President me mik

Opinione

President me mik

Nga: Ilir Levonja Më: 4 qershor 2022 Në ora: 15:55
Ilir Levonja

Ajo që vura re mbrëmë në studiot televizive, ishte se në pjesë dërrmuese opinionistëve thoshin fjalë të mira për presidentin e ri. Sa mjek i mirë, sa ushtarak i zoti dhe shumë i kujdesshëm në dietën ushqimore. Mirëpo nga ana tjetër e kompromentonin veten me fjalët se e njoh mirë, e kam mik. E kam mjekun e babait, e kam shok. E di me saktësi që e kanë ofruar amerikanët etj. Nuk ma ka thënë ai, pasi ai nuk flet shumë por kuptohet etj. Edhe pse ka kaluar kaq e kaq vjet kjo mendësia e kam mik nuk ka vdekur akoma.

Madje ëshë çimentuar dhe pavarsisht të gjitha kritereve apo Kushtetutës së vendit, bindjeve politike e tej, togfjalëshi e kam mik dominon totalisht. Pavarsisht një proçesi të uzurpuar egoja me mendësinë se e kam mik është udhërrëfyese drejt një posti të dështuar. Çfarë në fakt solli kjo kandidaturë për balancimin e pushtetit në Shqipëri? Çfarë solli për ruajtjen e kriterit themeltar të Kushtetutës se Presidenti është një figurë unifikuese? Asgjë për të parën dhe as për të dytën. Nuk është asesi një President konsensual, madje tradita e konsensusit u vra një herë e përgjithmonë. Nëse deri sot emra e shpallur do kishin bërë një mini fushatë brenda së majtës apo së djathtës. Dhe këto emra do ishin seleksionuar përmes votës, mund të thoshim se po, Shqipëria ka sot një president konsensual dhe të votuar. Por ky proçes nuk ndodhi kurrë.

Edi Rama nxorri një emër që deri diku fal kësaj kulturës së mikut po pranohet nën zë. Por brutalisht ka shtypur rishtas proçesin e domosdoshëm për të arritur te Presidenti i duhur. Kësisoj nuk është asesi një president unifikues siç e kërkon Kushtetuta. Eshtë një President që do mbaj mend nderet që i bën dhe mbase do mbetet varur midis bluzës së mjekut dhe kostumit të gjeneralit. Ndofta mbas një viti mund të jetë rishtas në shenjestrën e Edi Ramës dhe kolonisë së tij të rilindjes. Për shkak se i tillë është produkti i pa çertifikuar drejtë por me mik. Një emër që ofrohet nga shefi i qeverisë dhe që miratohet unanimisht nga partia në pushtet.

Një emër i minutës së fundit, që nuk di asgjë, që pranon menjëherë nuk ka se si të jetë unifikues apo kushtetues. Shto pastaj këto të tjerat konfliktin po me Kushtetutën si ushtarak në detyre, përfoljen për pronat e ushtrisë, po i japin kështu vendit përfundimisht një President jo konsensual, jo kushtetues, jo unifikues, por një President me mik. Një tjetër dështim i dëmdemokracisë sonë

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat