Xhafer Deva luftoi kundër Serbisë, por jo kundër hebrenjve!

Opinione

Xhafer Deva luftoi kundër Serbisë, por jo kundër hebrenjve!

Nga: Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Më: 8 shkurt 2022 Në ora: 08:58
Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot

Xhafer Devës do t'i restaurohet shtëpia në Mitrovicë. Ministria e Kulturës e Kosovës ka marrë një vendim për kryerjen e restaurimit të kësaj shtëpie, me qëllim që ajo të shndërrohet në një objekt historik për një personazh kaq të përfolur e të kontestuar nga Serbia dhe e majta ekstreme shqiptare.

Por këtë akt e kontestoi edhe ambasadori gjerman në Prishtinë. Argumenti i tij ishte se "Xhafer Deva paska asgjësuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, përmes batalionit SS "Skanderbeg" të komanduar nga Bedri Pejani është I pabazë. Më rezulton se ambasadori i nderuar i Gjermanisë në Kosovë të jetë dezinformuar qëllimisht nga historianë dhe propagandistë anti-shqiptarë në Serbi. Megjithatë ambasadori gjerman ra në kurthin e kësaj propagande dhe e përhapi edhe më gjerë atë. Serbia është angazhuar fuqishëm të dëshmojë se shqiptarët jo vetëm nuk janë mbrojtës të hebrenjve, por janë edhe dhunuesit e tyre. Këtë mesazh dha gjithashtu ambasadori.

E vërteta është krejt tjetër! Xhafer Deva ka qenë ministër i Brendshëm i Shqipërisë nën komandën gjermane. Qeveritë shqiptare si ato të kohës së pushtimit italian dhe ato të pushtimit gjerman, nuk kanë pranuar të bashkëpunojnë me fashistët dhe nazistët për asgjësimin e hebrenjve në Shqipëri dhe në Kosovë. Të dhënat janë në Izrael dhe askush nga Izraeli nuk ka pohuar se shqiptarët, qoftë ky dhe Xhafer Deva, të kenë bashkëpunuar me nazistët në dëm të jetës së hebrenjve.

Prandaj duhet përshëndetur iniciativa e ministrisë së Kulturës për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, sepse aktiviteti i tij politik kishte në themel interesat e kombit shqiptar, bashkimin kombëtar dhe luftën kudër komunizmit. E majta ekstreme shqiptare e ka anatemuar dhe mohuar rolin e Xhafer Devës, duke ia faturuar atij edhe krime që nuk i ka bërë, por nuk i ka faturuar "krime kundër hebrenjve"! I kuptojmë edhe falsifikimet serbe, sepse mbrojtja e hebrenjve e nxjerr propagandën e Beogradit për inhumanitetin e shqiptarëve zbuluar. Në fund të fundit Xhafer Deva iu bashkua pushtuesve për të luftuar kundër Serbisë, por nuk luftoi kundër hebrenjve! Ndaj nuk e kuptoj pse ambasadori gjerman u angazhua kundër vendimit të ministrisë së Kulturës së Kosovës?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat