Kosova dinjitoze dhe opozita skandaloze

Opinione

Kosova dinjitoze dhe opozita skandaloze

Nga: Rexhep Torte Më: 7 qershor 2022 Në ora: 14:39
Autori Rexhep Torte

Kur Kosova i paska 60 mijë veteranë të luftës, pse këta veteran e paskan lejuar Serbinë kriminale që në agresionin gjenocidal të cilin e kreu në Kosovë, të vret dhe masakrojë afër 15 mijë shqiptarë të pafajshëm, të dhunojë shtazërisht 20 mijë motra tona shqiptare, të rrëmbejë 1654 shqiptarë të pafajshëm, fati i të cilëve ene nuk është zbardhur, ta bëjë shkrumb e hi Kosovën dhe t’i detyrojë më shumë se 1 milion shqiptarë autoktonë të Kosovës të marrin rrugën e eksodit.

Të gjitha këto krime përkundër ndihmës 78 ditore të bombardimeve të caqeve serbe nga avionët e NATO-s, që ia sollën lirinë Kosovës.

Qeveria e Albin Kurtit, ka plot të drejtë ta bëjë riverifikimin e listës së fryrë të veteranëve të Kosovës, që nga kjo listë të shlyhen veteranët e rrejshëm.

Qeveria e Albin Kurtit, duhet ta shtojë mbështetjen financiare ndaj grave të pafajshme që u dhunuan kriminelët e Serbisë kriminale.

Është skandal i madh financiar e moral, dhe nuk është e drejtë dhe e ndershme që të marrin rroga veteranët e rrejshëm, ndërsa qindra mijëra të rinj nga Kosova kanë emigruar për arsyet të mos pasjes së vendeve të punës në Kosovë.

Protesta e veteranëve para Parlamentit të Kosovës më datë 6 qershor 2022, e organizuar dhe e mbështetur fuqimisht nga PDK-ja dhe AAK-ja dhe partitë e tjera opozitare, bëri që opozita në Kosovë të kapet me presh në dorë dhe të lakuriqohet.

Opozita e sotme në Kosovë, me këtë protestë të veteranëve tregoi se ka për qëllim me çdo çmim të rikthehet në pushtet, vetëm për ta mbrojtur veten e përfshirë në krimin, hajninë, korrupsionin dhe pasurimin e jashtëligjshëm milionësh.

Kjo opozitë skandaloze e Kosovës, ka për qëllim rrëzimin e Qeverisë së Albin Kurtit, të qeverisë më të ndershme e më të pastër që ka pasur Kosova në 21 vitet e kaluara, qeveri e cila është e përkushtuar dhe po punon denjësisht për të mirën e Kosovës dhe për prosperitetin e saj.

Qeveria e Albin Kurtit duhet ta ketë parësore nxjerrjen para ligjit dhe para drejtësisë të milionerëve hajna dhe të korruptuar të pasluftës në Kosovë, dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të jashtëligjshme.

Qeveria e Kosovës, duhet t’i ndërpret dhjetëra miliona euro që janë ndarë nga taksapaguesit e Kosovës për avokatët e shumtë të angazhuar për mbrojtjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe të akuzuarve tjerë në Gjykatën Speciale në Hagë, për veprat e tyre personale.

PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, AKR-ja dhe Nisma, u dëshmuan tradhtare të paturpshme ndaj Kosovës, ndaj popullit të shumëvuajtur të Kosovës, ndaj tërë dëshmorëve që e dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe ndaj tërë viktimave të Kosova që pësuan nga agresioni gjenocidal i Serbisë kriminale në vitet 1998/99.

Opozita e sotme në Kosovë, gjatë 21 viteve sa e udhëhoqi qeverisjen dhe shtetin e Kosovës, nuk bëri asnjë hap për ta paditur Serbinë kriminale në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krimet gjenocidale që Serbia kriminale i kreu në Kosovë.

Opozita e sotme në Kosovë, nuk bëri asnjë hap që kriminelët serbë të ndiqen dhe të vihen para ligjit dhe drejtësisë për ta marrë dënimin e merituar.

Opozita e sotme në Kosovë, nuk u pozicionua dinjitetshëm as në dialogun Kosovë-Serbi në dhjetë vitet e kaluara, duke mos i vënë asnjë kusht Serbisë kriminale.

Kjo opozitë e sotme në Kosovë, gjatë 21 viteve që e udhëhoqi qeverisjen dhe shtetin e Kosovës, viteve të fundit lejoi që tradhtari Hashim Thaçi, Vlora Çitaku, Baton Haxhiu, në bashkëpunim me tradhtarin Edi Rama dhe kriminelin Aleksandër Vuçiq, si edhe në bashkëveprim me pro serbët Jon Bolton, Matheë Palmer dhe Richard Grenell, ta përgatisin planin për ndarjen e Kosovës, që fatmirësisht nuk u realizua falë reagimit të ashpër të Angela Merkel- ish kancelares së Gjermanisë.

Protestës së veteranëve të Kosovës të 6 qershorit 2022, i paraprinë një serë aktivitetesh të opozitës në Kosovë tejet të dëmshme për shtetin e Kosovës, duke filluar nga fushata për mospërmbajtjen e Fondit të Sigurisë që e caktoi qeveria e Albin Kurtit, duke filluar nga vizitat muaj më parë të Ramush Haradinajt, Memli Krasniqit dhe Lumir Abdixhikut në Tiranë për tu takuar me tradhtarin Edi Rama, në mbështetje të “Ballkanit të hapur” dhe kundër Qeverisë së Albin Kurtit.

Sergej Lavrov-ministri i Jashtëm i Rusisë, pas moslejimit të vizitës së tij në Serbi për shkak të mbylljes së hapësirave ajrore nga Rumania, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, më 6 qershor 2022, deklaroi se vizita e tij në Serbi kishte për qëllim mbështetjen për “Ballkanin e hapur”.

Kjo deklaratë e Sergej Lavrovit e demaskoi kriminelin Aleksandër Vuçiq dhe e fundosi Edi Ramën, këtë tradhtar patologjik anti kombëtar shqiptar dhe pro serb dhe pro rus të përbetuar.

Opozita e sotme në Kosovë bëri një fushatë të turpshme edhe ndaj vizitës së Albin Kurtit në SHBA.

Hashim Thaçi më 5 qershor 2022, u dërgoi mesazh nga Haga qytetarëve dhe aktivistëve të PDK-së, duke u thënë, “Qëndroni të bashkuar, nëse ju atje poshtë jeni të bashkuar, edhe unë sfidën këtu e kaloj, bile nuk e ndjej hiç”.

Isa Mustafa, ish-kryetar i LDK-së, më 5 qershor 2022, deklaroi se, “LDK-ja është në rrugën e duhur, dhe do të rikthehet. Askush nuk mund ta mohojë rolin e Agim Veliut dhe të Skender Hysenit.

Isa Mustafa, ky akademik munafik, harron se LDK-së ia hoqi tërë nishanet e Ibrahim Rugovës. Harron se Agim Veliu dhe Skender Hyseni krekoseshim duke u fotografuar me pro serbin Richard Grenell. Harron se Skender Hysenit në Bruksel ia vodhën çantën me dokumente për dialogun Kosovë-Serbi.

Isa Mustafa, harron se si kryeministër i Kosovës në dialogun Kosovë-serbi e nënshkruajti marrëveshjen më të dëmshme për Kosovën, që ia la Kosovës si kopilin te dera dhe Albin Kurtit si prushin në dorë.

Isa Mustafa, duhej të shporrej nga LDK-ja dhe jo të zgjidhej kryetar nderi i LDK-së, kur në realitet Isa Mustafa është turpi i LDK-së.

Ramush Rahadinaj, në vend të përkrahjes së padrejtë që ua bën veteranëve të rrejshëm, duhet të merr guximin ta kritikojë veten e tij, që ia fali Malit të Zi, 8 mijë e 200 hektarë bjeshkë të Kosovës.

Ramush Haradinaj, duhet ta kritikojë veten për pasurimin e tij milionësh në mënyrë të jashtëligjshme për çka domosdo një ditë do të përgjigjet para ligjit.

PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, AKR-ja dhe Nisma, që janë opozita e sotme e Kosovës, duhet të japin përgjegjësi për keqqeverisjen në 21 vitet e kaluara, dhe të distancohen nga e kaluara e dëmshme, ndryshe në zgjedhjet e ardhshme do të ndëshkohen më së keqi nga votuesit e Kosovës.

Sa të lumtur do të ishim ne shqiptarët po qe se kur ta hapnin “Bota Sot”, ta kishin fatin të lexojmë lajme dhe informata pozitive dhe shpresëdhënëse për Kosovën.

Fatkeqësisht një gjë e tillë nuk po ndodh. Këtë po e pamundëson opozita e sotme në Kosovë, e cila e ka humbur turpin, pendimin dhe distancimin nga e kaluara 21 vjeçare kur e kequdhëhoqi dhe e keqqeverisi Kosovën.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat