Përtej “tokës së xanun”, një iluzion dashurie…

Opinione

Përtej “tokës së xanun”, një iluzion dashurie…

Nga: Martin DEDAJ Më: 18 gusht 2022 Në ora: 18:09
Martin DEDAJ

... mund të tingëlloj absurditet, budallallëk, dhe për këtë do ta mallkoj veten gjithë jetën time, nëse nuk do të më mirëkuptoni. Se, Ju keni të drejtën e zotit të më thoni; i çmendur apo dhe hipokrit, sa i përket marrëdhënieve të deritanishme. Por më besoni!... Se e kam një hall, biles hall tepër të madh, pasi kam rënë marrëzisht në dashuri me Ju!...

Gjithçka e skalitur mjeshtrisht në karaktërin tuaj, më bëjnë të ndihem mirë dhe të krenohem me shoqërinë dhe miqësinë tonë. Ju jeni fisnike, zemërgjërë, e çiltër, dhe vërtet një soj njeriu i mirë, ashtu siç dhe unë kam dhënë prova tek Ju, si një mik i mirë, i sinqertë dhe besnik deri në vdekje i ruajtjes së reciprocitetit të raporteve tona.

...por sinqerisht më vjen keq, se me gjithë përpjekjet frenuese, s'kam mundur dhe as nuk mundem dot, që ti bind ndjenjat e mija, që prej kohësh kërkojnë të frymojnë dashuri, me ato Tuajat!... Këtë jua them me sinqeritetin më të madh të qenies time shpirtërore...

Sinqeritet absolut janë edhe ndjenjat e pabindura të mijat, që po jua transmetoj ju, ndaj unë edhe mund të humbas një mike të çmuar si ju, por karakterin dhe sinqeritetin e drejtpërdrejtë timin, jo e jo por besoj fort se dhe ju nuk do t'ju humbasë, përkundrazi....

Me forcën e ndjenjave shpirtërore, dhe dashurinë e zemrës që ka kohë që rreh për Ju, më lejoni t'ju them se ju dua! Ju dua vërtet;

Si lulia vesën;

Si valëza flladin;

Si nëna fëmijën;

Si bima ujin;

Si batica hënën;

Si engjujt zemrën;

Si buza puthjen, etj, etj... ndaj lutemi merrni përqafimin tim, dhe përpiquni të pajtoheni me të vërtetën, se unë dua të jem përgjithmonë i JUAJI!...

Një teuri astronomike thotë se; “Sa më të gjata të jenë ditët, aq më larg është dielli, por ai është edhe më i fortë e më i ndritshëm për gjithësinë”. Kështu po ndosh edhe me ne!... Edhe pse largësia na ndan, zjarri për njëri-tjetrin sa vjen e rritet, kështu ndodh të paktën me mua, dhe shpresoj të jetë kështu edhe me JU!...

Mërzia që më shkakton largësia është tepër e madhe, aq më tepër kur rri e mendoj, se sa shumë do të më duhet të vuaj, e nuk do të mundem të duroj dot, po të mos jetë shpresa e fortë!...

Në pamundësi për të qenë pranë jush, por i diktuar nga ndjenjat i shkrova këto pak radhë për TY!...

Më besoni se ju dua dhe dashuroj fort, ndaj flakeni mosbesimin! Dhe nëse nuk do t'ju besoni fjalëve të mija vështroni sytë TUAJ dhe sytë e MI!... Në sytë TUAJ, do të zbuloni magjinë që ata mbajnë, ndërsa në sytë e MI, do të zbuloni ndjenjat e zemrës time, që rrahin fort për TY!...

Sigurisht që do të vijë dita, kur do të mund të shohim njëri-tjetrin. Dhe vetëm atëherë do të mund të shpjegohem plotësisht pasi; “nganjëherë fjalët nuk thonë asgjë, por ndjenjat pushtojnë zemrat, duke treguar gjithçka”.

Ju siguroj se askush tjetër në këtë botë përpos teje, nuk do të ketë në ndjenjat e mija, vendin që është dhe do të mbetet i shenjtë vetëm për Ty, deri në frymën e fundit të jetës time, sepse ju e meritoni një gjë të tillë. Por gjithmonë, pa prishur dhe lënduar asnjëherë, ndjenjat e dashurive dhe detyrimeve që kemi, në jetën tonë të përditshme, pasi jemi "tokë e xanun"...

Bindja ime është Dashuria, dhe Ti, je e vetmja filozofi, doktrinë dhe pasqyrë e saj, e cila nuk e di pse më ka rrëmbyer me një fuqi, që s'mund ti rrezistoj më.

S'kam reshtur së përpjekuri për të dalë kundra arsyes dhe mos arsyes së dashurisë time për ju, por s'kam mundur ta bëj dot një gjë të tillë. Sepse s'mundem të vazhdoj jetë pa dashurinë Tuaj. Ndaj më prit bujare në prehrin e saj. Se s'mundem të marr frymë pa të!...

 

Mes Gushti 2022

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat