Letër publike

Opinione

Letër publike

Nga: Sali Spahiu, arkitekt Më: 24 mars 2022 Në ora: 09:04
Sali Spahiu, arkitekt

PRESIDENTES

KRYETARIT TË KUVENDIT

KRYEMINISTRIT të Republikës së Kosovës

MINISTRIT TË PLANIFIKIMIT HAPËSINOR, MJEDISIT DHE INFRASTRUKTURËS

KRYETARËVE TË KOMUNAVE në Republikën e Kosovës

Letrën time publike po e filloj më thënien e të ndjerit prof. ark. Bashkim FEHMIU e që është gjithmonë aktuale: “JETA ËSHTË HAPESIRË, HAPËSIRA ËSHTË JETË.”

Në botën e qytetëruar hapësira ruhet shumë sepse ajo është parakusht për jetë, zhvillim e progres. Te ne kjo mjerisht po ndodhë pak ose aspak. Shtrohet pyetja:

Pse është kështu? Sipas bindjes sime kjo është kështu se mungon zbatimi i ligjit ose vullneti politik e profesional.

Problemet, me të cilat sot e një kohë të gjatë po ballafaqohet Kosova në fushën e planifikimit hapësinor, urbanistik, mbrojtjes së trashëgimisë kulturo-historike dhe mjedisit jetësor kanë marrë përmasa shqetësuese. Ato sot paraqesin problem fondamental e jetik për tërë hapësirën tone, pra për shoqërinë në përgjithësi.

Është çrregulluar në masën më kritike EKUILIBRI I DOMOSDOSHËM NË NATYRË si parakusht për jetë të denjë të njeriut si individ dhe shoqërisë në tërësi.

Pra, thënë më shkurt, është degraduar skajshmërish raporti në mes të: “NJERIUT DHE AMBIENTIT”, përkundrejt asaj retorike të përditshme e boshe se po planifikojmë e ndërtojmë: “ME NORMA E STANDARDE EVROPIANE”. Cilat janë ato norma dhe kush po e kontrollon zbatimin e tyre? Kjo nuk po shihet në hapësirë.

Kjo situatë e rëndë dhe gjendje alarmante nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet më. Koha nuk pret! Lypset vepruar menjëherë dhe pa vonesë, sepse:

Në jetën tonë të përditshme gjithnjë e më tepër po shihen e po ndihen pasojat e kësaj gjendje kaotike, që i ka përfshirë qytetet tona, fshatrat tonë, malet tona, lumenjtë tonë, infrastrukturën-tërë hapësirën e Kosovës.

Është cenuar dhe vazhdon të cenohet në mënyrën më flagrante, gati çdo gjë në hapësirë e që ka të bëjë me jetën tonë dhe perspektivën e vendit tonë.

Sot, këto pasoja janë tepër të rënda, por nesër ato ndoshta nuk do të mund të përballohen lehtë?...

Sipas mendimit tim, kjo situatë nuk mund të tolerohet e vazhdojë gjer në pakufi. Pse? Vetëm e vetëm për një arsye e që është: “JETA E JONË, JETA E FËMIJËVE TONË DHE JETA E GJENERATAVE PAS NESH”.

Ne nuk kemi të drejtë që hapësirën e Kosovës ta shfrytëzojmë në mënyrë kaq jo racionale, siç po e bëjmë sot. Edhe hapësira është resurs i kufizuar që shpenzohet.

Mjerisht, ky resurs kaq i çmueshëm dhe i rëndësishëm për njeriun e nevojat e tij ekzistenciale, biologjike, shpirtërore, intelektuale, shoqërore etj…etj… sot në Kosovë shumë shpesh po shfrytëzohet në mënyrën më të vrazhdë. As sot, as nesër dhe asnjëherë askush nuk duhet të ketë të drejtë që në emër të çfarëdo interesi të caktuar individual apo grupor të marrë të drejtën tonë, të drejtën e fëmijëve tonë dhe të drejtën e gjeneratave pas nesh, për një perspektivë që jep shpresë të mirë për jetë te denjë dhe humane.

Pse na në Kosovë duhet ta kalojmë jetën kështu??? Gjërat duhet ndryshuar për të mirë. Përgjegjësia është e karakterit universal. Ajo u takon së pari institucioneve të vendit, organeve kompetente, institucioneve profesionale, urbanistëve, arkitektëve, inxhinierëve të profileve të ndryshme dhe gjithë atyre që ardhmërinë e këtij vendi duhet ta orientojnë, planifikojnë, projektojnë dhe kontrollojnë me përgjegjësinë më të madhe njerëzore, ligjore, institucionale dhe profesionale.

Për këtë, mendoj se të gjithë e kanë detyrim që të punojnë e veprojnë me përkushtim, konsekuencë e etikë. Pra, duhet ta kemi obligim dhe përgjegjësi ndaj vetës sonë, ndaj shoqërisë sonë dhe ndaj ardhmërisë së Kosovës.

Nuk guxojmë të lejojmë që gjeneratat pas nesh të na MALLKOJNË se çfarë Kosove do të trashëgojnë. Këto rrjedha dhe kjo situatë patjetër duhet ndalë me çdo kusht dhe me çdo çmim, natyrisht duke u mbështetur në Kushtetutë dhe ligje, norma e standarde.

Kosovës i duhet një ardhmëri shumë më e mirë se kjo e sotme…Jam i bindur se shumë pak gaboj kur them kështu.

Për këtë objektiv duhet shumë punë e më pak retorikë të përditshme” KOSOVA EVROPIANE”.

Aspirata për Kosovën Evropiane duhet të faktohet me sjelljet e veprimet tona, me ndryshime pozitive e kualitative e mbi të gjitha me SUNDIM TË LIGJIT (i cili më në fund filloi së zbatuari).

Fëmijët tonë duhen të kenë një perspektivë me shpresëdhënëse, ata duhet ta duan këtë vend e jo të mendojnë si me e BRAKTISË KOSOVËN.

Ky vend dhe ky shtet, mendoj se ka obligim ta shqyrtojë gjendjen aktuale në hapësirë dhe të merr veprime e vendime të shpejta e konkrete.

Planifikimi hapësinor dhe urbanistik është lëmi që kërkon dije, përkushtim e përvojë profesionale. Ky planifikim është multidimensional dhe duhet të jetë shumë vizionar.

Me qenë objektiv duhet të potencoj se Kosova ka edhe shumë të arritura ndërkombëtare si në sport, muzikë, film dhe shërbime të IT-së, por disa të arritura në arkitekturë nuk vijnë në shprehje të duhur në këtë kaos urbanistik.

Presidenca, Kuvendi i Kosovës, Qeveria, Ministritë përkatëse dhe Komunat tona mendoj se ndër të tjera duhet ta kenë prioritet edhe problemin e hapësirës të ne.

Rregullativa ligjore dhe aplikimi i ligjeve për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e hapësirës dhe mjedisit jetësor duhen të jenë IMPERATIV i të gjitha institucioneve. Shteti ka për obligim që të vendosë rregull në hapësirë - pra, ku dhe si mund te ndërtohet, natyrisht gjithmonë duke u bazuar në ligje dhe planifikim të mirëfilltë. Ky obligim duhet respektuar.

Kuvendi i Kosovës, mirë kishte me qenë qe në ndonjë seancë të vetën të merret edhe me problematikën e hapësirës të ne, si kategori e një rëndësie shumë të veçantë. Ky institucion mendoj se ka rol shumë të rëndësishëm edhe për këtë çështje.

Nuk mund të lejohet që çdokush të ndërtojë si t’i ”TEKET” dhe ku t’i teket.

Me e ruajt vendin, hapësirën dhe natyrën me resurset e saja është obligim për të gjithë, por edhe detyrim ligjor për të gjithë ne pa asnjë dallim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat