Mendësia që krijon burra vrasës!

Opinione

Mendësia që krijon burra vrasës!

Nga: Dren Dushi Më: 1 dhjetor 2022 Në ora: 13:18
Autori Dren Dushi

“Duam djalë”, kumton fuqishëm shoqëria jonë, para se të duan një vajzë, kjo ndodhë zakonisht, por çfarë e përcakton këtë mendësi, dhe si krijuam burra vrasës?

Djali është pensioni i dy prindërve shqiptarë të zakonshëm, të cilëve shteti nuk është se ju krijon kushte normale jetese pasi të kenë arritur 65 vjet. Është djali i cili, duke krijuar familjen e re te familja e vjetër, e dy prindërve zakonisht të retarduar, rënduar psiqikisht, shpesh herë familje kontaminuese, krijon një mburojë edhe për ta. Për më tepër, pensionimi i dobët, i mjerë në shoqërinë tonë, ngushëllohet ai defetizëm duke parë nipërit e mbesat në kulmin e njëjtë.

Kësisoj, djali është më i dëshirueshëm se vajza, në këtë mendësi të mbrapshtë. Vajza shihet si një ndihmëse e nënës në shtëpi, derisa të ketë arritur “kohën e rehatimit” te një derë tjetër, ku nëna që ka dhënë një vajzë për ndihmëse në një shtëpi tjetër, e zëvendëson ndihmësen me nusen, të cilën zakonisht nuk e do siç e donte vajzën.

Por tërë kjo mendësi e mbrapshtë, fillon fuqishëm te patriarkalizmi shumë shekullorë otoman, i cili, për fatin e keq të kësaj shoqërie, u kombinua me autoritarizmin komunist, dhe pjesërisht në disa zona edhe me ekstremizmin fetar shpesh herë të keq-interpretuar e kuptuar. Rezultati, krijimi i një mendësie që edukon burrat pak a shumë kështu; djali është i pa barabartë me vajzën që në pikënisje si funksion që kryen të përshkruar më sipër, dhe i pa barabartë me vajzën edhe në ekonomi si pasojë, duke iu deleguar “de-facto” shumicën e herëve, pasuria e prindërve të cilët si kundër-vlerë marrin pensionimin dhe qëndrimin e djalit në kulmin e tyre, shpesh herë për t’iu hequr mërzia e pleqërisë dhe jetës së dështuar në shoqërinë e dështuar ku kanë jetuar.

Djali (burri) shqiptar (përgjithësisht) si pasojë, është i edukuar në këtë formë që ai të filloj të shoh veten më me superioritet se vajza, pavarësisht edhe rasteve kur vajza ka superioritet intelektual ndaj tij, djali përsëri e sheh vetën më lartë, nga ky edukim. Ai e sheh veten më të pasur, sepse i tillë është nga lënia e trashëgimisë që merr, teksa e sheh vetën më të vlefshëm sepse kështu e trajton prindëria duke i lënë trashëgiminë dhe duke i dhënë kompetenca shtesë në shtëpi. Kjo bën që burri shqiptar ta mendoj vetën më lart e më të dijshëm edhe në aspektin e traditës për ta ruajtur e zhvilluar pasurinë, teksa e mendon gruan, motrën, vajzën, si dytësore, si një njeri i cili nuk ka traditë të menaxhoj me pasuri, nuk di të menaxhoj me pasuri. Për pasojë, burri shqiptar bëhet më arrogant, bëhet më agresiv kur i cenohet pushteti i tij, bëhet edhe i dhunshëm kur sheh se kjo “perandori” e trashëguar e “superioritetit”, dominancës, kompetencave dhe pushtetit, i cenohet.

Kur shoqëria jonë e çliruar nga bota demokratike filloi të sfidoj këtë rend, burri i mendësisë të sipër shpjeguar, u gjend pranë një sfide. Kjo ishte sfida e tij e pushtetit. A do mund burri shqiptar vallë të nënshtroj më tutje gratë shqiptare? A do mund ai t’i tregoj grave se ato janë poshtë tij, se ai vendosë, ai di, ai është i pa kontestueshëm, ai trashëgon, ai krijon, ai lë shtatzanë e pastaj edhe vret po qe se i kthehet fjala, po qe se i kundërshtohet mendimi e pushteti? Lufta ka filluar, e përgjakshme madje, deri në nivel terrori.

Edukimi seksual

Kur murret e shtëpive të fshatërave por edhe qyteteve të Kosovës u ngritën rreth 2 metër sipër tokës, motivi kryesor ishte fshehja e grave, meqë murri dy metërsh zakonisht nuk mbron nga hajni që e kapërcen lehtë. Fshehja e gruas, vajzave, dhe për më tepër, mendësia shekullore e ndarjes së odës gra e burra, bëri që interaktiviteti ndër-gjinorë në shoqërinë tonë, të mos zhvillohet, të jetë tabu, të jetë i ndaluar, e siç dihet nga çdo qenie e ligj natyre, çdo gjë e ndaluar, bëhet më joshëse. Për të bërë një sqarim lidhur me mendësinë e ndarjes së odës burra e gra, kjo mendësi akoma ka fuqi të jashtëzakonshme, mjafton të shohësh ngjarjet shoqërore ku pas pak minutash vetëm bëhet ndarja mes gjinive.

Kur fshati erdhi në qytetin gjysëm të qytetruar, e gratë filluan të dalin më shumë rrugëve, të shfaqin bukuritë e tyre, burri shqiptar përsëri u gjend pranë një sfide.

Fillimisht burri shqiptar që kishte ndejtur kryesisht vetëm me burra, që kishte pasur murrin 2 metrash para syve, që nuk kishte pasur mundësinë e interaktivitetit me gra, u harmonizua përnjëherë, pra u bë epshor, nga ndalesa që i ishte bërë. Si pasojë, ai ju hodh grave, për t’i shuar epshet e tij, por kryesisht duke i konsideruar kurva dhe urryer njëherish.

Se sa shumë ndikim pati shkarkimi i madh hormonal i burrit të mureve 2 metërshe, të odave të ndara, mjafton të shihen disa gra të pa martuara, shumë të reja, që shfrytëzuan këtë situatë, për të arritur deri aty sa që tashmë shumë prej tyre bëjnë jetë luksoze me paratë e burrave hormone shkarkuese, vozisin Range Roverë pa punuar fare.

Por burri i kësaj edukate shoqërore, meqë i shpalli “kurva” të gjitha gratë përveç nënës së tij, e ristandardizoj akoma më keq interaktivitetin ndër-gjinorë, duke e bërë gruan e tij një punëtore që rritë fëmijë e mban shtëpinë, teksa duke i shikuar gratë tjera për shkarkimin e hormoneve si pasojë e mureve dy metërshe. Kjo bëri që burri të bëhet akoma më agresiv, meqë e shpalli gruan e re joshëse “kurvë”, të cilës i blen Range Roverin me paratë e trashëgimit të motrës (që ia kanë dedikuar prindërit).

Pasoja e kësaj rrjedhe ngjarjesh idioteske, bëri që burri i ri, i cili nuk ka prindër që i lënë trashëgiminë për të blerë Range Rover, u bë ekstrem xheloz, dyshues, dhe i shpalli përgjithësisht gratë “kurva Range Roverësh”, filloi të urrej gratë, filloi të urrej atë që kishte marrë pjesë vet ta ndërtoj.

Burri i kësaj mendësie do vazhdoj të jetë agresiv, i hutuar, në mes të ideve konservative e liberale, në mes të dëshirës së tij për shuarje epshi, por edhe shtypjes së epsheve të grave. Pra ky burrë do jetë njeriu me të cilin do duhet të ballafaqohet shoqëria shqiptare e cila pretendon Evropën.

Aq problematikë do jetë tranzicioni i mendësisë, sa në raste jo të rralla do krijoj edhe psikopatë, gjaknxehtë, vrasës. Dhe shoqëria jonë nuk do mund t’i ndaloj këto fenomene me një Polici neglizhente, Gjykata parazite dhe studio televizive me “analistë” gjithologë nën kontraktimin e partive politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat