Rama dhe dy vëllezërit e tij!

Opinione

Rama dhe dy vëllezërit e tij!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 1 qershor 2022 Në ora: 09:47
Sherif Ramabaja

Na kishin qenë njëherë tre vëllezër. Kështu fillon një legjendë e njohur e popullit shqiptar, po kësaj radhe do të rrëfejmë diçka krejt aktuale nga koha e jonë.

Deri më tash opinioni e dinte që kryeministri Rama e kishte një vëlla me vendbanimin në Beograd, kurse këto ditë u lajmërua edhe vëllau i tij i dytë nga Podgorica, zoti Abaz (0) viq - i.

Në takimin ndërkombëtar në Mal të Zi kryetarja e Kosovës Vjosa Osmani në mënyrë të argumentuar deklaroi arsyet, pse Kosova është kundër Open Ballkan. E vetmja që ne kërkojmë, deklaroi ajo, është që Kosova të trajtohet në mënyrë të barabartë me të gjitha shtetet e rajonit.

Për Kryeministrin Rama, Kosova është e ftuar si e barabartë, po aq i bënë atij nëse Kosova e ngrit zërin deri në qiell, duke argumentuar se qëllimi përfundimtar i Serbisë është gllabërimi i Kosovës.    

Kryetarja e Kosovës kur e argumentoi me fakte kundërshtimin e Kosovës nga një nismë e tillë, u lajmërua vëllai i Ramës nga Podgorica Abaz ( 0 ) viq - i dhe iu drejtua Vjosës : nëse në EU mund të uleni me shtete të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, pse nuk mund ta bëni këtë me Serbinë, e cila po ashtu nuk e njeh Kosovën.

Arsyeja e kundërshtimit të Open Ballan sipas Abaz ( 0 ) viq - it qëndron vetëm për atë se pas një ideje të tillë qëndron Serbia.

Çfarë zbulimi epokal. Të gjithë ata që nuk e kanë ditur këtë, e dëgjuan për herë të parë nga kryeministri Abaz ( 0 ) viq - i. Thënie gjeniale me të cilën zoti Abaz ( 0 ) viç dëshmoi se sa përparimtar është dhe çfarë aftësish gjeniale dhe intelektuale posedon.

Prandaj nga sot u vërtetua që Ballkani Perëndimor ka tre vëllezër, apo ndryshe mund t´i quajmë Tre Musketarët, që do na tregojnë rrugën drejt marrëveshjes së Vishegradit, apo drejt boshtit Serbi - Rusi - Pekin.

Putini me agresionin ndaj Ukrainës po kërkon rend të ri botëror, prandaj edhe Tre Musketarët, apo vëllezërit e Ballkanit, pse mos të kërkojnë edhe ata një rend të ri Ballkanik.

Sipas vëllezërve dhe Tre Musketarëve të Ballkanit Perëndimor ne duhet të shikojmë nga e ardhmja, e jo të mbesim peng e së kaluarës. Idetë progresive duhet t´i përqafojmë, pa marr parasysh se nga kush vijnë, po të ishte ai edhe Goebbelsi i Hitlerit, apo Vuçiqi i Molosevicit.

Ballkani Perëndimor duhet të krenohet me tre ideologët, dijetarët, musketarët dhe shkencëtarët e tij.

Ne duhet vetëm të shkojmë pas tyre. Ata e përcaktojnë të ardhmen tonë. Ata nuk janë vetëm, sepse pas tyre në mos qëndroftë askush tjetër, partitë e tyre i kanë pas.

Me gazin e Rusisë dhe ideologjinë e Serbisë Ballkani pritet të ngjitet në majat e botës.

Kështu premtoi Putin në bisedën telefonike me vëllaun e ti Vuçiq. Putin kërkoi po ashtu që Vuçiq të ndërmjetësoi edhe te të tjerët, për rregullimin e infrastrukturës që të furnizohen me gazin rus me një çmim solid.

Tash kur EU gjithnjë po shkëputet nga varësia e gazit rus, Moska po kërkon partner të rinj. Këta partner do të ishin, pse jo edhe nga Ballkani Perëndimor.

Rruga më e mirë për një agjendë të tillë do të ishte Open Ballkan, për të cilin pa rezerva angazhohen Vuçiq dhe Rama, kurse tash e kanë edhe vëllaun e tretë zotin Abaz ( 0 ) viq - in.

Mars – Rover  ( Shkrim me përmbajtje ironike )

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat