Çështja e demarkacionit, gjegjësisht vendosja e kufirit me Malin e Zi, ende nuk është punë e kryer..!?

Opinione

Çështja e demarkacionit, gjegjësisht vendosja e kufirit me Malin e Zi, ende nuk është punë e kryer..!?

Nga: Rexhep ELEZAJ Më: 15 maj 2022 Në ora: 16:59
Foto ilustrim

Pse kjo çështje ende nuk ka përfunduar..?

Thjeshtë; sepse nga dy komisionet përkatëse shtetërore, Kosovë-Mali Zi, ende nuk janë vendosur gurët e megjave (lexo: kufiri shtetëror) midis dy shteteve tona fqinje, sovrane dhe të njohura reciprokisht.

Dhe, kushdo që thotë ndryshe, gënjen opinionin. Kaq.

Ndërsa, pse nuk janë vendosur ende gurët e megjave (kufiri shtetëror), kjo është një çështje e cila ka një histori dhe rrjedhë shumë diskutabile, mjerisht, shumë negative për Kosovën, por mjaft pozitive për Malin e Zi.

Dhe, ç ’është më e keqja këtu, ngase për dëmet e mëdha që Komisioni “Meha”, i formuar në vitin 2015, ia ka sjellë sovranitetit territorial të Republikës së Kosovës, më në krye me nënshkruesit e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, me 26 gusht 2015 në Vjenë të Austrisë, nga Hashim Thaçi, kryeministër dhe Skënder Hyseni, ministër i brendshëm i Kosovës, kurse nga pala malazeze, Igor Lukshiq, shef i diplomacisë malazeze dhe Rashko Konjeviq, ministër i Punëve të Brendshme, me të cilën siç dihet MZ i falen mbi 8300 hektarë toka të trevës së Rugovës, territor shtetëror i Kosovës, sot e asaj dite askush nuk ka dhënë kurrfarë përgjegjësie.

Sepse, një akt i tillë ka pasur premisa të shkeljes së rënd të Kushtetutës së Kosovës, si dhe kritere të tradhtisë së rënd kombëtare, meqë ta cenosh sovranitetin e shtetit, duke i falur një vendi fqinj tokat e shtetit tënd, pa asnjë arsye, nuk mund të ishte tjetër, veçse akt i tradhtisë shtetërore dhe kombëtare..!?

Unë e posedoj tekstin e plotë të marrëveshjes në fjalë, nr.: 06/L-060 si dhe Protokollin nga 15 takimet e mbajtuar mes dy komisioneve, atij kosovar, në krye me Murat Mehen, dhe atij malazez në krye me, Milan Paunoviçin (në gjuhën serbo-malazeze), ku në mënyrë eksplicite rezulton se Komisioni “Meha” nuk i ka ofruar në insistimin e komisionit malazez, asnjë hartë apo dëshmi me të cilën dëshmohet vija kufitare e vitit 1974, me përjashtim të dy reagimeve të vogla tek kufiri Çakorr-Vaganicë dhe në Zhleb nga Kulla në Savinovodë.

Madje, komisioni “Meha” nuk ka bërë asnjë shënim protokollar nga ato 15 takime të mbajtura gjatë tri viteve, sa ka zgjatur puna e tyre në teren, duke ia lënë komisionit malazez gjithë kompetencën e mbajtjes së procesverbaleve, kuptohet ashtu qysh iu ka konvenuar palës malazeze. Bile, komisioni “Meha” nuk ka reaguar fare kur është filluar me demarkimin e kufirit nga tre-megjja, Shqipëri-Kosovë-Mal i Zi, në linjën kufitare përgjatë majave të Bogiçeviçit, duke pranuar vendosjen e kufijve të ri, e që nuk ka qenë fare kompetencë e këtyre dy komisioneve, mbase duket qartë nga procesverbali se komisioni malazez, në vend se ta vazhdojë vendosjen e koordinatave në drejtim të Çakorrit, ai thyen rrugën duke u zhdjerg drejtë liqenit të Neçinatit, të cilin edhe e ndanë në dy pjesë, që aty nuk ka pasur kurrë kufij me MZ.

Po ashtu, komisioni “Meha” heshtë dhe nuk reagon as kur nga Kuçishta shkojnë në Bjelluhë, duke vendosur kufirin e ri drejt Vaganicës, që as këtu kurrë nuk ka pasur kufi me MZ, por vetëm në maje të Çakorrit. Me këtë devijim komisioni malazez vazhdon duke hyrë thellë mbi fshatin tim, Haxhaj, drejt Gegjeviçit, ku nuk ka pasur kufij kurrë me MZ. Pra, duke hyrë thellë në tokat tona shekullore, gati 5 km, dhe këtë duke e bërë në prani të gjithë anëtarëve të Komisionit “Meha”, pa e çelë asnjëri gojën, thua se kufiri ishte këtu, e jo në Vaganicë, etj.

Kështu ka ndodhur edhe në pjesën e kufirit Kosovë-Mali i Zi, tek Kulla në Zhleb, duke lëvizur kufirin 5 km poshtë nën Savinovodë në drejtim të Radavcit, si dhe në pjesën e Shtedimit, duke ia marrë Kosovës mbi kështu mbi 8300 hektarë toka, pjesët më të bukura dhe më të pasura me pyje dhe ujë të kthjelltë si loti..!?

Pra, i gjithë ky mashtrim dhe zhvendosje e kufirit të vitit 1974 në thellësi të territorit të Kosovës, diku-diku deri në 7 km. Në brendësi, pa e bërë asnjë reagim dhe duke u pajtuar me kërkesat e komisionit malazez, gjegjësisht duke e pranuar ndryshimin e kufirit të vjetër, pa pasur autorizim kushtetues dhe as ligjor, nuk ka njeri në botë që këtë veprim të komisionit “Meha” mund ta quan ndryshe, përveç se me emrin që ka; tradhti kombëtare..!?

Ndërsa, sa i përket rolit të z. R. Haradinaj në ratifikimin e marrëveshjes së përgatitur nga komisioni i M. Mehës, për të cilin është folur mjaftë, që këtu vlen të shtohet fakti, se ishte vetë R. Haradinaj, ai i cili pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje në Vjenë, gusht 2015, në zyrat e Kuvendit të Kosovës, M. Mehës do ia përplas në fytyrë hartën e Kosovës, në shenjë revolte për atë marrëveshje me të cilën Kosova po humbiste mbi 8300 hektarë toka, i cili posa e merr postin e kryeministrit, të njëjtën marrëveshje do e sjellë vetë në Kuvend, e cila siç dihjet do ratifikohet me votat e 80 deputetëve, përfshirë edhe ata të AAK-së..!?

Tash, që kur në pushtet para një viti ka ardhur Albin Kurti, i cili së bashku me partinë e tij, njihen si kundërshtarët më të mëdhenj të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, na mbetet të shohim, se si do vepron lidhur me këtë çështje kyçe për Kosovën, në veçanti, se si do i përgjigjet deklaratës së homologut të tij malazez, D. Abazoviçit, i cili para pak ditësh deklaroi se “çështje e kufirit me Kosovën ka përfunduar..”!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat