As Dita e Pavarësisë nuk arriti t’i bashkojë deputetet shqiptarë!

Opinione

As Dita e Pavarësisë nuk arriti t’i bashkojë deputetet shqiptarë!

Nga: Ismail Muqiqi Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 17:28
Ismail Muqiqi

Ishte e dhimbshme ajo që ndodhi sot në 14 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, kur opozita në mënyrë demonstrative e lëshoi në mbledhjen solemne të parlamentit. Një veprim i tillë i pafalshëm nuk mbahet mend që ka ndodhur ndonjëherë në mbledhjet e parlamenteve të shteteve të ndryshme të botës sa herë që ka pasur mbledhje solemne për lirinë dhe pavarësinë e vendeve. Ishte imazh i keq që ndodhi në mbledhjen e parlamentit të Kosovës, aq më shumë para korit diplomatik dhe përfaqësueseve të institucioneve të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe të diplomatëve tjerë të cilët janë të akredituar në Kosovë.

Kosova dhe qytetarët e saj në ditën më të veçantë e cila mund të thuhet se është ditë historike u zhgënjyem sot maksimalisht për veprimet e papjekura dhe të papërgjegjshëm ndaj institucioneve të shtetit dhe ndaj vendit. Populli i Kosovës i cili vuajti me shekuj nga armiqtë më të ndryshëm e veçanërisht nga agresioni i Serbisë nuk meriton të ketë një parlament në të cilin partitë politike bëjnë kalkulime për interesat e tyre në përvjetorin e Pavarësisë. E kuptoj mendësinë të një shkalle të caktuar të një lloj arrogance të Albin Kurtit i cili edhe përkundër idealeve që ka ndaj shtetit ndoshta nuk do duhej që pikërisht në mbledhjen solemne të raportoj për rrjedhat më të ndryshme të punës së Qeverisë të cilën e udhëheq ai.

Koha po tregon se shqiptarët në përgjithësi ku jetojnë dhe veprojnë kanë defekte të mëdha në krijimin dhe zhvillimin e politikës shtetërore. Inatet dhe lufta për pushtet me shekuj e kanë dëmtuar kauzën kombëtare duke u përçar dhe shpartalluar në grupe dhe klane të cilat vetëm e kanë dëmtuar ardhmërinë e gjeneratave të shumta. Edhe sot u vërtetua se parulla e përsëritur vite me radhë nga subjektet politike të cilat veten e quajnë si parti institucionale dhe shtetformuese dhe janë parti tradicionale për ta bërë shtetin, teoritë e tyre po dalin të pavërteta. Të kërkosh partneritet dhe përkrahje me shtetet e Bashkimit Evropian dhe me Amerikën e në anën tjetër mos të jesh në gjendje të qëndrosh pasivë në një mbledhje solemne të Parlamentit të cilit i takon, është jo vetëm papërgjegjësi ndaj shtetit por turp dhe hipokrizi e cila meriton dënimin më të madh nga populli. Koha po tregon se Qeveria në pushtet ka defekte kadrovike të cilat po reflektohen në institucionet e Shtetit. Kam shkruar edhe njëherë se papërvoja e kuadrave të cilat janë zgjedh apo emëruar në segmentet e ndryshme nëpër institucionet e shtetit është për të dëshiruar.

Nuk mund të bëhet shteti me njerëz pa përvojë profesionale, pa këshilltar të mirëfilltë dhe pa e kërkuar përvojën dhe dijen e kuadrave të shkuara pavarësisht se çfarë moshe kanë. Ndoshta nuk kam të drejtë por nuk mund ta kuptoj manifestimin e sotëm të Forcave të Armatosura të Kosovës dhe të Policisë së Kosovës në kohën në të cilën po jetojmë sot ishte e domosdoshme që Ushtria dhe Policia e Shtetit të Kosovës të defilonte me pajisjet, me armët dhe me kapacitetet ekzistuese me të cilat mbrohet sovraniteti i vendit. Këtë padyshim se do ta donin qytetaret, për ta ngritur moralin per sigurinë e vendit.

Duhet të jemi të sinqertë për t’i korrigjuar defektet dhe papërgjegjësitë tona gjithmonë kemi obligim për ta ndihmuar dhe zhvilluar shtetin të cilit i takojmë. Janë shqetësuese tendencat dhe përpjekjet më të ndryshme të grupeve të ndryshme “sindikale” të cilat për çdo ditë e kërcënojnë qeverinë për t’i ngritur rrogat. Mjerisht askush nuk mendon se çfarë janë mundësitë ekonomike dhe sa është arka e shtetit. Në fund duhet ta përsëris një mendim të presidentit amerikan John Kenerin i cili thotë “mos pyet çka po bënë shteti për ty por çka bënë ti për shtetin”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat