Ballkani i Hapur, në kundërshtim me Procesin e Berlinit

Opinione

Ballkani i Hapur, në kundërshtim me Procesin e Berlinit

Nga: Prof. Dr. Musa Limani Më: 24 qershor 2022 Në ora: 06:26
Prof. Dr. Musa Limani

Procesi i Berlinit i propozuar nga Kancelarja Merkel, ishte për integrim të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, por asnjëherë nuk u pranua që ky integrim të jetë vetëm nga tri vende të këtij rajoni. Andaj, Procesi i Berlinit ka mbështet integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por si tërësi, duke përfshirë të gjitha vendet e këtij rajoni, andaj edhe Kosovën si shtet i pavarur dhe ndërkombëtarisht i pranuar. Në qoftëse, Kosova kyçet në ketë integrim, pa u pranuar nga Serbia, del që është në kuadër të Serbisë si krahinë e saj, sepse në preambulën e Kushtetutës së saj ende figuron: “Kosova dhe Metohija është krahinë e Serbisë”. Andaj, me ketë rast rrezikohet pavarësia e Kosovës, dhe me të drejtë ky integrim është refuzuar më parë edhe tani refuzohet nga Qeveria e Kosovës. Procesi i Berlinit, mbështeti integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor si tërësi, që deri në pranimin e tyre në Bashkimin Evropian, të krijohet një treg unik ekonomik i këtyre vendeve. Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, asnjëherë nuk janë dakorduar as vendet anëtare të BE-së, e as SHBA, që ky integrim të bëhet vetëm nga tri shtetet që tani janë të përfshira në këtë asociacion: Serbia, Maqedonia Veriore dhe Shqipëri, pa përfshirjen edhe të tri vendet të tjera: Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova.

Mirëpo, sido që të jetë, unë personalisht mendojë se, në Evropë, duhet të jetë vetëm një asociacion, duke përfshirë edhe vendet e Ballkanit perëndimorë si tërësi, pra, vetëm Bashkimi Evropian, si integrim më i madh rajonal botëror. Nuk duhet të ketë asociacion mbi asociacion integrues, sepse edhe vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Evropës. Unë në ketë shkrim, kam bërë një analizë profesionale-shkencore ndaj Ballkanit të Hapur, si kundër përgjigje direkte kundër disa nismave të integrimeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u iniciuan nga Serbia hegjemoniste, spastruese e trojeve shqiptare, uzurpuese, aneksuese, gjenocidiale dhe armike shekullore e kombit tonë, dhe pasojat që mund të ketë Shqipëria, veçmas Kosova. Ajo edhe tani po tenton që në forma të ndryshme, në fillim nëpërmjet “Mini Shengenit” i inicuar në Novi Sad nga Vuçiq, kurse i mbështetur nga Rama dhe Thaçi. Madje në Shkup më 29.07.2021 u mbajt i ashtuquajtur “Forumi Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal”, ku morën pjesë nismëtaret në Novi Sad: Presidenti i Serbisë. Z. Vuçiq, Kryeministri i Maqedonisë Veriore z. Zaev dhe Kryeministri i Shqipërisë z. Rama. Këta tre “lider” kishin ftuar edhe vendet e tjera të Ballkani Perëndimor që t’i bashkohen këtij asociacioni, por Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova e kishin refuzuar. Në këtë vit kryeministrat e sipërcekur në Ohër, mbajtën takimin e radhës, ku nënshkruan disa marrëveshje bashkëpunimi mes Serbisë, Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë, në të cilin si vëzhgues morri pjesë edhe kryeministri i Malit të Zi z. Abazoviq, kurse Kosova e Bosnjë-Hercegovina e refuzuan. Andaj, çdo nismë tjetër për të formuar ndonjë asociacion të vendeve të Ballkanit Perëndimor, jashtë integrimeve në institucionet Veri Atlantike, përkatësisht në Bashkimin Evropian dhe në NATO, nga kushdo qoftë, është i dëmshëm për këto vende, heq Serbinë, veçmas do të jetë me pasoja të rënda politike, shoqërore dhe ekonomike si për Shqipërinë ashtu dhe për Kosovën.

Andaj, nismëtaret dhe organizatorët e tubimeve për të bërë një lloj asociacioni të vendeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim që të fshehin përmbajtjen dhe qëllimin e Mini Shengenit Ballkanik, atë e riemërtuan “Ballkani i Hapur”, që në vete do të përfshijë lirinë, e transaksioneve ekonomike, të njerëzve, kapitalit, shërbimeve etj., me qëllim të formimit të tregut të përbashkët (unik) në kuadër të këtyre vendeve. Pavarësisht nga riemërtimi, për mua Mini Shengeni apo Ballkani i Hapur, është Ali Hoxha, Hoxhë Alia, sepse qëllimi dhe përmbajtja e tij mbetet e njëjtë, fuqizimi politik dhe ekonomik i Serbisë në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nëpërmjet saj edhe të Rusisë. Andaj, duke pasur parasysh këto qëllime, nuk duhet të ketë e as të lejohet kurrfarë nismash integruese rajonale të këtyre vendeve, sepse rruga e vetme e tyre është që sa më parë të anëtarësohen në organizma dhe institucione Veri Atlantike, siç është NATO dhe Bashkimi Evropian etj. Aq më parë, tani me rastin e luftës në Ukrainë, BE-ja sa më parë dhe në bllok duhet t’i pranojë këto vende anëtare të përhershme të saj, me ç’rast do të evitojë depërtimin e Rusisë dhe dominimin e Serbisë ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Andaj, nuk mund të ketë kurrfarë asociacioni në kuadër të vendeve të Ballkanit Perëndimor, jashtë BE dhe NATO-së, kur aty nuk janë të përfshira të gjitha vendet e këtij rajoni. Në ketë fryme, kundër Ballkanit të Hapur është edhe Forumi Ekonomik Mbarë Shqiptar, sepse si i tillë nuk mund të konceptohet dhe të realizohet pa pjesëmarrjen e të gjitha shteteve që janë pjesë e Ballkanit Perëndimor. Sipas tyre, në fokus duhet të jetë Procesi i Berlinit, e jo Ballkani i Hapur. Andaj, Ballkani i Hapur, nuk mund të pranohet dhe nuk po pranohet nga BE-ja si i tillë. Ai, si i tillë paraqet një kopjim të tregut unik të BE-së, ku përfshihen: Liria e qarkullimit të mallrave, liria e ofrimit të shërbimeve dhe i themelimit të ndërmarrjeve, liria e qarkullimit të kapitalit dhe liria e qarkullimit të njerëzve. Në kontekst të kësaj vetvetiu shtrohet pyetja. Pse, atëherë të bëhet një asociacion i tillë, kur pritet që këto vende së shpejti do të jenë anëtare të përhershme të BE-së dhe do t’i kenë të gjitha elementet që prezantohen në Ballkanin e Hapur, për të cilin insistojnë këta tre zotërinj: Vuçiq, Zaev dhe Rama?!! S’ka dyshim se prapavija e krejt kësaj është, zgjerimi i tregut dhe dominimi monopolist i Serbisë si vend më i zhvilluar tani i Ballkanit Perëndimor në tregjet e këtyre vendeve. Nuk e di sa e kupton drejtë Kryeministri i Shqipërisë z. Rama, prapavijën e Serbisë që insiston t’i realizojë qëllimet e sipër cekur nëpërmjet “Ballkanit të Hapur”. Ai duhet ta dijë se me ketë rast, në Shqipëri do të shpërlahen parat e mafive serbe e ruse, në mbështetje të vendeve të tyre, duke ndërtuar objekte ndërtimi, vila, ngritur uzina e fabrika, si dhe do ta pushtojnë bregdetin shqiptar turistët serb, maqedonas, rus etj. Për mos me u keqkuptuar, unë nuk jam kundër zhvillimit të turizmit dhe integrimeve ekonomike në shtetin tonë amë, pra në Shqipëri. Por një gjë duhet kuptuar kryeministri aktual z. Rama, dhe kushdo që vjen si kryeministër në Shqipëri, se serbët dhe rusët, nuk vijnë vetëm për turizëm, por ata do ta konkurrojnë prodhuesin vendor dhe në këtë mënyrë do të sllavizojnë strukturën ekonomike, me ç’rast do të ndryshojnë dukshëm edhe strukturën nacionale të popullsisë në Shqipëri. Andaj, nëpërmjet Ballkanit të Hapur, përkatësisht këtij lloj integrimi futet ekonomia dhe elementi sllav, veçmas serb në Shqipëri me qëllime të caktuara politike dhe ekonomike për ta gllabëruar atë në periudhë afatgjate, sepse “kalaja” merret nga brenda, në një anë, dhe, sigurimin e daljes në detin Adriatik, që është ëndërr historike e serbëve dhe rusëve, për t’i siguruar vetes daljen në ujërat ndërkombëtare, në anën tjetër.

S’ka dyshim se, çdo vend i pavarur ka të drejtë të bëjë koalicion dhe marrëveshje bilaterale dhe multilaterale politike, ekonomike, arsimore, kulturore, shëndetësore, etj., me cilindo vend tjetër të botës, në dobi dhe për interesa të vendit dhe kombit të tij. Tani vetvetiu shtrohet pyetja. Atëherë, cili na qenka interesi i z. Edi Rama, përkatësisht Shqipërisë dhe i kombit tonë në tërësi, që Shqipëria është anëtare dhe po lobon e angazhohet për jetësimin e Ballkanit të Hapur, kur dihet se as politikisht, as ekonomikisht, e as në pikëpamje gjithë kombëtare ky integrim nuk është në favor të shqiptarëve, as andej e as këndej “gardhit”? Përkundrazi, është në dëm të tyre. Ky integrim, në pikëpamje politike, për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, del se prolongohet anëtarësimi i tyre në BE, qe tregoi edhe Samiti i BE-së i mbajtur më 23 të këtij muaji. Madje, me ketë rast pjesa Veriore e Shqiptarisë gjeografike, natyrore dhe etnike, pra, Kosova, alias Dardania sfidohet, duke e lënë të izoluar, në një anë, dhe, kur Serbia cep më cep të botës lobon që të tërhiqen njohjet e Pavarësisë së Kosovës dhe vet nuk e pranon realitetin se Kosova është shtet i pavarur, i pranueshëm ndërkombëtarisht edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe nëpërmjet “Lista Srpska”, përdhos kushtetutshmërinë, territorialitetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, e cila edhe aktualisht Kosovën e konsideron krahinë të saj, në anën tjetër. Atëherë, ku e merë atë forcë z. Kryeministër i Shqipërisë që të bëjë koalicion me Serbinë, armikun tonë shekullor dhe të tanishëm. Një fjalë popullore thotë: “Armiku i vjetër kurrë nuk bëhet mik i ri”. Ndërkaq, nga aspekti ekonomik, Serbia do të dominojë në tregun e Shqipërisë, me ç’rast Shqipëria do të shndërrohet më tepër në një treg konsumues i produkteve serbe, e më pakë i prodhimeve vendore prodhues. Me fjalë të tjera, Shqipëria mund të shndërrohet në një koloni klasike në pikëpamje ekonomike nga dominimi dhe monopoli i prodhimeve serbe në tregun e Shqipërisë. Andaj, Kryeministri i Shqipërisë z. Rama, duhet ta kuptojë se Ballkani i Hapur nuk është në interes as të Shqipërisë, e aq më pakë të Kosovës dhe kombit si tërësi. Si kryeministër, e aq më parë kur dihet që Shqipëria është anëtare e Kombeve të Bashkuar, duhet të mbrojë dhe të vejë në spikamë, padrejtësitë që u bëhen shqiptarëve kudo që janë e jetojnë. Në kontekst të kësaj do të thoja, me angazhimin për realizimin e Ballkanit të hapur, ai nuk po i mbron as intereset e Shqipërisë, e lere më të Kosovës dhe të shqiptarëve që jetojnë në tokat e tjera etnike, si në Maqedoninë Veriore, Luginën e Preshevës, Sanxhak, Mal të Zi, Çamëri etj. ku shkelën të drejtat më elementare kombëtare të tyre. Andaj, çdo lider shqiptar çfarëdo funksioni që kryen, duhet ta dijë se, nuk ka ju dhe ne, por ka vetëm NE. Pra, ne duhet të veprojmë si një organizëm, cilido organ i trupit të dhembë, truari e ndien dhe reagon. Kështu, duhet të veprojë edhe shteti amë i shqiptarëve, pra, Shqipëria, po ashtu edhe Kosova si shtet i dytë shqiptar, për kauzën tonë kombëtare. Ndonëse, mua nuk ma thotë zemra se duhet të kemi dy shtete shqiptare. Shqiptarët duhet të kenë një shtet, për të cilin me shekuj luftuan me pushkë në dorë, e kjo është SHQIPËRIA REALE, ETNIKE-GJEOGRAFIKE, ku bukës i thuhet bukë e ujit ujë. Shekulli XIX dhe XX ishte i kobshëm për ne shqiptarët si komb, ndërkaq shekulli XXI, duhet të jetë shekulli i kombit tonë, në kuptimin e Ribashkimit gjithëkombëtar. Ribashkimi nuk është tabu temë, por e drejtë universale, historike dhe kombëtare e shqiptarëve. Me këtë rast nuk formohet “Shqipëria e Madhe” si e quan Serbia, që për qëllim ka pengimin e ribashkimit kombëtar të shqiptarëve, së pari të Kosovës me Shqipërinë, e më pas edhe të trojeve tjera etnike shqiptare, duke formuar shtetin real gjithëkombëtar. Kuptohet, ribashkimi kombëtar nuk kërkohet me luftë, por me dialog, me paqe dhe me procese integruese ekonomike, arsimore, kulturore, shëndetësore, me infrastrukturë, veçmas rrugore etj. Në ketë drejtim, unë që nga Pavarësia zhvilloj tezën se, ribashkimi kombëtar bëhet pa ndonjë problem pikërisht nëpërmjet proceseve integruese. Në këtë drejtim, në fushën ekonomike, unë zhvilloj tezën që aktualisht transaksionet ekonomike Kosovë-Shqipëri dhe anasjelltas, të ngritën në Union Ekonomik, që në vete nënkupton: qarkullimin e lirë të mallrave, kapitalit, të njerëzve, shërbimeve, ngritjes së subjekteve ekonomike etj., pa kurrfarë barrierash administrative dhe të politikës fiskale e të tregtisë së jashtme. Mjaft më me këso marrëveshjesh bashkëpunimi. Kemi të nënshkruara mbi 50 marrëveshje, por pa efekte konkrete, heq disa rezultate të vogla. Me Union Ekonomik, ne do ta formojmë tregun e përbashkët shqiptaro-shqiptar, që do të jetë me interes për momentin si për Kosovën, ashtu dhe për Shqipërinë, por mbi të gjitha për kombin tonë. Andaj, në kontekst të kësaj duhet potencuar se, për ketë Union Ekonomik, përkatësisht treg të përbashkët shqiptaro-shqiptar, duhet të angazhohet Kryeministri z. Edi Rama, e jo për formimin e tregut të përbashkët me Serbinë dhe Maqedoninë Veriore, pra për Ballkanin e Hapur, e të nënshkruaj marrëveshje bashkëpunimi, si ndodhi edhe këto ditë në Prishtinë, ku u nënshkruan hiq më pak se 19 marrëveshje në fusha të ndryshme. Në ketë vizitë, nuk la pa e përmendur edhe Ballkanin e Hapur, dhe t’i lejohet që Vuçiqin ta quaj, pos mik edhe vëlla. No koment?!! Do të thoja çmenduari dhe absurditet kombëtar! Andaj, “Shqipëria e Madhe”, është tezë e Serbisë dhe ne kurrë nuk duhet ta përmendim si të tillë, sepse nuk ka Shqipëri të Madhe, e as të Vogël, por aktualisht kemi Shqipëri të tkurrur Londoneze. Shikuar historikisht, duke na i aneksuar e uzurpuar trojet tona etnike, janë formuar: Serbia e Madhe, Maqedonia e Madhe, Mal i Zi i Madh, Greqia e Madhe etj. Siç dihet, shqiptarët kurrë nuk kanë kërkuar robërinë e të tjerëve, por përherë kanë luftuar për t’i mbrojtur tokat e tyre etnike. Ketë më së miri e vërteton fakti se, ne shqiptarët nuk kemi varreza në tokat të huaja, por vetëm në trojet tona etnike, duke i mbrojtur territoret e tona. Por, edhe për rreth luftërave të njëpasnjëshme shekullore, Fuqitë e Mëdha, duke iu plotësuar apetitet e fqinjëve tanë dhe interesave të tyre, nuk u lejuan shqiptarëve të drejtën e vetëvendosjes si e drejtë universale, sikur kombeve të tjera, të formojnë shtetin e tyre në baza territoriale kombëtare, pra “Një komb, një gjuhë, një shtet, një flamur”. Për fat të keq edhe nga disa kuazi intelektual nga Kosova, edhe tani kemi zëra për formimin (ekzistimin) e kombit kosovar. Lidhur me këtë do të thoja, se në damarët e tyre nuk rrjedh gjak shqiptari, në një anë, dhe se ata nuk e dinë se shteti nuk formon komb, por kombi formon shtet, në anën tjetër. Dhe se formimi i shtetit të Kosovës, paraqet fitore gjithëkombëtare, hap më të madh dhe bazament më të fort drejt Ribashkimit gjithëkombëtar, por assesi formimin e ndonjë kombi kosovar. Andaj, mundet me qenë një kombë e dy shtetet, siç kemi disa raste në botë, por askund nuk kemi një shtet e disa kombe. Ja pra, deri ku na ka sjellë historia e dhimbshme për kombin tonë, që tani vëllau vëllaun mos ta njohim. Në kontekst të kësaj, mendojë se është imperativ kohe që emri Kosovë të zëvendësohet me emrin historik të saj DARDANIA.

Andaj, shekulli XXI, duhet të jetë i përmirësimit të gabimeve që Fuqitë e Mëdha bënë ndaj kombit shqiptar, në një anë, dhe imperativ i kohës drejtë ribashkimit kombëtar, në anën tjetër. Kjo në rend të parë, varët nga angazhimi jonë institucional e kombëtar, kuptohet gjithnjë duke na mbështetur faktori ndërkombëtar demokratik. Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, derisa baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshërit e eminencës evropiane, kanë “konstruktuar” kufijtë e Ballkanit me gërshërë në dëm të trojeve dhe kombit shqiptar, bijtë e tyre tani duhet të “konstruktojnë” modelin dhe formën më të mirë evolutiv, me dialog e paqe për revidimin e kufijve dhe për Ribashkimin e trojeve etnike dhe popullit shqiptar. Ashtu, si u kanë ndarë, apo më mirë me thanë si iu kanë copëtuar trojet etnike, edhe duhet t’ua kthenë shqiptarëve. Me këtë rast, ata do ta kthejnë borxhin dhe do të përmirësojnë gabimet dhe shtrembërimet historike të të parëve të tyre ndaj shqiptarëve. Ribashkimi i trojeve dhe shqiptarëve do të jetë element stabilizues, e jo destabilizues në Ballkan, sepse me këtë rast do të shuhen aspiratat dhe elementet hegjemoniste e shoviniste serbo-sllave, veçmas të Serbisë, që janë prezente edhe aktualisht, ndaj tokave tona etnike. Çfarëdo ideje tjetër në ketë drejtim, pos Ribashkimit Kombëtar, që në vete nuk nënkupton vetëm Ribashkimin e Shqipërisë dhe të Kosovës, ndonëse ky duhet të jetë hapi i parë, por të të gjitha trojeve etnike shqiptare të aneksuar më parë, pra formimi i Shqipërisë së mirëfilltë, natyrore apo etnike. Atë që thonte i madhi Aleks Buda: “Shqipëria etnike, e vetmja alternativë”. Apo si thoshte i madhi Faik Konica: “Nëse jemi të bashkuar, e pamundura bëhet e mundur, nëse jemi të ndarë (të përçarë siç jemi tani: nënvizoi: M.L.), e mundura bëhet e pamundur”.

Çështja e ribashkimit kombëtar më nuk është tabu temë, por imperativ kohe dhe paraqet zgjidhje të drejtë të çështjes shqiptare në Ballkan. Duhet ta dinë, jo vetëm Serbia, Maqedonia Veriore dhe Greqia, por edhe Evropa e më gjerë se, pa zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare, nuk ka qetësi në Ballkan. Andaj, për realizimin e këtij qëllimi, në rend të parë, nevojitet pajtueshmëria gjithëkombëtare, institucionale, si dhe vetëdijesimi dhe ngritja e vetëdijes kombëtare mbi interesat personale, grupor, partiake, rajonale etj. Lidhur me ketë çështje madhore kombëtare, Akademik Esat Stavileci, ndër të tjera thoshte: “Është kohë e fundit të kuptojmë se vetëm të konsoliduar kombëtarisht mund të jemi më të fortë, vetëm të organizuar më mirë mund të ndihemi më të qëndrueshëm, më të bashkërenduar mund të jemi më të sigurtë dhe vetëm të bashkuar mund të ndërtojmë një perspektivë më të ndritshme për një popull dhe një komb të një gjaku, të një historie, të një gjuhe dhe të një kulture, të një trashëgimie dhe një tradite”. Andaj, ne duhet ta kuptojmë drejtë së, pa Ribashkim gjithëkombëtar, shqiptarët nuk kanë perspektivë.

Shikuar historikisht, Serbia e mbështetur nga Rusia dhe Fuqitë e Mëdha, për herë ka bërë dhe ka hartuar programe hegjemoniste, duke filluar nga Naçertania (1844), e duke vazhduar gjenocidin gjatë krizës së Lindjes (1878), e cila ishte fatale për tokat dhe popullatën shqiptare, sepse në këtë kohë në Vilajetin e Kosovës, përkatësisht në Sanxhakun e Nishit, që me një emër do t’a quanim “Toplicë”, u bënë spastrime territoriale, masakra dhe gjenocid i paparë ndaj popullatës së pa fajshme e të pa mbrojtur shqiptare si banor den baba den në trojet e tyre etnike. Ky ishte program shovinist nacional e hegjemonist serbo-sllav, që vazhdoi edhe pas këtij viti. Zvogëlimi, copëtimi dhe uzurpimi i trojeve shqiptare u bë, duke filluar nga Kongresi i Berlinit, Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913), në Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene, përkatësisht në Jugosllavinë e vjetër (Kralit, si e quan populli), nëpërmjet Reformës kolonizuese agrare, projektit famëkeq të Çubrilloviqit (Iseljavanje arnauta” 1937, Marrëveshja me Turqinë për pranimin e migracionit shqiptar më 1939, e cila ende është në fuqi, pa të drejtë kthimi të shqiptarëve, e deri te Jugosllavia e AVNNOJ-it, ku erdhi deri te aneksimi i trojeve etnike shqiptare dhe copëtimi i tyre në: Maqedoni, Serbi, Sanxhak, Mal të Zi, duke përfshirë edhe Kosovën, si dhe vazhdoi gjenocidi ndaj shqiptarëve, duke filluar nga grumbullimi i armëve vetëm të shqiptarëve nga Aleksandër Rankoviq (1956-57), e deri te lufta e fundit më 1998-1999, ku kasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviq, me ushtri, polici e paramilitar, bëri maskara e gjenocid në popullatën e pa mbrojtur civile shqiptare, me qëllim të spastrimit të Kosovës dhe zgjerimin edhe një herë të Serbisë së Madhe.

Është për të ardhur keq, por të gjitha këto padrejtësi dhe gjenocide të bërë ndaj shqiptarëve, akademitë dhe institucionet tona shkencore nuk arritën të hartojnë “Librin e Bardhë”, ku do të përfshiheshin të gjitha këto ngjarje dhe të njoftohej opinioni i gjerë botëror. Historia ka treguar se kur ti nuk i kërkon të drejtat e tua, armiku insiston të grabisë edhe më. Kështu, është aktualisht edhe me Kosovën. Kosova në vend që të kërkojë dëmshpërblim dhe falje nga Serbia, për gjenocidin e bërë historikisht ndaj shqiptarëve, edhe në luftën e fundit, ne lejojmë që Serbia të kërkojë edhe më shkëputje territoritoresh nga Kosova, përkatësisht nga trojet tona etnike gjithëkombëtare, siç është rasti me pjesën Veriore të Kosovës. Andaj, aktualisht, presidenti i Serbisë z. Vuçiq me aparatin e tij shtetëror, me uzurpimet dhe gjenocidet e sipër cekura nuk është i kënaqur, ai po kërkon edhe më të marrin nga trojet tona duke thënë: “se edhe ne duhet të marrim diçka”, si kundërvlerë që Serbia ta pranojë Pavarësinë e Kosovë. Kjo është çmenduri, por për serbet paraqet gjë normale, sepse kështu i ka mësuar historia dhe kisha e tyre ortodokse. Andaj, Vuçiq ka të “drejtë” të kërkojë ende territore shqiptare, kur ne, jo vetëm Kosova, por edhe Shqipëria nuk kërkojmë bashkimin e Sanxhakut dhe Kosovës Lindore me Kosovën, që janë troje etnike shqiptare dhe Ribashkimin gjithëkombëtar. Tani, politika hegjemoniste serbe, ka ndryshuar vetëm taktikën, përkatësisht formën e uzurpimeve dhe shkëputjen e territoreve etnike shqiptare, duke propozuar në fillim, korrigjimin e kufijve dhe tani formimin e Ballkanit të Hapur. Kjo ide kishte nismën nga z. Vuçiq e përkrahur nga z. Rama dhe z. Thaçi. Ne nuk duhet të jemi shumë të mençur. Në atë që insiston Serbia, duhet kuptuar që është në dëmë të Kosovës dhe shqiptarëve në tërësi, dhe, anasjelltas. Andaj, jetësimi i projektit Ballkani i Hapur, është shkatërrues për Kosovën, Shqipërinë, si dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Me këtë projekt, Serbia ka për qëllim izolimin e Kosovës dhe shkatërrimin e pavarësisë, përkatësisht shtetësinë e saj, si dhe të bëhet “baba” i vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Andaj, prapavija e projektit Ballkani i Hapur, është dukshëm më e thellë politikisht, ekonomikisht dhe për kah përmbajtja, sesa që duket në shikim të parë. Serbia,, me ketë rast ndër të tjera, kërkon hapjen e një korridori nëpërmjet Kosovës, të cilën nuk e njeh, për të dal në det në portin e Durrësit, përkatësisht të formohet korridori Beograd-Durrës, me ç’rast Serbia do ta realizonte ëndrrën historike shekullore së bashku me Rusinë për të dalur në Adriatik dhe në ujerat ndërkombëtare. S’ka dyshim se ky korridor paraqet projekt radikal të Serbisë, anti-shqiptar, që do të jetë në dëm të Shqipërisë dhe të Kosovës, pra kundër interesit tonë gjithëkombëtar. Në kontekst të kësaj duhet potencuar se, kush i beson se ky projekt do të jetë në interes tonin kombëtar, siç insiston Kryeministri aktual i Shqipërisë z. Edi Rama, keq gabohet dhe paraqet naivitet politik, për mos me thanë antikombëtarë. Andaj, ky projekt si i tillë duhet me çdo kusht të hidhet jashtë çdo bisede, çfarëdo qoftë ajo dhe të shpëtohet nga hegjemonizmi dhe formimi edhe një Serbie të Madhe. Nëse nuk ndalet tani kjo nismë që zanafillën e ka nga Serbia, konkretisht nga presidenti i saj z. Vuçiq, ish Ministër i kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviqit, i cili me gjithë potencialin e tij institucional shtetëror e arsenalin ushtarako-policor e paramilitar, bëri gjenocid ndaj popullatës së pa mbrojtur shqiptare në Kosovë, po vazhdon politikën e tij hegjemoniste ndaj Kosovës dhe Luginës së Preshevës. Lidhur me atë që u tha më parë, z. Edi Rama, Kryeministrit aktual të Shqipërisë, i cili po e mbështet institucionalisht dhe nuk po heq dorë nga Ballkani i Hapur, vetvetiu i shtrohen disa pyetja, si në vijim:

Si mund të bashkëpunohet e të bëhet mik e vëlla personi, një ish ministër i kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviqit, që bëri masakër dhe gjenocid ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë;

Si mund të quhet mik z. Vuçiq, i cili kur ishte ministër i informatave në kohën e Millosheviqit, u masakruan mbi 15 mijë civil, duke vra burra, gra, pleq, nga të cilët mbi 1.400 fëmijë në moshën një javore e deri në moshën 7 vjeçare, dhunuan mbi 20 mijë femra (bile edhe meshkuj), me mijëra kufoma u dërguan dhe u djegën në shkritoret e Serbisë, mbi 1.600 trupa ende të pa gjetur, e djegën shtëpi, objekte fetare, plaçkitën ekonomitë familjare të subjekteve ekonomike, e çka jo tjetër;

Z. Rama e quan mik dhe vëlla Vuçiqin, kurse në Kushtetutën e shtetit që ai është President, në preambulën ende është “Kosova është Serbi, bile në enklavat serbe edhe anglisht: Kosovo is Serbia”, i cili edhe botërisht në çdo takim të deritashëm para ndërkombëtareve edhe në deklaratat e tij, përherë përsërit slloganin “Serbia kurrë nuk do të njohë Kosovën si shtet të pavarur”;

Pse z. Rama, si kryeministër i Shqipërisë (shtetit amë të shqiptarëve) asnjë herë nuk e ngiti zërin kundër dhunës ndaj shqiptarëve në pjesën veriore të Kosovës, ku me dhunë u shpërngulën me mijëra familje shqiptare nga shtëpitë dhe pronat e tyre, ku Serbia po ngritë koloni në vendin e quajtur “Lugina e Dellit”, me synim që të sjellë mbi 300 familje serbe, e që kurrë nuk ishin banor të Kosovës;

A e dinë z. Rama se në Serbi vijnë në pushtet vetëm ato parti dhe politikan që janë shovinist dhe antishqiptar, e që kanë pretendime hegjemoniste dhe uzurpuese ndaj Kosovës dhe Shqipërisë;

Pse asnjëherë nuk u ngritë zëri nga ana e Kryeministrit të Shqipërisë z. Rama, edhe atëherë kur nga bandat serbe të mbështetura nga miku i tij Vuçiq, vranë disa policë shqiptar të cilët mbronin sovranitetin, territorialitetin dhe kushtetutshmërinë e Kosovës;

Pse z. Rama si Kryeministër i Shqipërisë, nuk reagojë kur miku i tij si president i Serbisë, me gjitha institucionet dhe organet e tija shtetëror, lobon cep më cep botës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës etj. etj.;

Andaj, edhe për rreth gjërave që u cekën më sipër, e shumë gjëra tjera të pa thëna, Kryeministri i shtetit amë të shqiptarëve z. Edi Rama, gjenë forcën të miqësohet, ti thotë mik e vëlla, personin që mban qëndrime anti shqiptare, duke mbështetur atë në realizimin e synimeve të tija, pra të Serbisë dhe të Rusisë, nëpërmjet projektit Ballkani i Hapur, për ta rikolonizuar Kosovën dhe futjen e Ballkanit në zonën e interesave sllavo-ortodokse në krye me Rusinë. Andaj, projekti Ballkani i Hapur, paraqet rrezik, jo vetëm për Kosovën, por edhe për Shqipërinë, Bashkimin Evropian dhe NATO-në. Pos tjerash, z. Vuçiq, nëpërmjet projektit Ballkani i Hapur, në mbështetje të Kryeministrit të Shqipërisë z. Rama, tenton që e “kaluara të lihet pas”, të ecim përpara, që në vete nënkupton të mos përmenden spastrimet territoriale, uzurpimet e trojeve etnike dhe gjenocidet e Serbisë ndaj shqiptarëve të bërë gjatë historisë dhe kohëve të fundit, si dhe mos të kërkohen reparacione të dëmeve dhe mos të përmendet gjenocidi i bërë në Kosovë nga ana e Serbisë në luftën e fundit.

Në fund duke përfunduar ketë shkrim, duhet potencuar se, projekti korrigjimi i kufijëve dhe Ballkani i Hapur, duhet të mbesin në harresë dhe të dështojnë si të tilla. Interesi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është që sa më parë të anëtarësohen në BE dhe në NATO, si dhe në organizma e institucione tjera ndërkombëtare, e jo të bëhen asociacione me grup shtetesh, siç është Ballkani i Hapur, duke fuqizuar intereset e Serbisë në mbikëqyrje dhe depërtimin e Rusisë në Ballkan, si rajon gjeostrategjik botëror dhe zonë e tyre e interesit. Mendojë se interesi edhe i BE-së do të ishte që të intensifikojë anëtarësimin sa më parë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në gjiun e familjes së madhe evropiane, edhe atë në bllok, siç bëri me rastin e pranimit të 10 vendeve të Evropës Juglindore, më 2004 në Dublin të Irlandës, pasi që edhe Ballkani është Evropë. Kjo do të jetë edhe në interes të BE-së, sepse me ketë rast, vjen deri te zgjerimi i tregut dhe sigurisë më të mirë në Ballkan e Evropë. Andaj, nuk ka kurrfarë arsye, pos të interesit të Serbisë dhe të Rusisë, për jetësimin e Ballkanit të Hapur, kur dihet se në të ardhmen e afërt, vendet e Ballkanit Perëndimor do të jenë anëtare të përhershme të Bashkimit Evropian dhe në ketë mënyrë do të integrohen në tregun e përbashkët evropian.

Dhe krejt në fund, këtë shkrim po e përmbylli me fjalinë:

Është ligj natyre, që nëna (Lexo: nëna Shqipëri) fëmijët e saj (Kosovën dhe viset e tjera etnike shqiptare), i mbledh rreth vete dhe i donë, por nuk i largon.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat