Tri televizionet të cilat po e helmojnë dhe përçajnë opinionin e Kosovës!...

Opinione

Tri televizionet të cilat po e helmojnë dhe përçajnë opinionin e Kosovës!...

Nga: Ismail Muqiqi Më: 28 janar 2022 Në ora: 19:49
Ismail Muqiqi

Opinioni i Kosovës vite me radhë po përballet me politikën ekstreme editoriale të tri mediumeve televizive të cilat po sajojnë program para qytetarëve. Kështu televizioni Dukagjini, T7 dhe Kanal 10 janë shndërruar në qendër të debateve më të vrazhda me të cilat po ballafaqohet opinioni i gjerë. Moderatorët e këtyre tri televizioneve përmes trajtimit të temave aktuale dhe përmes [pseudo analistëve] po shkaktojnë neveri dhe irritim të paparë tek qytetarët, duke nxit dezinformata me të ndryshme ndërmjet partive politike deri tek institucionet qeveritare të shtetit.

Është për tu habitur se si në një shtet demokratik i dalur nga lufta ku një numër shumë i madh i qytetarëve ende përballen me trauma më të ndryshme, t’u servohen debate dhe tema anti civilizuese, anti humane me plotë shpifje dhe urrejtje në dëm të marrëdhënieve ndër njerëzore të opinionit. Duke analizuar politikën redaktuese në këto tri mediume, është e pamundur që opinioni mos të shtrojë pyetje se kush janë pronarët e këtyre bizneseve si dhe nga vijnë moderatorët dhe stafi udhëheqës, redaktorial i këtyre bizneseve informative. Se me të vërtet këta po e helmojnë opinionin, nuk do koment, këtë po e tregojnë me vite të tëra “analistët” – opinionistët të cilët tani janë bërë anëtar të rregullt te stafit të këtyre televizioneve.

Një pjesë e opinionit që po malltretohet para ekraneve të këtyre televizioneve nuk ka njohuri të mjaftueshme se kush qëndron prapa perdeve, kush i financon dhe në shërbim të kujt janë këto televizione të cilat po shkaktojnë përçarje dhe hasmëri në shoqërinë Kosovare. Formacioni i analistëve që bëjnë pjesë në këto tri mediume televizive janë individ të cilët financimi i tyre paraqet dyshim të madh. Vet fakti se ndryshimet e shpeshta dhe rrokadat në krye të këtyre mediumeve te drejtorëve të cilët po i ndërrojnë pozitat duke bërë rrotacione paraqet dyshimin absolut se misioni i këtyre njerëzve nuk po u ndihmon proceseve demokratike dhe rrjedhave të përgjithshme të shtetit të Kosovës.

Këto tri mediume me javë dhe muaj, temë debati kishin temat më të ndryshme të politikës. Kështu përmes pseudo analistëve tani më të njohur për opinionin, disa herë përmes debateve dhe hartave gjeografike e diskutuan dhe aktualizuan çështjen e korrigjimit të kufijve deri tek ndryshimi i tyre. Kështu, Baton Haxhiu në televizionin Klan Kosova disa herë i bëri publike hartat e këmbimit të territorit të pjesës veriore të komunave me shumicë serbe. Deklarata më të ndryshme edhe shumë të dëmshme u dëgjuan shumë herë edhe në televizionin T7 nga i “ashtuquajturi pronar” Berat Buzhala, i cili ishte pjesë e politikës – deputet i Partisë Demokratike të Kosovës parti kjo e cila në fund ia ktheu shpinën.

Duhet theksuar se mediumet informative gjithandej botës ku sundon rendi dhe ligji, ku mbizotëron liria, dhe demokracia, shprehja e lirë, ato kanë mision edukativ, arsimor, human ku përmes temave dhe misioneve të caktuara i dhanë shpresë dhe motiv popullit që të ecë përpara, duke ngritur moralin individual dhe kolektiv për shtetin dhe kombin. Këto në Kosovë mjerisht nuk po ndodhin sot askush nuk dinë se kush është pronari i vërtetë i mediumeve tona private nga kush financohen ato dhe cili është kontributi i tyre në kryerjen emisionit si segmente të kulturës dhe informimit të cilat duhet të ishin në shërbim të qytetarëve.

Prandaj, në fund po theksojmë se shoqëria civile dhe institucionet e shtetit sa më parë duhet ta analizojnë gjendjen në mediumet informative të Kosovës, në te cilat mbizotëron jo profesionalizmi sidomos në disa redaksi televizive në mënyrë që të funksionoj ligji dhe rregullativat tjera normative, për të krijuar rend dhe përgjegjësi në sektorin informativ publik dhe privat që funksionon në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat