Si është e mundur?!

Opinione

Si është e mundur?!

Nga: Adem Bytyqi Më: 21 janar 2022 Në ora: 10:48
Adem Bytyqi

Sipas statistikave zyrtare, në Turqi jetojnë mbi 5 milionë shqiptarë, ndërkaq në Kosovë një numër shumë i vogël i minoritetit turk, krahasuar me numrin e shqiptarëve që jetojnë në Turqi, numri i minoritetit turk në Kosovë është simbolik.

Krahasuar të drejtat kombëtare të shqiptarëve në Turqi, në sferën e arsimit, kulturës dhe aspekteve tjera të emancipimit kombëtar me të drejtat kombëtare të minoritetit turk që jeton në Kosovë në të njëjtat sfera si të shqiptarëve në Turqi, dallimet janë shumë të mëdha.

Përderisa minoriteti turk në Kosovë i është garantuar e drejta e shkollimit në gjuhën turke, e drejta e zgjedhjes së përfaqësuesve në parlamentin e Kosovës dhe e drejta e përdorimit të gjuhës turke në Parlament e deputetëve të pakicës turke.

Madje në vendbanimet në të cilat jeton pakica turke gëzon të drejtën e përdorimit të gjuhës turke si gjuhë zyrtare.

Tani, thuajse mbi 5 milionë shqiptarë që jetojnë në Turqi, nuk i kanë as njërën nga ato të drejta që i ka pakica turke që jeton në Kosovë.

Nuk është edhe aq lehtë të shpjegohet një dallim kaq i madh i të drejtave kombëtare në mes këtyre dy komuniteteve në këto dy shtete, kur dihet se raportet bilaterale në mes Turqisë, Shqipërisë dhe Kosovës janë të shkëlqyera pavarësisht të kaluarën historike në të cilën Perandoria Osmane i ka shkaktuar dëme të pariparueshme çështjes kombëtare shqiptare.

Vizita e fundit e presidentit të Turqisë në Shqipëri, Tyaip Erdogan, dukej të ishte shumë vëllazërore në aspektin e bashkëpunimit dhe ndihmës reciproke Turqi - Shqipëri, Turqi - Kosovë.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ish Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, në mënyrë të përsëritur e pohojnë se janë vëllezër të presidentit turk Erdogan.

Madje, në vizitën e fundit Shqipërisë, z.Erdogan pohoi se ekziston një marrëveshje shumë e hershme shqiptaro – turke e bashkëpunimit, duke i pasur parasysh marrëdhëniet kaq të mrekullueshme shqiptaro - turke, thash me këtë shkrim t'i pyesja Kryeministrat aktual të dyja shteteve, Kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën dhe Kryeministrin e Kosovës z Albin Kurti, që të kërkojnë nga politika e shtetit të Turqisë që më së paku mbi 5 milionë shqiptarë që jetojnë atje t'ju garantohen të njëjtat të drejta kombëtare ngjashëm siç i ka të garantuara pakica turke në Kosovë, ani pse numri i shqiptarëve që jetojnë në Turqi është pakrahasimisht shumë më i madhe se i turqve që jetojnë në shtetin e Kosovës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat