Si të gjendet fija e lëmshit në politikën e kalbur shqiptare

Opinione

Si të gjendet fija e lëmshit në politikën e kalbur shqiptare

Nga: Ismail Muqiqi Më: 24 janar 2022 Në ora: 18:21
Ismail Muqiqi

Parlamenti i Kosovës në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme të kërkuar nga opozita me qëllim të debatit për gjendjen energjetike dhe për parashikimin e rritjes së çmimit të energjisë pasqyroi gjendjen dhe mendësinë e politikë bërjes primitive të kohës. Është e pandershme që individët, grupet dhe partitë politike të cilët vite me radhë e zhvatën buxhetin e Kosovës përmes formave dhe veprimeve më të ulëta korruptive tani në Parlamentin e Kosovës po derdhin lot krokodili për t’i mbrojtur qytetarët nga rritja e tarifave të energjisë elektrike.

Këto parti politike të cilat qeverisën që nga paslufta nuk lanë asnjë të zezë pa ia bërë Kosovës. Këta punuan për interesat e tyre dhe të familjarëve. Ishin këto parti dhe individ të caktuar në krye të institucioneve që i shkatërruan asetet ekonomike duke i privatizuar me çmime qesharake. Ishin këta deputetë, ministra dhe kryeministra të cilët tokën pjellore – në pronën shoqërore e privatizuan dhe e shndërruan në pronë private personale. Ishin këto parti politike në pushtet të cilat Malit të Zi ia dhuruan 8 mijë hektarë tokë, ndërsa serbëve në Veri të Kosovës ia u nënshkruan asociacionin e komunave. Është i pa shpjegueshme fenomeni i organizimit të partive dhe grupimeve se si ka ndodhur që 20 vite me radhë shumica e deputetëve janë të njëjtë duke u betonuar në institucionet e shtetit.

Kjo nuk ka dyshim se nuk ka të bëjë me transparencën elektorale të demokracisë, por me listën e emrave të preferuarave nga lideri i partisë dhe klani i ti, të cilët pa dëshirën e elektoratit janë bërë deputet. Shumica e këtyre që tani po derdhin “lot krokodili” për t’ia qarë hallin qytetarëve kanë krijuar pasuri marramendëse për veten e tyre duke u bërë milionerë. Hipokrizia nuk paska kufi. T’i shfrytëzosh rrethanat e krizës globale për interesa partiake në momentin e tanishëm nuk do koment!. Sot nuk ka ndërmarrje apo institucion publik i cili nuk është zhvatur nga këto parti politike të cilat shtetin e Kosovës e sollën para kolapsi.

Për 20 vite qeveritë e kaluara të cilat ishin në pushtet nuk arritën ta ndërtojnë një termocentral për nevojat jetike të Kosovës, edhe pse Kosova është bazeni më i madh i thëngjillit në Evropë. Retorika demagogjike me prapavijë politike u pa edhe sot kur deputetët e opozitës në mënyrën më arrogante iu kundërvyen qeverisë në pushtet. Sot, shtetet e rajonit janë bërë bashkë pozitë dhe opozitë për ta gjetur rrugën si të dilet nga kriza energjetike. Janë ftuar dhe janë bërë bashkë të rinjtë të shkolluar dhe te moshuarit me ekspertizë me përvojë për ti ndihmuar vendit që sa më lehtë ta tejkalojnë këtë krizë globale. Deputët e Parlamentit të Kosovës, parlament ky i cili i përngjan “hajt pakut”, në të cilin nuk ndihet kush e ka fjalën në foltore nga zhurma dhe llafosja e pjesës tjetër të cilët flasin nga ulëset e tyre pa përfillur asnjë kod të etikës, të sjelljes dhe komunikimit demokratik.

Nuk kam asnjë interes ndaj asnjë partie, klani apo individi qoftë në pushtet apo opozitë por si gazetar shumë vjeçar nuk më lejon ndërgjegjja që mos ta shprehi opinionin tim për rrjedhat të cilat po ndodhin në institucionet e shtetit tim. Qeveria në pushtet e Vetëvendosjes në krye me Albin Kurtin të cilës ende dua t’i besojë se është e përkushtuar të punojë në të mirë të Kosovës po shihet se i ka te metat dhe dështimet në politikën kadrovike duke filluar nga qeveria deri tek institucionet tjera të shtetit. Periudhat historike në vazhdimësi kanë treguar se institucionet e shtetit nuk mund të udhëheqen nga njerëzit pa përvojë, të pa pjekur, të cilët edhe përkundër vullnetit nuk mund të fillojë historia dhe progresi nga ata.

Këto dobësi po reflektohen për ditë e më shumë në politikë bërjen e qeverisë aktuale të cilës po i mungon përvoja dhe ekspertiza në udhëheqjen e shtetit. Prandaj sot është lehtë të kritikosh e mos të pranosh asnjë rezultat që arrihet nga kushdo qoftë, por është obligim njerëzor, moral dhe kombëtar që të kontribuosh për unitetin e popullit dhe për ndërtimin e shtetit tënd. Ky popull është ngopur me vite e vite nga premtimet boshe të liderëve partiak të grupeve të interesit të cilët ende po mendojnë dhe shpresojnë se mund ta manipulojnë më këta të padenjë që e sollën Kosovën në geto.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat