Festë pa festë në shumë zemra e tavolina!

Opinione

Festë pa festë në shumë zemra e tavolina!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 29 nëntor 2022 Në ora: 14:21
Xhevat Mustafa

Zyrtarisht, ne shqiptarët e Shqipërisë, sot më 29 nëntor, kemi festën e 78 vjetorit të çlirimit nga pushtuesit italianë dhe gjermanë apo përmbledhurazi, nga pushtimi fashist! "Festë" e vendosur më 29 nëntor për interesa dhe servilizëm të Enver Hoxhës, për t'u bërë qejfin vëllezëeve të tij, Tito, Miladin Popoviç, Dushan Mugosha..., që dy vendet dhe popujt të kishin së bashku çdo vit edhe një ditë feste të çlirimit!!!??? Por, për arësye të shumë rrethanave historike, politike, qeverisëse, të gabimeve të shumta në krijimin dhe prishjen e aleancave, të shfrytëzimit barbar të pasurive nën e mbitokësore të falur nga natyra, jemi këtu ku jemi, për shumicën e treguesve të zhvillimit, mirëqenies, demokratizimit, integrimit në BE.

Domethënë për 78 vjet të fundit në Europë për nivelin e jetesës...Sot edhe kemi, edhe nuk kemi FESTË! Kjo është festë për fasada mashtruese, për farsa hipokrizie, demagogjie, fitoresh pa frute...!Në shumë familje ka me bollëk arësye të shtrohen disa pyetje. Më 29 nëntor 1944, ardhur duke shkelur mes kufomave shqiptare dhe gjakut shqiptar shkaktuar më shumë nga "çlirimtarët se sa pushtuesit në ikje drejt Shkodrës, më shumë nga Enveri se sa nga Hitleri, u çliruam nga pushtuesit e huaj apo ata u zëvendësuan nga pushtues vendorë për nga gjaku dhe pasaportat?

A erdhën liria dhe demokracia si koncepte dhe realitete të vërteta e të përjetueshme apo vetëm si fjalë për propagandë e gazeta? Këto pyetje morën përgjigje shumë shpejt, qysh më 30 nëntor dhe për 47 vjet të tërë.

Liria e Enver Hoxhës me shokë e shoqe, të ngjashëm me atë për nga shumë detaje shpirtërore apo çnjerëzore, ishte një pushtim prej gjasmeshqiptarësh. Më i pashpirt, më i egër, më i lig, më tinëzar, më mashtrues, më antishqiptar, më antikombëtar...Liria që sollën nga malet Enver Hoxha me shokë e shoqe, kur të kushtonte me pranga e plumba në gjoks e kokë edhe një fjalë goje kundër tyre apo thjeshtë si shfryerje dhimbjeje e dëshpërimi, ishte shkatërruese fizikisht, shpirtërisht, moralisht...

Njëherazi, edhe varfëruese apo shkrumbuese për nga ndjesitë dhe kënaqësitë njerëzore, sepse shumçka jepej e merrej me pakicë, me tollona e rradhë qysh nga mesnata...

A mund të harrohet ky ferr që solli 29 nëntori 1944 për shumicën e shqiptarëve nga shumica e atyre që e kanë përjetuar dhe janë gjallë? A mund të pranohet prej tyre se sot është festë dhe duhet festuar...? Po, si mund të festohet si dhe sa duhet në shtëpitë tona 78 vjetori i gjasme çlirimit, kur rreth 60% e pagave janë në apo pak mbi nivelin minimal, në rreth 25.000- 30.000 lekë? Kur po rreth 60% e pensioneve janë në rreth 10.000- 25.000 lekë e kur çmimet e artikujve të konsumit jetik, të elektronikës, karburanteve...janë çmendur në këta 9 vjet, duke u rritur 2 fish në krahasim me 2013- tën e "Saliut të keq dhe non grata" dhe deri në 25-50% më shumë se në Gjermani, me paga e pensione 5- 10 herë më të larta!!!??? Kështu që, me humor të hidhur dhe therës deri në palcë e thellësi të zemrave, na mbetet të themi: lum dhe mjer ne për këtë "çlirim" pa...bereqet, begatim, përparim, pa liri dhe demokraci të vërtetë; pa shtet ligjor e social funksional! Megjithatë, meqenëse feston qeveria, partia dhe ushtria e votuesve, oligarkëve, ortakëve, patronazhistëve... të saj, le të festojë mbarë Shqipëria!

Edhe ata dhjetra mijëra familje që nuk mund të shtrojnë në tavolina as edhe 1 pulë kombinatesh fryrë si gjela me hormone, as një ëmbëlsirë( një tepsi të vogël kadaif apo revani), një shishe verë të lirë! Në të vërtetë, nga shumica e familjeve shqiptare sot është për të bërë ca topëza hallvë apo hasude...!

Edhe për të ndezur qirinj. së pari për mijëra të vrarët, me pushkatim, varje, uri, sëmundje... nga regjimi komunist.por edhe për shumicën e të gjallëve. Ata që mbetën mbi tokë ishin gjatë 47 viteve të monstrave Enver Hoxha dhe Ramiz Alia skllevër e kufoma, që merrnin frymë e ecnin.

Që mund të hapnin gojët e përdornin duart për të ngrënë e pirë dhe për të përmbushur ato pak kënaqësi njerëzore, që u lejoheshin me "pikatore" e pa frikën se mund të ndëshkoheshin me vite burgjesh dhe kampesh internimi, pas një...ore! Atëherë, a mund të quhet nga shumica e shqiptarëve rrogtarë dhe pensionistë me të ardhura rreth nivelit minimal allashqiptar apo me mbështetje sociale çnjerëzore, me të drejtë, sinqeritet, bindje...ditë çlirimi e feste 29 nëntori???

A mund të festojnë sot me zemër rreth 500 mijë familje në Shqipëri, kur kanë mbetur pa fëmijë, nuse, nipër e mbesa në shtëpi??? A mund të festohet sot në mbarë Shqipërinë, kur edhe në shumë blloqe e lagje qytetesh dhe fshatra, sidomos në ato të largët e malorë, edhe në Tiranë e në Gjirokastrën e Enverit..., edhe për 28 dhe 29 nëntor, për "defekte në rrjet", për kursim të urdhëruar nga lart apo nga "qenia tejet të zënë" të Edi Ramës, Linda Ballukut, Erion Veliajt me telashet e festimeve partiake, qeveritare, miqsore...,nuk ka prej shumë orësh apo edhe me ditë të tëra energji elektrike??? "Lum ky vend e ky popull" që ka shumë "festa" në kalendar, por që nuk i përjeton si të tilla në zemra e tavolina ngrënieje të standartit allashqiptar!!!

Është e rëndë dhe e vështirë për t'u menduar dhe shprehur: pas 78 vjet të këtij gjasme çlirimi, më shumë se shumica e shqiptarëve, kanë të drejtë të festojnë sot në Beograd, Athinë e gjetiu...! Sepse, me mendje e duar gjasme shqiptarësh, Shqipëria është bërë sot edhe më keq për shqiptarët e më mirë për ata, se sa kishin dëshiruar dhe menduar ta bënin ata vetë me ushtrira dhe qindra miliona dollarë, më 29 nëntor 1944!!!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat