Mbijetesë pa pushtet

Opinione

Mbijetesë pa pushtet

Nga: Nasho Bakalli Më: 8 shkurt 2022 Në ora: 08:17
Nasho Bakalli

Thonë se kafenetë dhe varrezat janë plot me miq të pandarë, nuk e dinë se i tillë është edhe biznesi. Çfarë ndodh në gjirin e biznesit? Pothuajse çdo biznes është rezultat i bashkëpunimit midis atyre që dje ishin në pushtet në Shqipëri, dhe atyre që po dje nuk ishin aspak në pushtet dhe megjithatë as sot nuk janë në pushtet.

Unë kam vëzhguar në komunitetin e biznesit sa e sa njerëz që punojnë mes tyre si partnerë paqësorë biznesi. Konkurrentët e sotëm në treg, nuk ishin dje në të njëjtat marrëdhënie që janë sot. Sot ata quhen të gjithë biznesmenë, kurse dje shumica e tyre ishin nëpunës, kuadro partie puntorë, fshatarë, intelektualë besnikë të pushtetit popullor; ndërsa pakica quheshin të deklasuar, ose, objekt dhune i diktaturës të proletariatit shqiptar.

Pra kemi parasysh një person që i dha dikur një punë ose një përkrahje… një tjetri, dhe pas vitit 1991 po ai person u bë partner me ish të përndjekurin, e jo vetëm kaq po ish shefi në marrëdhënie me ish të përndjekurin - jo vetëm e hapi biznesin e vet po edhe po e zgjeron atë më tej. Këto sjellje e të tjera mënyra bashkëpunimi të frutshme mes ish-ëve, në shumicën dërmuese të tyre, përbëjnë sot kategorinë e ngjarjeve kombëtare me ecuri dhe fund të lumtur.

Tjetra është kategoria e ngjarjeve me fund jo aq të lumtur, kategori e cila është më pak e zakonshme. Në këtë tablo vërejmë ish shefin që të krijojë marrëdhënie thjeshtë personale, në punë e sipër, me klientët e biznesit të ish të pëndjekurit; gjithashtu vërejmë, edhe ish të përndjekurin që krijon marrëdhënie thjeshtë personale, në punë e sipër, me klientët e ish persekutorit. Pra, ish persekutori dhe ish i persekutuari, që të dy këta, i vjedhin me qëllim fitimi klientët njëri tjetrit, si? duke u dhënë klientëve të njëjtin shërbim, por, për një tarifë në para më të lirë.

Klientëve u pëlqen shumë fjala "e lirë", aq sa edhe një biznes i tërë biletash për fluturime ajrore, që u përurua pardje në aeroportin Kukësit, e përdori atë koncept si element primar marketingu.

Procesi i kuptimit të kësaj dinamike - të vjedhjes të ndërsjelltë të klientelës - nuk më mori shumë kohë; por, zbulimi i dimensionit të shtrirjes paqësore të kësaj dinamike në pothuajse të gjithë tregtarët pa dallim biznesi, bindje politike, fetare, arsimore, krahinore, etj., më befasoi plotësisht.

Ish komunistët, ish të përndjekurit, ish të burgosurit, puntorët, fshatarët, të rinjtë, të rejat, e të moshuarit… të gjithë e praktikojnë këtë lloj sjellje, këtë zanat prej çakalli. Askush prej tyre nuk është tërësisht i pastër, dhe askush nuk frigohet të fitojë lirisht në kurriz të tjetrit. Pëdëistët dhe socialistët, pa nënvleftësuar ata më të vegjëlit, bashkëpunojnë paprerë, hapur, pa u lodhur, dhe pakufi për të bërë para. Paraja nuk është vetëm një mall i ndyrë, por, edhe një mjet përbashkimi social-ekonomik i njerëzve pa pushtet shtetror.

Më treguan, tek sa pinim nga një raki, se një ish, nga ata që përmenden më lart, kishte ardhur nga fshati në Tiranë nja dy vite më parë, dhe, në mënyrë tipike punonte si banakier pikërisht tek klubi ku po kthenim gota rakie. Ai di të krijojë marrëdhënie të mira me klientët duke dhuruar shumë buzëqeshje dhe duke u shpërfaqur, në pamjen e jashtme, çdo ditë e më pak katundar. Gjëja tjetër që vlen të dini është se ai ditët e fundit hapi kafe-barin e vet diku tjetër, dhe, një pjesë të klientëve të punëdhënësit të tij - i ka kthyer në klientë të biznesit të vet! Tregëtia i ngatërron nganjëherë edhe grurin me egjërën.

Ideja për këtë artikull më erdhi jo vetëm nga ky shembull, po edhe nga disa eksperienca të tjera, dy prej të cilave lidhen: e para me një ish deputet të viteve 1980, sot biznesmen; dhe e dyta me një ish të përndjekur, po të viteve 1980, edhe ky biznesmen.

Tingëllon si e çuditshme koincidenca në sjelljen e tyre. Duroni për ta mësuar. Unë u njoha rastësisht me ish të përndjekurin ose ai më njohu mua. Ai u përpoq të bënte një bisedë të vogël për votimet e 6 Marsit 2022. Për keqardhjen time të madhe, e lashë të fliste. Mendova se e kishte sa për prezantim. Jo, nuk bëhej fjalë për këtë. Ai më pyeti pse nuk do të votoja. I thashë se ashtu e kisha ndarë mendjen… Ai nuk donte t’ia dinte për argumentat e mia. Më kërkoi të votoja “me kuç e me maç” atje ku ai do të jetë kryetar i qëndrës votimit. Eshtë e pamundur i thashë, është veprim i kundraligjshëm. E që të mos zgjatem më tej, mu përgjigj “Bëhet fjalë për para, zotëri.”

Edhe eksperienca tjetër, ajo me ish deputetin, është argëtuese. Gjatë blerjeve time në dyqanin e tij, ai përpiqej vazhdimisht të më ftonte në shtëpinë e vet për të pirë kafe me “bisht”. Dukej pjesërisht si një ftesë e pasinqertë përderisa kafen me apo pa bisht mund të pinim kudo, te baret rreth e rrotull dyqanit të tij. Por, ishte pikërisht përpjekja për të përdorur influencën time te banorët e pallatit tonë të madh - me rastin e votimeve të 6 Marsit. Dhe kuptohet që nuk e pranova ftesën e tij, në rast se po pyesni veten. Ndoshta duhet të thurr një tregim të gjatë për këtë temë. Deri atëherë kuptoni edhe këtë dinamikë biznesi, kësaj here me votime, që kryet lirshëm prej ish-ëve që mbijetojnë pa pushtet politik, por me pushtetin metalik te parasë ose, me thelbin material të kapitalizmit.

E tillë është historia tridhjetëvjeçare e komunitetit të biznesit, dhe popullit, që punojnë së bashku si aleatë dhe si konkurentë brenda hapsirës laramane që krijon tregu i lirë ekonomik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat