Ibrahim Rugova – njeriu i rezistencës dhe i paqes

Opinione

Ibrahim Rugova – njeriu i rezistencës dhe i paqes

Nga: Shkruan: Shlomo AVINIER Më: 6 qershor 2022 Në ora: 15:02
Presidenti historik Ibrahim Rugova

Ibrahim Rugova, për shumë vite udhëheqës i shqiptarëve të Kosovës, dhe që nga viti 2002 edhe president i zgjedhur i Kosovës nën protektoratin e përkohshëm të OKB-së, është krahasuar me Nelson Mandelën dhe në insistimin e tij që shqiptarët e Kosovës do të arrijnë çlirimin vetëm përmes mjeteve paqësore. Ushtria Çlirimtare e Kosovës militante, dhe nganjëherë terroriste, mendonte ndryshe, por përfundimisht politika e Rugovës mbizotëroi dhe i fitoi popullit të tij bashkëndjenjen dhe përkrahjen ndërkombëtare në vitet e serta të represionit serb nën Slobodan Milosheviqin. Fizikisht, ai ishte pikërisht e kundërta e asaj që mund të pritet të jetë një luftëtar shqiptar i lirisë: për të mirë a keq, shqiptarët e kanë imazhin e njerëzve të egër, të pagdhendur malësorë. Rugova dukej paksa si të ishte intelektual hebre nga Varshava e kohës mes dy luftërave – gojëmbël, me sy të pikëlluar dhe të mençur, me zërin që nuk e ngrinte kurrë. I diplomuar në Sorbonë dhe profesor i letërsisë shqiptare në Prishtinë, ai sigurisht se dukej si profesor, me sytë të mëdhenj e të rëndë, rroba që nuk i përshtateshin dhe një shall leshi që u bë simbol i tij. E megjithatë, ishte ky intelektual në dukje i butë ai që arriti sukses në mbajtjen e kontrollit të popullit të tij.

E takova Rugovën për herë të parë më 1990 në Cavtat, afër Dubrovnikut, kur Instituti Kombëtar Demokratik, me seli në Uashington, bëri njërën nga përpjekjet e fundit për të sjellë bashkë politikanët, shkrimtarët dhe intelektualët nga grupet e ndryshme etnike në Jugosllavinë që asokohe shpërbëhej me shpejtësi. U largova nga konferenca i bindur se treni tashmë ishte larguar nga stacioni dhe se grupet e ndryshme po shkonin secili në drejtimin e vet – dhe të përkushtuar që këtë ta bënin me dhunë. Megjithatë, duke i dëgjuar zërat e ashpër të serbëve dhe të kroatëve, isha i befasuar nga butësia e Rugovës: ja ku ishte një udhëheqës i një grupi që është viktimizuar më shumë se të tjerët – e megjithatë aty nuk kishte aspak hidhërim, asnjë sharje, aspak urrejtje. Rugova po ashtu kishe arsye të mjaftueshme personale për të mos falur: edhe babai edhe gjyshi i tij ishin vrarë nga komunistët e Titos në konfliktet civile pas vitit 1945. Me të dëgjuar se unë isha nga Izraeli, ai donte të dinte se si e mbante Izraeli sistemin demokratik në kushtet e luftës dhe rrethimit; ai ishte po ashtu i impresionuar nga historia e vendit në kombndërtim, nga shkrirja së bashku e grupeve ndryshme në një kombshtet. Ai ma dha një libër që e kishte shkruar (në shqip) rreth një filozofi shqiptar të shekullit të 17-të, Pjetër Bodgani, i cili e kishte shkruar një traktat në latinishte të quajtur Cuneus Prophetarum (“Çet e Profetëve”), dhe ma theksoi kapitullin për Zoharin dhe kabalistin Sephirot. Më pas ai e shkroi, në frëngjishte, një përkushtim shpirtmirë personal për mua, duke e përfunduar atë me: “Kombet tona kanë fatin të njëjtë historik”. Kur e vizitova atë kah mesi i viteve 90 në shtëpinë e tij në Prishtinë, ai më dhuroi një mineral të rrallë, të nxjerrë, siç e shpjegoi, nga “malet tona”. Kur grupet e tjera në ish-Jugosllavi po e përdornin dhunën për të formësuar shtetet e tyre kombëtare, Rugova e udhëhoqi popullin e tij në një bojkot paqësor të të gjitha institucioneve jugosllave. Në baza vullnetare, dhe i ndihmuar nga kontributet prej diasporës kosovare, Rugova e udhëhoqi popullin e tij në krijimin e institucioneve të shtetit-në-ndër-tim: një kuvend jozyrtar i zgjedhur, një sistem vullnetar i tatimit, shkolla në shqip, një rrjet spitalesh dhe klinikash. Shembulli i Yishuvit hebre në Palestinë ishte pjesë e inspirimit të tij. Vullneti i Shteteve të Bashkuara dhe i të tjerëve që më 1999 të intervenojnë ushtarakisht në emër të shqiptarëve të Kosovës dhe të parandalojnë spastrimin etnik dhe politikat pothuaj gjenocide të Milosheviqit ia ka borxh shumë mënyrës se si Rugova ishte në gjendje të prezantojë rastin e tij para demokracive perëndimore. Në këtë, Rugova po ashtu ndihmoi në vënien e një standardi për justifikimin e intervenimeve humanitare.

Pas çlirimit nga sundimi serb, Rugova insistoi në pavarësi në bazë të vetëvendosjes. Ai i respektoi lidhjet historike serbe me Kosovën, por megjithatë ishte liria njerëzore, jo pretendimet territoriale, që ishin prioritare në mendjen e tij: me kohë, ai arriti sukses në bindjen e shumicës në bashkësinë ndërkombëtare se kosovarët – që janë më shumë se 90% në këtë rajon – e meritojnë vendin e tyre nën diell. Duke reflektuar rreth këtij personi të pazakonshëm, patriotik dhe jo të dhunshëm, njeriu nuk mund të përmbahet nga mendimi se sa e ndryshme do të ishte skena jonë në Lindjen e Mesme po të kishin palestinezët një lider si ai. Rruga e Kosovës drejt pavarësisë ende është e shtruar me gurë, por – me disa përjashtime të pakëndshme -ajo nuk ka qenë e hapur me terrorizëm, dhunë dhe bombahedhës vetëvrasës. Populli i tij – dhe bota -duhet t’i falënderohen Ibrahim Rugovës për këtë: në butësinë e tij kishte çelik.

(Autori është profesor i Shkencave Politike në Universitetin hebraik të Jerusalemit. Ky vështrim është botuar në të përditshmen më të madhe izraelite “Ha’aretz”).

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat