Turizëm tragjik

Opinione

Turizëm tragjik

Nga: Jak Simoni Më: 3 gusht 2022 Në ora: 13:04
Jak Simoni

Në një vend si ne, që ka turizmin si sektor parësor të ekonomisë, që do e krahasoja me një  parashutë  që  qëndron pezull nga një  flluskë sapuni, dhe terminologjia rreth këtij termi është pasuruar. Shpesh flitet dhe për turizëm patriotik. Ky togfjalësh  ka hyrë  në shqip, sepse, nisur nga ndjenja e atdhetarisë, shqiptarët në emigracion dhe ato të  Kosovës frekuentojnë vazhdimisht vendin amë pa marrë  parasysh rreziqet nga më  të  ndryshmet, zvarritjet nëpër pikat kufitare, abuzimet me çmimet dhe nivelin e shërbimit etj.. Me ngjarjen e tmerrshme të Himarës togfjalëshin  “turizëm patriotik”  do e zëvendësoja me togfjalëshin “turizëm tragjik”. Ky rasti i fundit përbën kulmin tragjik, por sa ngjarje të  tjera të  dhimbshme të  turistëve patriotë  dhe të vendeve të  tjera nuk janë larguar akoma nga memoria. Të  parin po kujtoj rastin, thuajse të  harruar, ku katër studentë  çek u zhduken në  alpet tona, ku as kockat e tyre ende nuk janë gjetur; për të  vijuar me çiftin e turistëve polakë  që  erdhi  për të  admiruar po ashtu alpet tona, por u vranë  për tu grabitur. Nuk mund të harrohet i riu anglez i vrarë  dhe i hedhur në  pus në  Shëngjin vetëm  për t’i vjedhur një  varëse floriri, ku mamaja e tij pas ngjarjes së tmerrshme u mbyll ne vetmi dhe ndërpreu çdo lloj komunikimi me vendasit e vendit me “famë  mikpritje”. Për të  vijuar më tej me “aksidentet”: palombarin  rus të grirë  nga helika e motoskafit; turistin polak dhe katër turistet rus të  gjetur të  vdekur në  mënyrë  misterioze në  pishinën e një  hoteli në  Golem dhe, duke u afruar më  afër në  kohë  kujtojmë,  vajzën  në  Velipojë  që  bie nga motoskafi dhe  lihet në  det nga miku i saj. Por ajo që  përben vërtetë  kulmin e tmerrshëm ishte ajo e Himarës. A nuk janë  shumë  për një  vend si i yni? Mos të harrojmë se, si bregdeti i Himarë është tërë  bregdeti shqiptar. Skafe e gomone në  mes të  pushuesve të drejtuar minimalisht  nga të  papërgjegjshëm e me leje drejtimi të  blera. Kishim dramatizuar vetëm problemin e çmimeve, por paska çmime tmerrësisht më të larta për të paguar. Për tmerrin e fundit nuk gjenden fjalë  për ta shprehur, por ai  tregon më  së  miri se kush drejton policinë  e vendit tonë. Në  polici promovohen vetëm ato që  bashkëpunojnë  me mafien apo bandat, ndërsa policët e vërtetë, që  janë të  gatshëm te mbrojnë jetën e të  tjerëve me të tyren, nuk promovohen; madje dhe pushohen nga puna. Prej vitesh kështu. Çfarë  nuk po dëgjojmë, përjetojmë e shkojmë, kryesisht në sezonin e verës.  

Janë  bërë mjaft sponsorizime në  mediat kombëtare dhe ndërkombëtare për të  promovuar turizmin, tashmë  tragjik, në  Shqipëri. Shqipëria e vërtetë  nuk është  ajo që  shikoni në  këto  promovime, por kjo e lartpërmendura. E vetmja  formë  promovimi i saj do të  ishte pakësimi i ngjarjeve të  tilla të tmerrshme, por kush do e bëj këtë?   Po të  kishte ndodhur në  Greqi apo diku tjetër një  gjë e tillë,  do të   kishim tjetër skenar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat