Dita e flamurit është pasnesër

Opinione

Dita e flamurit është pasnesër

Nga: Beqir Elshani Më: 26 nëntor 2022 Në ora: 23:21
Ilustrim

Papritmas profesori nxori flamurin kombëtar prej çantës së zezë dhe me dy progje e vari në ballë të murit. Në këtë çast, fytyrat e burrave u ndriçuan, kurse sytë e fëmijëve të pranishëm në odën e burrave shkëlqenin porsi yje. Drita e dritares së odës binte mu në sfondin e flamurit kuqezi, dukej sikur dielli kishte hyrë në odë. Për çdo nëntor të vitit profesori e mbante flamurin në çantë, dhe kudo që shkonte, e shpaloste para të gjithëve. Ai donte t’ua përkujtonte të gjithëve se për të valuar i lirë flamuri kombëtar në trojet tona, ende duhet luftuar. Ende duhet derdhur gjak. Organet e pushtetit jugosllav profesorin e kishin larguar prej detyrës për shkak se gjatë orës mësimore vazhdimisht fliste për pasuritë dhe bukuritë natyrore dhe për heroizmin e popullit trim shqiptar. Jo vetëm kaq, sepse profesori shpjegonte me afsh atdhetar dhe pëllëmbën e dorës e mbështeste në hartë, mu në kufirin shqiptaro-shqiptar. Me të drejtë populli profesorin e quante mësues të mësuesve, pasi që prej duarve të tij kishin dalë profesorë të shumtë. Dukej sikur nxënësve ua brumoste dashurinë në zemër, që një ditë ajo vijë e dhunshme kufitare të zhduket nga faqja e dheut, në mënyrë që atdheu i bashkuar të jetojë i lirë. Kështu lënda mësimore e dheshkronjës ishte bërë e dashur për nxënësit dhe ora e mësimit kalonte shpejt.

I zoti i shtëpisë, xha Mirushi, u ngrit në këmbë dhe i nderoi të pranishmit në odë, pastaj ua uroi festën kombëtare të flamurit. Profesorin e falënderoi duke e përqafuar me gjoks.

- Të lumtë, profesor, ma zbukurove shtëpinë! - e përgëzoi xha Mirushi profesorin, pastaj iu drejtua të gjithëve. - Më ndihmoi fati që profesorin e nderuar takova në qytet, dhe ja tani kjo ditë u bë ditë kremte, ndonëse Dita e Flamurit është pasnesër.

Ndërkohë i biri i xha Mirushit, Valoni, doli jashtë për të vështruar rrugën në mos po kalonte patrulla policore. Shqetësimin e të birit e hetoi babai që ishte ulur nën ballinën e flamurit në krye të odës, nuk i erdhi mirë, prandaj ia tërhoqi vërejtjen të birit, që dikur kishte punuar drejtor në gjimnaz.

- Mjaft më me tutën tënde partiake! Tani të gjithë jemi njësoj para shkaut: si ti me librezë të kuqe, si profesori i dheshkronjës pa të. A e more vesh sesi djali i kryetarit të gjykatës komunale u kthye në arkivol nga Armata Popullore e Jugosllavisë, prandaj sot jemi pre e fashizmit serb, pa marrë parasysh veprimet tona. Askush nuk ka punuar më shumë se kryetari i Gjykatës Komunale për pushtetin, megjithatë djalin ia kthyen në kufomë, - tha i zoti i shtëpisë, xha Mirushi, që tregonte se si durimit i kishte ardhur fundi.

Është vit i mbrapshtë i Jugosllavisë, që në gjendje shtetrrethimi me tanke ia hoqi kushtetutën Kosovës. Institucionet arsimore dhe fabrikat janë rrethuar nga forcat e shumta ushtarake dhe policore të federatës serboçetnike. Kosova është në heshtje varri dhe me ankth i pret kufomat e njëpasnjëshme të ushtarëve shqiptarë që vriten prapa shpine gjatë shërbimit ushtarak. Në muzgun e mbrëmjes rrapëllojnë llamarinat, të cilat vendasit i godasin në shenjë revolte. Kjo rrapëllimë është me prejardhje, diku, nga fiset e largëta primitive, prandaj një veteran i luftës në çetën e Shaban Polluzhës, me të parë këtë skenë tronditëse, kishte thënë se nuk trembet shkau me legenë, por me pushkë, këtë e kishte thënë duke luajtur gishtin e këmbëzës. Zonjat e shtëpisë mallkonin zbatimin e kësaj revolte të pakuptimtë; ato ankoheshin sesi kohët e fundit kishin mbetur pa govata për larjen e rrobave, meqë të rinjtë i mblidhnin të gjitha, dhe dilnin duke rrapëlluar porsi karnaval në rrugë. Tanimë nuk ka protesta të shqiptarëve kundër dhunës dhe shtypjes së egër serbe. Siç duket, ky lloj i gandizmit shqiptar i pëlqen diplomacisë ruse dhe franceze që janë miq tradicionalë të fashizmit serb. Një diplomat francez me dajak i kishte rrahur akademikët serbë përse kishin lejuar të valojë flamuri kuqezi në Kosovë. Kundërshqiptari francez i kishte udhëzuar serbët sesi duhet ndaluar edhe gjuhën shqipe, jo më mbylljen e Universitetit të Kosovës. Prandaj mjafton që një diplomat francez me autoritet t´i ndërsejë këta bisha serbofashiste, dhe këta menjëherë i hyjnë barbarisë kundër shqiptarëve në të gjitha anët e Jugosllavisë. Kjo do të thotë që francezi, përndryshe bir i revolucionit francez, për shkëlqimin e dinjitetit njerëzor di t’i mësojë të tjerët si duhet pushtuar Kosovën, në vend se t’i mësojë shqiptarët se si duhet të çlirohet Kosova nga bishat serbe. Prandaj derisa Franca gjermanët i ka drejtuar kah bukuria e jetës, serbët i ka drejtuar në drejtim të kolonizimit të trojeve shqiptare për shtypjen dhe terrorizimin e popullit shqiptar.

Profesori i dheshkronjës mori qëndrim mbi gjunjë nën flamur, prej nga ngjyra e flamurit kuqezi reflektohej në fytyrën e tij; ngriti duart në drejtim të flamurit, dukej sikur fëmijëve donte t’ua fuste në zemër dhe pyeti:

- Fëmijë të dashur, a e dini si këndohet Himni i Flamurit Kombëtar?

Fëmijët ngritën supet në shenjë mosdije, duke shikuar me habi njëri-tjetrin. Këta për herë të parë e shikonin flamurin shqiptar pa njolla të fashizmit serb. Pastaj profesori filloi recitimin e strofës së parë të Himnit mbi Flamur:

 

 Rreth Flamurit të përbashkuar
Me një dëshirë e një qëllim,…

 

Kur i zoti i shtëpisë, xha Mirushi, dëgjoi këndimin e himnit kombëtar nga profesori, trupi i tij po vlonte prej vrullit atdhetar, dukej sikur ishte bërë moshatar me fëmijët, ndonëse pse ishte gjysh. Shkëlqimi i flamurit dhe recitimi i profesorit i dha shkreptimë zemrës së kryezotit të odës.

- Profesor i nderuar, më lejoni që unë ta recitoj Hymnin e Flamurit, sepse po më vlon këtu… në zemër, - iu drejtua i zoti i shtëpisë duke mbështetur dy duart, njërën mbi tjetrën, në zemër. Plisi i bardhë i rrinte mbi brezin e rrudhur të ballit dhe pas pak me të dy gjunjët ulet në dysheme. Ishte po ajo paraqitje e tij kur gjatë luftës së dytë botërore e recitonte vjershën e kushtrimit kombëtar para masës shqiptare dhe të pranishmit i dhuronin duartrokitje furishme.

 

Rreth Flamurit të përbashkuar
Me një dëshirë e një qëllim,
Të gjith´Atij duke iu betuar
Të lidhim besën për shpëtim.

Prej lufte veç ay largohet
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frikësohet,
Po vdes, po vdes si një dëshmor!…

 

- Të lumtë xha Mirush, vetëm vazhdo! Me ëndje dua të dëgjoj shqiptimin tënd, meqë unë nuk di më shumë se strofën e parë të himnit kombëtar… Pastaj ti e ke përjetuar luftën, ku krahas pushkës shumë herë e ke kënduar himnin kombëtar, - e përgëzoi profesori duke u paraqitur kinse nuk e dinte, mirëpo ai dëshironte që me ëndje ta dëgjonte shqiptarin me flokë të zbardhur se si e recitonte himnin që e kishte mësuar nga goja e mësuesit të tij të parë shqiptar, kurse profesori i dheshkronjës e kishte mësuar nëpërmes valëve të Radio Tiranës.

Pas recitimit të himnit jehuan duartrokitjet e fëmijëve dhe të burrave në odë. Një fëmijë iu afrua dhe e puthi në faqe:

- Xha Mirush, ju lumtë! Na gëzuat me recitimin e bukur të himnit, që mësuesi im nuk e ka guxuar të na recitojë.

- Unë, Hymnin mi Flamur e kam mësue qysh kur isha fëmijë, nxënës në shkollën fillore, sikur ky nipi im. Atëherë mësuesi na qëllonte me shkop në duar, po qe se nuk e dinim përmendësh himnin. Mirëpo më vonë erdh pushtuesi serb, siç thotë populli, më i keq se turku, dhe na e ndaloi flamurin kombëtar. Ç´prej asaj kohe, qe 45 vjet, asht hera e parë që e recitoj Hymnin…, - tha kryeodari i emocionuar duke fshirë lotët e mallëngjimit.

- Më korite para shokëve, baba! - u ankua i biri, kurse të pranishmëve në odën e burrave u tha: - Nuk e kam ditur që babai kaq bukur e reciton Himnin e Flamurit. Kurrë nuk e ka recituar, kurse sot para shokëve dhe nipave po e reciton si aktor.

- Faji është yti… Ti nuk ke treguar interesim, prandaj edhe babai nuk të ka penguar. Drejtorët e shkollave kanë aftësi të flasin, mirëpo aftësinë për t’i dëgjuar të tjerët nuk e kanë, - ia priti një mësues i vjetër, që ishte mik i xha Mirushit. Kjo është pengesë e konstruktit shoqëror, për shkak se urdhrat ju vinin prej së larti. Dihet, prej organeve të pushtetit, prandaj drejtorët i zbatonin pa e dëgjuar zërin e masës. Po të pyeteshin mësimdhënësit dhe nxënësit, ti me shokët e tu nuk do të udhëtonit me qindra kilometra larg për të vizituar varrin e Titos në Beograd. Përkundrazi, do të shkonit për të vizituar muzeun e Lidhjes Shqiptare në Prizren, që është më afër se Beogradi, dhe më e domosdoshme për nxënësit shqiptarë. Kështu tha mësuesi, që dikur ishte larguar prej detyrës për shkak se nuk kishte pranuar të prekej flamuri shqiptar nga organet e pushtetit. I tërë qyteti mbante në mend fjalët e mësuesit para shërbëtorëve të kuq: "Kush prek në flamur, prek në gjakun e popullit shqiptar!".

- Memorialin e Titos kemi qenë të detyruar ta vizitojmë meqë edhe komiteti komunal paguante shpenzimet e transportit, - plotësoi ish-drejtori i gjimnazit.

- Jo, i nderuar, nuk është ashtu. Komiteti ua ka paguar udhëtimin me djersën e punëtorëve të ndërtimtarisë, ku ne mezi merrnim vetëm një rrogë, dhe atë në fund të vitit, - ndërhyri një mik nga qoshja e fundit të odës, përndryshe punëtor në kombinatin ndërtimor "Ramiz Sadiku".

- Përkundrazi, unë me të gjithë shokët e klasës në krye me mësuesin tonë e kemi vizitue shtëpinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, - përforcoi kryeodari, xha Mirushi. - Atëherë ishte kohë lufte dhe ne organizuem ekskursionin me qerre kuajsh, po ç’kuaj të fortë se, dukej sikur fluturonim. Udhëtimin e kalonim duke kënduar dhe shumë shpejt mbërritëm në Prizrenin tonë legjendar. Gjatë udhëtimit mësuesi na thoshte se shkau nuk ka besë, prandaj duhet hapur sytë e të mos mashtrohemi me lajkat diplomatike të sllavëve. Serbët kur të shkelin të shkrumbojnë, kurse në konferencat europiane kukasin si qyqet.

- Ashtu është, xha Mirush, …mu sikur qyqet vajtojnë. Janë gjakatarë të mallkuar që natën na vrasin, kurse ditën qajnë nëpër konferencat europiane… - shtoi profesori i emocionuar.

- Shoku profesor, a mund të shkruani për ne Himnin e Flamurit, dëshirojmë që edhe ne ta mësojmë përmendësh porsi xha Mirushi, - jehoi zëri i një vogëlushes nga fundi i odës.

- Me dëshirë të zjarrtë do të shkruaj për të gjithë ju fëmijët, sepse ju jeni ardhmëria e botës shqiptare, - tha profesori që ishte duke menduar për rrugën plotë rreziqe për ardhjen e flamurit kuqezi.

Profesori menjëherë nxori fletoren dhe lapsin prej çantës së tij dhe filloi të shkruajë Himnin. Sapo e përfundoi vjershën, mori një letër të kuqe dhe vizatoi gjysmën e shqiponjës me laps të zi, të cilën e theu duke i bashkuar në dy pjesë të barabarta. Pastaj njërën faqe të gjysmë-shqiponjës së vizatuar e shtypi me shpinë të lapsit për kopjim. Tashmë fëmijët kureshtarë kishin rrethuar profesorin dhe të gjithë po vështronin me kujdes demonstrimin e tij. Fëmijët herë e shikonin flamurin në mur, herë e shikonin shqiponjën në vizatim. Pas pak, profesori hapi letrën e kuqe dhe shqiponja e plotë doli në flamur. Në çastin kur profesori e hapi letrën e kuqe, fytyrat e fëmijëve po shkëlqenin nga gëzimi, të dukej sikur profesori po u dhuronte krahët e shqipes që të fluturonin.

- Të lumtë, mik i dashur! Ti me artin tënd të atdhedashurisë, shumë shpejtë i përfitove zemrat e fëmijëve, - tha kushëriri i kryeodarit, përndryshe mjek që posa ishte liruar nga kazamatet jugosllave.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat