Qorrsokaku

Opinione

Qorrsokaku

Nga: Kalosh Çeliku Më: 25 qershor 2022 Në ora: 15:59
Kalosh Çeliku

Ish presidenti i Oazës Paqes të Maqedonisë, Baba Qiro (Tatkoto), që krah për krahu me Haxhi Deputetin Maqedoninë e bëri shtet të pavarur, gjatë udhëtimit për në Amerikë e humbi një sandëk me premtime për shqiptarët e arratisur nëpër poste partiake - politike.

Aktivistët e Nënës Parti e përhapën fjalën në të katër anët e “Bit-Pazarit”, se në atë sandëk me rraqe politike kanë qenë premtimet e Babait (Tatkoto) për zgjidhjen e Ҫështjes Shqiptare.

E, a e gjetën sandëkun me rraçe politike? Jo, nuk e gjetën askund. Shkaku, se: sandëkun e kishte vjedhur Xhadia me pashterkë të kuqe...

(MURI KINEZ)

Baba Qiro, për së gjalli shkoi edhe në Kinë, dhe e vizitoi Murin Kinez. Djali i tij Haxhi Deputeti, tha: Babai e ka ndërmend këto vite t’i ndajë shqiptarët me një mur të tillë politik.

Edhe, iku një ditë pa e ndërtuar atë mur shqiptaro - shqiptar. Gurët, edhe sotekësaj dite, kur bie shi i madh me stuhi rrokullisen rrugëve. Ecin me lumin, por kurrësesi të dalin në det. Rreziten në diellin me rreze.

Shqiptarët, pasmesnate zgjohen nga gjumi dhe e ndërtojnë vetë murin shqiptar...

(RROSPIA)

Demokracia është një nuse me shumë burra. Ditë-natë i ndërron burrat. Herë me mikun, e herë me armikun. Luftë bënë para syve të popullit për liri. E do robërinë.

Prandaj, edhe na delë rrospi...

(PERSPEKTIVA E INTELEKTULËVE)

Gjatë “ndryshimeve” demokratike, shteti i pasuroi hajnat që u morën me politikë “madhore”. Pasuri të patundëshme e të tundshme, brenda dhe jashtë Atdheut. U rrokën fytas me armikun e “padukshëm”. Popullin e mbyllën në burg me masa qeveritare: Mos dilni në rrugë pa maska! Duart, lani me sapun! Dy metra larg, edhe me gruan besnike!

E, në anën tjetër i shpërbleu intelektualët me çaj rusi, dhe pa punë në shtëpi...

(JEMI TEUTA - S’DIMË Ҫ’ËSHTË TUTA)

Dy poete rebele me këngën popullore “Jemi Teuta - s’dimë ç’është tuta”, i dëshirojnë një poeti që këtë vit pushka plastike t’i bëhet top i Mic Sokolit! Ndërsa, municioni, dy oqet, dy vorba katundi! Ndoshta, atëherë vret ndonjë bretkosë që i ka shpëtuar sqepit të lejlekut.

Urimit i bashkohen: Dadusha, bashkë me Dadën Hajri. Dhe, Hojdodolen...

(TREGTI ME SHUMICË)

Për ta shpëtuar arsimin nga Pandemia e Partive Politike, urgjentisht blej me shumicë e pakicë deputetë të popullit e ministra Qeverie!

Shifra: “Pedagogu”

(ҪLIRIMI I ATDHEUT)

Urgjentisht blej rrospia meshkuj dhe xhadia me shumicë dhe pakicë për ta çliruar Atdheun nga patriotët e moralshëm partiak...

Shifra: “Patrioti”

(PATRIOTËT DHE POPULLI)

Për të vlerësuar sot punën e Qeverisë të “vëllazërim-bashkimit”, vetëm dilni te “Ura e Gurit”, dhe do të bindeni se, sa punë kanë bërë këta patriotë për popullin...

(POKER ME BURRA)

Në kohën e komunizmit, burrat luanin poker edhe me gra. Në demokraci, sot gratë luajnë poker me burra...

(PARTALLMENTI)

Kjo Qeveri e “vëllazërim - bahkimit”, e ka lehtë me këtë popull: ia hedh një asht, dhe fle rehat në Partallment...

(HEQJA E FLAMURIT SHQIPTAR)

Flamurin kuqezi me shqiponjën dykrenare Qeveria së pari e ngriti në Parlament me xhaxhin kuqezi, i cili u tha deputetëve të popullit “maqedonas”: mos u trembëni, nuk ju hanë! Ndërsa, të nesërmen me urdhërin e presidentit të shtetit të “përbashkët, me gishtin e madh teposhtë, duke vrarë dhe masakruar shqiptarët e hoqi me polici speciale në Gostivar...

(POLITIKA E GRAVE)

Serbët i çliruan nga turqit gratë. Edhe Maqedoninë e Veriut nga kriza politike mund ta shpëtojnë vetëm gratë...

(FRIKË NGA LIRIA)

Vitet e fundit i kemi kënduar aq shumë me çifteli besës dhe trimërisë, sa kam frikë se nuk kemi më as besë, as trimëri...

(BASHKIMI I SHQIPTARËVE)

Gjithë bota e festoi bashkimin e dy Gjermanive. Vetëm, se: si duket, problemin më të madh e ka me bashkimin e shqiptarëve...

(OAZA E PAQES)

I nderuari “Zekthi”,

Oazës së paqes kohën e fundit i pëlciti zorra qorre.

“Zekthi”: Bashkimi Evropjan duhet sa më parë ta shtrijë në sallën e operacionit...

(KOUNIZMI DHE DEMOKRACIA)

I nderuari “Zekthi”,

Në sistemin komunist brenda natës vije në funksion, por brenda natës edhe të rrëshqitnin këmbët. Si qëndron puna tash me “demokracinë”!

Zekthi: Në “demokraci” vjen brenda natës në post, por duhet të kalojnë vite e vite derisa të të heqin zvarrë nga karrikja...

(QORRSOKAKU)

Duke shkuar me vite në Evropë pas të verbërve, Maqedonia e Veriut e humbi rrugën në Tanushë dhe u fut në qorrsokak, nga ku mezi e nxorri UҪK -ja me pak shpirt...

(POLITIKA E SHQIPTARËVE)

Shqiptarët më në fund e kuptuan, se: që të bësh pasuri të tundshme dhe të patundshme, patjetër duhet të merresh me politikë “madhore”...

(BESIMTARËT E ZOTIT)

Politikanët tanë, moti i harruan shkollat; filluan të hedhin gurthemele të xhamive...

(KOLLTUKET E QEVERISË)

“Patriotët” tanë, kur ulen nëpër kolltukët e Qeverisë të “vëllazërim - bashkimit”, verbohen dhe nuk e shohin popullin...

(GRABITJA E KURVËS)

Demokracia na doli kurvë. Prandaj, komunistët e vjetër e morën për grua...

(PATRIOTI)

Burri që nuk e do çajin e rusit, Nënën Parti dhe rrospitë meshkuj, nuk është patriot...

(MINI - MODA)

Luli nga Shkupi pyet:

-Më shkatrroi mini - moda. Mini - prodhimi, mini - ushqimi, mini - rroga... Ҫ’të bëj?

Përgjigje: Edhe ti Luli hyr në shpirtin e mini - modës. Ngatrrohu pas mini - fundi të ndonjë skretareje besnike partiake...

(BESNIKËRIA)

Qeveria e “vëllazërim-bashkimit” është një nuse xhadi me pashterkë të kuqe, që të gjithëve ua bënë me sy. Dhe, nuk ta bënë vetëm ty. Shkaku, se: i trembet besnikërisë tënde si burrë në Qytetin e qyqeve. Hidhet, dhe përdridhet nëpër “Bit-Pazar” me trumbetat e Dexhalli. Herë pas here, edhe të vë pusi nën Rrap.

E, në mbrëmje i futet në shtrat vetëm një burri...

(NDIHMË PËR MAQEDONINË E VERIUT)

Politikanë, na ndihmoni ta shpëtojmë Maqedoninë e Veriut! O sot, o kurrë! Braktisni Parlamentin, postet partiake - politike, pasurinë, dhe merruni me tregti! Prodhime bujqësore dhe blegtorale me afete të skaduara përdorimi!...

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat