A mos duhet tani PS të marrë prapë emrin e vjetër?

Opinione

A mos duhet tani PS të marrë prapë emrin e vjetër?

Nga: Shaban Murati Më: 11 prill 2022 Në ora: 08:31
Shaban Murati

Kongresi monolog i Partisë vendosi të rikthejë si metodë pune dhe të zgjidhjes së halleve të popullit dhe të shtetit Plenumet e famshme të Komitetit Qendror të Partisë së Punës.

Kongresi dha sihariqin se në maj-qershor do të mbahet Plenumi i KQ të Partisë për bujqësinë. Në fund të gushtit do të mbahet Plenumi i KQ të Partisë për arsimin. Në vjeshtë do të mbahet Plenumi i KQ të Partisë për llogaridhënien.

Fushata tremujore e “Vijës së masave” janar-mars u zhvillua me sukses nën drejtimin e drejtpërdrejtë dhe personal të uhëheqësit të lavdishëm, siç udhëzonin direktivat e KQ të Partisë, duke pyetur me postë qeveria popullin dhe duke bërë ç’don populli, me qëllim që populli të bëjë ç’thotë partia.

Populli vendosi sot në prill 2022 që Shqipëria të hyjë në “Ballkanin e kapur”, tre vjet pasi qeveria kishte hyrë në atë projekt internacionalist proletar të Serbisë që në tetor 2019.

Plenumet e KQ nga një për çdo çeshtje u rivendosën, siç i bënte Partia me emërin e vjetër. Vija e masave e vu në jetë, siç e bënte Partia me emërin e vjetër. Rrënjët e qeverisë u vendosën në zonën e parë operative, siç i kishte Partia me emërin e vjetër. Ikona e udhëheqësit të dashur të partisë dhe të popullit është vënë në krye, siç ishte në Partinë e vjetër.

Bijtë, nipërit dhe dhëndurrët e anëtarëve të Byrosë Politike dhe të anëtarëve të Komitetit Qendror të PPSH janë në postet drejtuese të qeverisë dhe të partisë. Populli po pret me padurim librin e kuq me citate nga fjalimet.

Mos vallë ka ardhur momenti që PS të marrë prapë emërin e vjetër?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat