Mulla Adem Pakashtica dhe Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë

Opinione

Mulla Adem Pakashtica dhe Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë

Nga: Gani I. Mehmeti Më: 19 maj 2022 Në ora: 08:11
Gani I. Mehmeti

Edhe pse Mulla Adem Pakashtica, një njeri i ditur, pleqnar e komandant i kufirit gjatë Luftës së Dytë Botërore në Llap, nuk jeton që nga korriku i vitit 1979, e nuk ka ditur asgjë për Gjykatën në fjalë, disi po më lidhen disa thënie të tij, po me këtë gjykatë!

Mulla Adem Pakashtica thoshte aso kohe, duke vlerësuar e cilësuar në shpejtësinë e shprehjes e përgjigjes sipas krahinave shqiptare, thoshte me sa vijon:

Shkodranët i kanë fjalët maje gjuhe! – thoshte ai. Ne që nuk e kuptonim e pyesnim se çka do të thotë kjo? Po, se ata të japin përgjigje aty për aty, menjëherë – në pyetjet që mundesh t’ua bësh. Pra, vlerësoheshin si të mençur shumë e oratorë.

Gjakovarët, thoshte Mulla Ademi, përgjigjen e kanë në xhep. Ata nxjerrin letrën nga xhepi dhe të japin përgjigjen.

Llapjanët përgjigjen e kanë në shtëpi! – vazhdonte të thoshte Mulla Adem Pakashtica! Ata, mbasi të shkojnë në shtëpi, mbas shumë mendimeve, ia nisin e thonë: pse nuk thoja kështu e kështu! Pra, iu bie ndërmend mbasi të kthehen në shtëpi, shumë vonë.

KREJT KOSOVA U BË LLAP...!

Tani, kur po dëgjoj reagimet e disave mbas shpalljes së gjykimit të Nesim Haradinajt e Hysni Gucatit nga Gjykata Speciale në Hagë, po më duket se sikur krejt Kosova ishte bërë Llap me rastin e formimit dhe të votimit të kësaj gjykate.

Tek tani u ka dalë gjumi, se kjo gjykatë paska qenë dashur të bëhet për gjykimin e të gjithë kriminelëve gjatë luftës në Kosovë, e jo vetëm për gjykimin e shqiptarëve. Sikur nuk pati as shkodranë që aty për aty t’u binte në mend se si duhet, as gjakovarë, që me leximin e letrave të nxjerra nga xhepi, të thonë nuk bën të gjykohen vetëm shqiptarët, por edhe serbët që vranë, maskaruan, dogjën e ndoqën e bënë gjenocid mbi shqioptarët.

Eh, sikur nuk e kanë votur vetë, sikur nuk kanë qenë vetë deputetët e Kosovës, kryeministri e kryetari i Kosovës ata që e bënë gjykatën në fjalë!

Por, vërtet, me kohë ka qenë dashur t’i kenë mendtë pse më vonë gjithsesi ato vijnë, por është vonë. Apo, dikush ka menduar se veten nuk do e kapi gjykata, e për të tjerët, le të shkojnë!

Nuk pati as shkodranë e as gjakovarë në themelimin e kësaj gjykate, ku do të hynin të gjithë kriminelët e luftës në një vend. Shumë keq. Por, tani, është vonë. Nuk ka mundësi të ndryshohet. Prandaj, del se kush përpiqet t’ia bëjë gropën tjetrit, vetë bie në të. Përse nuk u bë kjo gropë për të gjithë, nuk është faji i ndërkombëtarëve, është faji ynë, pse nuk e kërkuam. Kjo ka mundur të bëhet.

Tani, tani na duhet të pajtojmë edhe me zor, edhe kur nuk pajtohemi, me shpalljet e aktgjykimeve të kësaj specialeje.

Vetëveten e kemi lidhur, nuk del kush të na zgjidhë! Disi, sikur nuk na ka mbetur as e drejtë morale të ankohemi. Ka disa të drejta, e drejta juridike do të linte vend për ankesë, por kjo e drejta morale po bie poshtë. E, pa të drejtën morale, sa mund të zhvillohet dhe kush do ta bëjë të drejtën juridike, kur nuk ke të drejtë ankese...!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat