forcat boshnjake do ta pushtonin Banja-Llukën si kryeqytet të serbëve aty, ndërsa Dodik do të pësonte njëjtë si Millosheviqi, do të ekstradohej si kriminel për në Hagë. Ndërkaq, ndërkombëtarët nuk do të lejojnë një komoditet të këtillë Dodikut dhe, sipas të gjitha gjasave, ai do të detyrohet të largohet nga posti. Analisti Janjiq kujtoi se sivjet do të ketë zgjedhje në disa shtete të BE-së, ku pritet që të fitojë e majta, ndërsa e djathta populiste do të dobësohej dukshëm. Atë mund ta gjejë edhe fati i ish-liderit nacionalist e populist maqedonas, Nikolla Gruevski, por ai s'do të ketë vend te miku i tij Orban, ndaj dhe pritet të shkojë ekzil te mentori i tij, Putin.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat